Skenografi Kondo ekspozon 40 vjet krijimtari

Dec 13, 2011 | 13:53
Një nga pikturat e ekspozuara në Muzeun “Mezuraj”

Zakonisht peizazhet të shkaktojnë një ndjesi trishtimi, por tablotë e Pano Kondos janë aq të gjalla e plot dritë, saqë nuk mund të mos kaplojë optimizmi dhe etja për jetën. E verdhë dielli, e kuqe gjaku, nuanca të forta që kapërthehen me njëra-tjetrën… U prezantua në ambientet e muzeut “Mezuraj” koleksioni dhe albumi me 200 veprat më të mira të karrierës 40-vjeçare të piktorit Pano Kondo. “Arti piktorik i Pano Kondos tregon stilin dhe stili njeriun. Vetë Pano është i frymëzuar nga skenografia, gjë që duket në gjeometrinë dhe simbolizimin e detajeve. Është një art, i cili është mes realizmit dhe ekspresionizmit, mes vizatimit e ngjyrës. Do ta cilësoja një art kolorist për vetë ngjyrat, peizazhet, kombinimet dhe portretet. Element tepër serioz në këtë ekspozitë është edhe realizmi i albumit të piktorit, që është një nga vëllimet më të mira të botuara në vend, që përmbledh punët më të mira të Kondos”, tha studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo. Kuratori i ekspozitës dhe albumit, Kujtim Ahmataj thotë se “Kondo i tregon emocionet në ngjyrë, kombinime dhe dallon me penelatën e tij, pasi pikturën realiste e sheh me sytë e shpirtit”. Për piktorin dhe studiuesin Abaz Hado kjo ekspozitë “është një fakt që shpalos vlerat e vërteta që nuk bërtasin, por që shfaqen me modesti”. Vetë artisti Pano Kondo, i emocionuar, thotë se nuk është njeri mediatik. “Aq më tepër ne skenografët, që punojmë pas skene, na kanë quajtur heronjtë e heshtur. Më vjen mirë për interesin që ka zgjuar ekspozita ime. Unë nuk kam punuar me ambicien për të çelur një ekspozitë, por për të gjetur rrugën e artit. Ka elemente mjaft pozitive skenografia, që unë i kam shprehur edhe në pikturë. Për mua piktura është mjaft e dashur”. Rreth punëve të piktorit, piktori Helidon Haliti vlerësoi çeljen e ekspozitës dhe botimin e albumit të piktorit që “është një testament për çdo artist të artit figurativ”.
Jeta e piktorit
Pano Kondo ka lindur më 25 prill të vitit 1954 në qytetin e Përmetit. Është diplomuar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, dega pikturë. Më pas ka vazhduar studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, ku është diplomuar në vitin 1978 si piktor skenograf. Më 1979 emërohet si skenograf në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Për 20 vjet ai ka realizuar në këtë detyrë mbi 100 skenografi, përfshi kostumografi dhe pllakate. Ka realizuar skenografinë e shfaqjeve “Kush e vrau Kastijin”, “Dy krisma në Paris”, “Shtrigat e Salemit”, “Shi në plazh”, “Kërcuri”, “Shoku Niqifor” etj. Pas viteve ’90 krijimtaria e Pano Kondos merr një zhvillim të ri cilësor dhe tërheq vëmendjen e kritikës së specializuar artistike që e konsideron si një nga piktorët më të talentuar të gjeneratës së re. Punët e tij ruhen në shumë institucione e koleksionistë privatë, dhe muzeu “Mezuraj”, i cili është institucioni që ka pjesën më të spikatur dhe më përfaqësuese të krijimtarisë së Pano Kondos. Për kontributin e tij si artist, Pano Kondo është vlerësuar me dekret të Presidentit të Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

© Panorama.al

Te lidhura