Pas miqësores me ekipin e Odesës, ku luan edhe korçari i njohur i Kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli, trajneri i Skënderbeut Levi kishte rezervuar edhe dy fjalë për të tijtë në darkën që konsumuan të gjithë së bashku. Ai i ka përgëzuar të gjithë lojtarët, pasi jo vetëm kanë respektuar detyrat e ngarkuara, por edhe kanë bërë një paraqitje të mirë. Sigurisht që çeku i pankinës korçare nuk ka përmendur emra të përveçëm, por ka mbetur i kënaqur nga rishfaqja ndryshe e sulmuesit vlonjat, Daniel Xhafaj dhe golit që realizoi në atë ndeshje, pavarësisht se vetëm shkurtoi diferencën. Gjithashtu ka mbetur i kënaqur për funksionimin thuajse perfekt të dyshes Shkëmbi-Plaku. Ndërkohë, sa u përket lojtarëve që janë në provë, Levi ka mundur të aktivizojë vetëm Duricën, ndërsa portieri serb e sllovaku nuk e kanë pasur këtë shans. Nga ana tjetër, sulmuesi Sebino Plaku dhe Sokol Cikalleshi kanë lënë përshtypje të mira. Levi ka bërë të ditur se vëzhgimi i tij vazhdon për të gjithë njëlloj, ndaj i ka paralajmëruar të tregohen të kujdesshëm në seancat stërvitore.











