
Skënderbeu nuk fiton dot as ndaj Dinamos, duke barazuar pa gola në kryeqytet. Madje, korçarët mund edhe të kishin humbur, por portieri Shehi tregoi gjithë cilësitë e tij në dy-tri pritje spektakolare.Skënderbeu është në një krizë të thellë identiteti. Skuadra nuk arrin dot të prodhojë lojë dhe ca më pak të shënojë. Duhet të shkosh në sezonin e shkuar për të gjetur një fitore të korçarëve në një ndeshje zyrtare (Champions, Superkupë dhe kampionat). Ndërsa dje, skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro tregoi edhe limitet e veta, teksa nuk arriti që të mundte edhe një kundërshtar si Dinamo, skuadër kjo e krijuar vetëm dy ditë para fillimit të sezonit dhe me lojtarë pa një formë të mirë sportive. Gjithsesi, në fushën e lojës, të paktën në fraksionin e parë, u pa një Dinamo me më shumë dëshirë për të fituar dhe një Skënderbe që stononte shumë nga përballjet (kupto tolerimet), që pati luajtur sezonin e kaluar ndaj “nëndetëses blu”. Kuli dhe i riu Imami bënë të dridhet disa herë porta e korçarëve dhe vetëm forma e jashtëzakonshme e Orges Shehit i mohoi golin Dinamos. Nga ana tjetër, Skënderbeu u mundua të shfrytëzonte shpejtësinë e Muzkës dhe forcën e Xhafajt në sulm, por që të dy lojtarët ishin në një ditë të zezë. Në fraksionin e dytë të lojës, Duro bëri menjëherë disa zëvendësime, duke futur në lojë Kërçikun dhe Allmuçën, por edhe pse loja u bë disi më e bukur (sidomos në krahun ku luante Kërçiku), përsëri rezultati mbeti i njëjtë. Pas ndeshjes, trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, nuk pranoi të linte asnjë deklaratë për shtyp dhe në ambientet sportive zërat për një shkarkim të tij u shtuan së tepërmi. Ndërkaq, as presidenti i korçarëve, Agim Zeqo, nuk ka dhënë asnjë deklaratë, duke kërkuar veçse një mbledhje urgjente me teknikun tiranas.
Dramë në Vlorë, lojtari pa ndjenja
Dramë në Vlorë, lojtari humbet ndjenjat në fushë dhe paniku i kap të gjithë. Ndeshja e javës së parë të kampionatit midis Flamurtarit dhe Kamzës është ndërprerë në minutën e 10-të, për shkak të një përplasje në fushë të mbrojtësit të Kamzës, Andi Lika, i cili humbi ndjenjat dhe u dërgua urgjentisht në spitalin rajonal të Vlorës. 19-vjeçari Lika, në përpjekje për të larguar topin përplaset me një prej sulmuesve të Flamurtarit dhe bie në tokë pa ndjenja. Lojtari kaloi një gjendje shoku dhe përfundoi në spital, nga ku doli vetëm në orën 19:00 të darkës.
Superiore/ Java 2
Kamza-Vllaznia 1-0
Shënues: Pema 47′
Laçi-Bylisi 2-2
Shënues: Dragiçeviç 75′, Trajkoviç 84′ (p)/ Dimo 19′, Gega 82′
Kastrioti-Tirana 2-3
Shënues: Inkango 41′ (p), 78’/ Bala 47′, G. Lika 66′, Dushku 90+3′
Shkumbini-Apolonia 2-0
Shënues: Xhyra 45′, Sulkja 50′
Pogradeci-Tomori 1-0
Shënues: Tanushi 71′
Teuta-Flamurtari 1-0
Shënues: Hyshmeri 90+1′
Dinamo-Skënderbeu 0-0
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Teuta 2 2 0 0 6
2. Bylisi 2 1 1 0 4
3. Kastriot 2 1 0 1 3
4. Vllaznia 2 1 0 1 3
5. Tirana 2 1 0 1 3
6. Apolonia 2 1 0 1 3
7. Flamurtari 2 1 0 1 3
8. Kamza 2 1 0 1 3
9. Shkumbi 2 1 0 1 3
10. Pogradec 2 1 0 1 3
11. Skënderb 2 0 2 0 2 12. Tomori 2 0 1 1 1
13. Laçi 2 0 1 1 1
14. Dinamo 2 0 1 1 1
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











