
Short me “dy fytyra” për Skënderbeun dhe Tiranën, “të mbijetuarat” shqiptarë në Europë. Në Ligën e Kampioneve, korçarët do përballen me fituesen e sfidës Bate Borisov-Vardar në rast se kalojnë turin aktual, ku në ndeshjen e parë kanë fituar 1-0 ndaj Debrecenit. Ndërkohë, short i pafat ka qenë për bardheblutë në Ligën e Europës, pasi do përballen me fituesin e sfidës Apoel Nikosia-Zenica. Në fakt, gjasat janë që rival të jetë ekipi qipriot, i cili e ka fituar takimin e parë me rezultatin 2-0.
Skënderbeu
Korçarët kanë shansin e artë që të realizojnë një ecuri historike në Champions. Pasi dominuan dhe fituan 1-0 në ndeshjen e parë ndaj hungarezëve të Debrecenit, skuadra e trajnerit Stanislav Levi ka një mundësi të shkëlqyer për t’u kualifikuar në raundin e tretë të kompeticionit prestigjioz. Ndërkohë, ka njohur edhe se cili mund të jetë kundërshtari i mundshëm në fazën tjetër dhe bëhet fjalë për fituesin e duelit Bate Borisov-Vardar. Bjellorusët fituan me vështirësi 3-2 në ndeshjen e parë kundër maqedonasve dhe kualifikimi mbetet i hapur, aq më tepër që ekipi nga Shkupi e luan sfidën e kthimit në shtëpi. Nëse do luajnë ndaj fqinjëve maqedonas (gjithnjë nëse Skënderbeu kualifikohet), shanset janë më të mëdha që të fitojnë një “biletë” për në fazën play-off të Champions-it. Por, edhe nëse sfidojnë Bate Borisovin, gjithashtu ka mundësinë që të triumfojë, duke qenë se këta të fundit janë shumë larg forcës që patën në edicionet e fundit. Bjellorusët kanë larguar një pjesë të mirë të yjeve që kishin në skuadër, gjatë paraqitjes së vitit të kaluar në fazën në grupe. Në fakt, ky çift ishin edhe rivalët më të lehtë në letër, krahasuar me faktin që mund të sfidonin ekipe si Anderlehti apo Fenerbahçe.
Tirana
Bardheblutë e cilësojnë si të pafat shortin. Skuadra e Rubios, e cila më parë duhet të sigurojë kualifikimin, pasi është në situatë të ndërlikuar ndaj Alesundit, mund të përballet me Apoel Nikosian nëse kalon në fazën tjetër. Në fakt, Tirana kishte shansin e artë që nëse kualifikohej, të përballej me ekipe si Interi apo Liverpuli. Pavarësisht se shanset për kualifikim do ishin në limitet e zeros, një duel i tillë luksi do mbushte arkën e klubit, prej të drejtës televizive. Ndërkohë, dueli me qirpiotët e Apeol Nikosias është dyfish negativ. E para sepse kanë të bëjnë me një kundërshtar tepër të fortë, i cili ka një buxhet 8-10 herë më të lartë. Dhe së dyti, një rival që nuk sjell përfitime nga e drejta televizive, pasi nuk gëzon të njëjtin prestigj si shumë prej kandidatëve të tjera në këtë raund. “Do doja Interin. Një përballje e tillë do na motivonte më shumë, gjithsesi ne duhet të mendojmë për sfidën e kthimit me Alesundin”, u shpreh Gilman Lika. Edhe pse tashmë i njohën rivalët e mundshëm, dy skuadrat shqiptare kanë një mision më të vështirë për të realizuar: kualifikimin…
Gilman Lika i trembet… të ftohtit
Gilman Lika ka analizuar ndeshjen e kthimit kundër Alesudnit, pas barazimit 1-1 në sfidën e luajtur në “Qemal Stafa”. “Norvegjezët ndoshta nuk u ndihmuan nga vapa, por edhe nga terreni jo fort i favorshëm. Mirëpo nuk duhet t’i gëzohemi kësaj pjese, pasi edhe ne e njëjta gjë na prêt në transfertë. Do përballemi me temperatura shumë të ulëta, të pazakonta për ne dhe një fushë sintetike. Madje, me sa di unë, ata kanë ruajtur katër titullarë, që do t’i aktivizojnë në shtëpi. Do të jetë shumë e vështirë”, u shpreh Gilman Lika.
Skënderbeu, zbardhet analiza, Levi synon “mur”
Levi “zbulon” taktikën përpara “finales” me Debrecenin. Në një analizë me lojtarët, trajneri i Skënderbeut ka dhënë udhëzimet e para në prag të sfidës së 24 korrikut. “Të mbrohemi si ekip dhe ta mbajmë sa më shumë topin, për të mos u dhënë shansin hungarezëve t’i afrohen portës”. Kjo ka qenë kërkesa e parë e çekut drejtuar lojtarëve. Burime të “Panorama Sport” pranë stafit teknik kanë zbardhur edhe bisedën 30-minutëshe që kreu i pankinës ka bërë me grupin e futbollistëve. Atmosfera në prag të takimit sa vjen e bëhet më drithëruese për Skënderbeun. Lojtarët janë të përqendruar totalisht te stërvitja, teksa kanë harruar fitoren e fundit. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka përfunduar, teksa gjithçka do të vendoset pas 90 minutave në Hungari. Levi nuk i zë besë Debrecenit, për vetë faktin se kampionët e Hungarisë shfaqën shumë pak vlera në takimin e parë.
FATION SHEHU
© Panorama.al











