Skela: Fitorja, i vetmi rezultat që vlen për ne

Mar 26, 2011 | 11:12

Ervin Skela nuk ishte pjesë e Shqipërisë në miqësoren e fundit, të humbur 2-1 me Slloveninë, për shkak se ishte në kërkim të një ekipi, por tani vlonjati është sistemuar në Poloni, te Arka Gdinia. “Të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar që kanë dalë në konferenca për shtyp kanë deklaruar se është një ndeshje shumë e rëndësishme, për vetë faktin edhe të pikëve në grup. Është një takim i vështirë dhe këtë gjë duhet ta pranojmë. Bjellorusia është një skuadër që luan shumë kompakte dhe shpejt. Duhet të jemi në çdo moment të kujdesshëm. Në qoftë se do të kemi mundësi ta fitojmë ndeshjen, do të luajmë për fitore; nëse do të shohim se jemi në atë pikë që nuk mund të fitojmë, atëherë duhet të mbrojmë të paktën barazimin”, tha 34-vjeçari. Me tej ai ka bërë edhe analizën e kolegëve të tij duke pohuar se optimizmi mbizotëron në gjithë ekipin. “Për ta fituar këtë ndeshje duhet që secili nga ne të japë maksimumin për 90 minuta apo më tepër, 95 besoj, që të arrijmë rezultat pozitiv. Që nga dita e parë e grumbullimit kam parë një impenjim të jashtëzakonshëm dhe tani duhet ta tregojmë në fushë. Vetëm kështu mund të arrijmë suksesin si ekip”, ka pohuar Skela. Shqipëria synon ta fitojë betejën në “Qemal Stafa” jo vetëm që të arrijë me pikë Bjellorusinë (në rast fitoreje të dyja skuadrat barazohen me 8 pikë), por edhe të regjistrojë fitoren e parë në katër përballjet me ketë skuadër.

© Panorama.al

Te lidhura