Skandali, Olldashi konkurron Seldin, Sinanin dhe Rozanën

Sep 10, 2011 | 14:05

Shitje marramendëse e gazetës me historinë e korrupsionit të ministrit. “Panorama plus” bëhet xheloze për “suksesin” e tij

Zbulimi i historisë së abuzimit me tenderat publikë i ministrit të Transportit, Olldashi, i publikuar për një javë rresht në gazetën “Panorama”, na ka bërë të kuptojmë disa gjëra: së pari u vertetua në mënyrë të pakontestueshme e me dokumente se një ministër bën korrupsion në dritë të diellit, së dyti që, edhe kur je ministër, nuk ke shumë fantazi për të mbrojtur veten dhe ia fut kot; Dhe e treta, që

shqiptarët nuk e paskan bërë vaksinën e indiferentizmit, që të mos u bëjë përshtypje asgjë, sipas teorisë urbane se gjoja “Jemi mësuar tashmë me histori vjedhjesh të pushtetarëve tanë”. Tani kjo e treta na ka djegur pak ne të “Panorama plus”, sepse për gjashtë vite me radhë ky suplement ka bërë që gazeta “Panorama” nga shumë e shitur, të bëhet jashtëzakonisht shumë e shitur, falë historive rozë të personazheve të spektaklit. Aq shumë ishim mësuar me këtë status, saqë kur pamë shitjet e kësaj jave të gazetës “Panorama”, nuk mundëm ta fshihnim xhelozinë tonë profesionale. Ende nuk na del inati se si ka mundësi që Sokol Olldashi t’ia kalojë në tirazh edhe historisë së homoseksualitetit të Sinanit dhe Seldit? Si mund t’ia falim ne ministrit që me “paturpësi” ia kaloi në shitje edhe Rozana Radit me setin e fotove lakuriq, kur ai vetë as xhaketën nuk e heq? Kjo është me të vërtetë e patolerueshme për egon tonë profesionale, por nga ana tjetër, meqë çdo e keqe e ka një të mirë, jemi ngushëlluar me një fakt tjetër dhe në këtë rast jemi fare seriozë kur e themi, që ky lexues dëshiron të argëtohet, por në interesin e tij primar janë çështjet e rëndësishme, që lidhen direkt me cilësinë e jetës së tyre. Ata duan të dinë se si punojnë njerëzit që kanë vendosur t’i drejtojnë, çfarë bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke demonstruar vigjilencën e tyre për çdo gjë që ndodh dhe nevojën për të mësuar gjithçka deri në detaje. I falëenderojmë nga zemra, sepse duke na ndjekur, na japin më shumë kurajë në punën tonë. Por një këshillë kemi, pasi të jeni bërë me stres nga historitë me korrupsion, merrni ilaçin antistres tek faqet e “Panorama plus”. Me sa duket, sot keni nevojë më shumë se kurrë.

© Panorama.al

Te lidhura