Kandidati republikan i quan mbështetësit e Obamës “viktima”
Fushata e kandidatit republikan amerikan, Mit Romnej, është dëmtuar nga dy video të fshehta, të marra gjatë një takimi me donatorë të pasur, ku Romnej quan “viktima” mbështetësit e Obamës dhe akuzon palestinezët se nuk duan paqe. Romnej ka thënë se 47 për qind e amerikanëve janë të varur nga qeveria dhe se “puna ime është të mos shqetësohem për këta njerëz”. Duke iu referuar mbështetësve të Obamës, Romnej tha se: “janë 47 për qind ata që e mbështesin, ata që janë të varur nga qeveria, ata që besojnë se janë viktima, që besojnë se qeveria e ka për detyrë të kujdeset për ta… se kjo është një e drejtë. Dhe qeveria duhet t’ua japë atyre shërbimet dhe ata do të votojnë për këtë President, të bëhet, ç’të bëhet … Këta janë njerëz që nuk paguajnë taksa”. Romnej shtoi se “puna ime është të mos shqetësohem për këta njerëz. Unë nuk do t’i bind kurrë ata se duhet të marrin përgjegjësi personale për jetët e tyre”. Në një përpjekje për të limituar dëmin, Geil Gitço, drejtori i komunikimit të Romnejt, tha në një deklaratë: “Mit Romnej dëshiron të ndihmojë të gjithë amerikanët që po luftojnë në ekonominë e Obamës. Ekipi i tij nuk e vuri në diskutim origjinalitetin e klipit. I goditur nga publikimi i videos së parë, Romnej nuk kërkoi falje, por tha vetëm se komentet e tij nuk ishin shumë “elegante”. Më pas u publikua videoja e dytë e tij e regjistruar fshehtas në takimin me donatorët e pasur, ku ai akuzoi palestinezët se nuk donin paqe. Videot ishin regjistruar në muajin maj në një takim për mbledhje fondesh. Fushata e tij duket se ka dalë jashtë linje tani. “Unë shoh se palestinezët nuk duan të shohin asgjëkund paqe, për arsye politike ata janë të angazhuar për shkatërrimin dhe eliminimin e Izraelit…”, thotë Romnej në regjistrimin e dytë të publikuar në revistën liberale “Mother Jones”.
Reagimi
Në një deklaratë për regjistrimet sekrete, Xhim Mesina, menaxheri i fushatës së Obamës, tha se “është shokuese që një kandidat për President i SHBA-ve bën një takim me dyer të mbyllura me donatorë të pasur dhe deklaron se gjysma e amerikanëve e shohin veten si ‘viktima’ me të drejtë lëmoshe dhe se nuk kanë dëshirë të marrin ‘përgjegjësi personale’ për jetët e tyre. Është e vështirë të shërbesh si President i të gjithë amerikanëve kur përçmon gjysmën e kombit”.
© Panorama.alObama “naiv”
Mit Romnej tha se “politika e jashtme e Obamës, për mendimin tim, është e formuar pjesërisht nga perceptimi se ai ka atë magnetizëm, sharm dhe bindje kaq konkurruese, sa ai mund të ulet me njerëz si Putin apo Çavez dhe Ahmadinexhad, dhe ata do të zbulojnë se ne jemi njerëz të mrekullueshëm dhe se ata do të shkojnë mirë me ne, nuk do të na bëjnë më gjëra të këqija. Dhe ky është një perceptim jashtëzakonisht naiv”.











