Skandali i Olldashit: Neni i kontratës: Monopoli vazhdon edhe pas 40 vitesh

Sep 8, 2011 | 10:01
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Olldashi

Afera Olldashi me monopolin e internetit merr një tjetër diapazon kohor.Kompania, që me firmën e ministrit të Transporteve ka marrë lejen për shfrytëzimin ekskluziv të rrugëve për shtrimin e kabllove optikë, do ta gëzojë këtë të drejtë edhe pas afatit rekord 40-vjeçar. Gazeta zbulon se në shtojcën që shoqëron urdhrin për lidhjen e kontratës me firmën “Albanian Telecommunication Union”, ekziston një klauzolë, e cila mund ta shtyjë këtë afat sërish. Pra, Olldashi në urdhrin e tij 120 jo vetëm që ka krijuar monopol në këtë treg, por ka krijuar kushtet ligjore që ai të zgjatet më shumë se 40 vite, duke u bërë kështu unik në fushën e koncesioneve. Neni 16 i shtojcës, që shoqëron urdhrin, ka edhe një tjetër paragraf të habitshëm. Firma, pas përdorimit ekskluziv të rrugëve për shtrimin e fibrave optike, mund edhe t’i shkatërrojë ato. Ndryshe nga të gjithë koncesionet, që pas përdorimit për një kohë të caktuar kalojnë në shërbim të shtetit, në këtë rast firmës i lind e drejta ta shkatërrojë investimin.
Neni i habitshëm
Në nenin 16, të shtojcës së urdhrit Nr. 120 të ministrit Olldashi, përcaktohet kohëzgjatja dhe pasojat e tjera të saj kontrate. “Kjo leje ka një afat vlefshmërie prej 20 vitesh duke filluar nga dita e nënshkrimit të saj, por për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe kostos së vëtëshlyerjes së tij, ripërtërihet automatikisht sipas këtyre kushteve dhe këtij teksti edhe për një periudhë tjetër 20-vjeçare”. Pra, pika e parë e nenit 16 i krijon kushtet për një afat minimal 40-vjeçar. Leja është firmosur më 23.08.2010 dhe, sipas kësaj pike, vazhdon deri në 23.08.2050. Por, nuk mbaron me kaq. Pika e dytë e kësaj pike i jep të drejtë firmës që, pas 40 vitesh përdorimi të rrjetit, t’ia dhurojë atë shtetit, ose “të vijojë të disponojë 2 linjat e tij + 4 linjat e lira, kundrejt pagesës vjetore të parashikuar në këtë leje edhe për një afat tjetër, nëse tregu nuk ka ndryshuar dhe këto tarifa nuk janë mbi mesataren e tregut. Kur tregu ka ndryshuar në favor të përdoruesve dhe efektet e tij cenojnë pa të drejtë të ardhurat e shtetit, Ministria, sipas kësaj lejeje gëzon të drejtën të rrisë deri në 25% tarifat vjetore vetëm për dy linjat e lira, ndërsa me subjektin “Albanian Telecommunication Union” vijon të mbajë në të njëjtin nivel tarifën 4% të ardhura në vit. Përkthimi i kësaj pike është i qartë. Pas vitit 2050, firmës ATU i lind e drejta që ta zgjasë sërish edhe për një afat tjetër (të papërcaktuar) shfrytëzimin e rrugëve kombëtare. Me pak fjalë, pas vitit 2050, sërish fibrat optike do të jenë monopol i kësaj firme. Në rastin më të keq, ajo nuk do të paguajë 4 për qind të xhiros, por 5 për qind.
E drejta e shkatërrimit
Duket paradoksale por vërtetësinë ia jep firma e Olldashit. Ministri i Transporteve jo vetëm që i ka dhënë ekskluzivitetin për më shumë se 40 vite firmës ATU, por edhe të drejtën të shkatërrojë gjithçka pas kësaj periudhe. Neni i habitshëm i shtojcës së udhëzimit thotë shprehimisht se, pas vitit 2050, firma mund ta shkatërrojë të gjithë investimin. Sipas nenit, subjekti ATU 1 vit para përfundimit të kontratës gëzon të drejtën: “Të heqë rrjetin e fibrave optike nga aksi rrugor kombëtar dhe ta kthejë aksin në gjendjen e mëparshme”. Ndryshe nga të gjithë koncesionet, që i japin të drejtën e shfrytëzimit të të mirave të shtetit për një farë kohe, dhe më pas i gjithë investimi kalon në favor të shtetit, kjo leje e Olldashit i jep të drejtën firmës ta shkatërrojë investimin. Nuk dihet pse u jepet kjo e drejtë, por sigurisht që në këtë kontratë të habitshme çdo nen mund të mahnitë këdo.

Çfarë thuhet në kontratë

Neni 16- Kohëzgjatja dhe pasoja të tjera

Faksimile e nenit të kontratës që lejon zgjatjen e monopolit edhe pas 40 vitesh.

a) Kjo leje ka një afat vlefshmërie prej 20 vjetësh, duke filluar nga dita e nënshkrimit të saj, por për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe kostos së vetëshlyerjes së tij, ripërtërihet automatikisht sipas këtyre kushteve dhe këtij teksti edhe për një periudhë tjetër 20-vjeçare.
b) Subjekti “Albanian Telecommunication Union”, 1 vit para përfundimit të afatit të shkronjës a (40 vjet), gëzon të drejtën të zgjedhë dhe i komunikon Ministrisë me shkrim një nga mënyrat si vijon:
i) Të heqë rrjetin e fibrave optike nga aksi rrugor kombëtar dhe ta kthejë aksin në gjendjen e mëparshme:
ii) T’ia dhurojë rrjetin në gjendjen që është pa kundërshpërblim Shtetit apo;
iii) Të vijojë të disponojë dy linjat e tij + 4 linjat e tjera, kundrejt pagesës vjetore të parashikuar në këtë leje dhe për një afat tjetër, nëse tregu nuk ka ndryshuar dhe këto shifra nuk janë mbi mesataren e tregut. Kur tregu ka ndryshuar në favor të përdoruesve dhe efektet e tij cenojnë pa të drejtë të ardhurat e shtetit, Ministria sipas kësaj lejeje gëzon të drejtën të rrisë deri në 25 për qind tarifat vjetore vetëm për linjat e lira, ndërsa vijon me subjektin “Albanian Telecommunication Union” të mbajë në të njëjtin nivel tarifën 4 për qind të ardhura në vit.

Monopoli

Gjatë vitit 2009, Drejtoria e Rrugëve kishte dhënë katër firmave të drejtën për të ndërtuar anës rrugëve kombëtare kanale për shtrimin e fibrave optike. Me katër vendime të një dite, ministri Olldashi vendosi të bëjë nul të katër kontratat, duke argumentuar vendimin e tij për mungesë konkurrence. Tetë muaj më vonë, i njëjti ministër vendos të japë vetëm për një firmë të drejtën e hapjes së të gjithë rrugëve kombëtare dhe shtrimit të fibrave optike për një afat 40-vjeçar e me të drejtë shtyrjeje. E drejta është ekskluzive, pra detyron qeverinë dhe të gjithë shtetin të mos japë të drejta të tjera të njëjta në rrugët kombëtare.

Interneti

Shtrimi i fibrave optike në të gjitha rrugët kombëtare bën të mundur që të arrihen të gjitha pikat kufitare të vendit. Duke ditur se lidhjet e internetit vijnë nga jashtë, atëherë vendimi i Olldashit bën që e gjithë e drejta e furnizimit me fibra optike të internetit në vend t’i jepet një firme. Lista e rrugëve që përdor firma e vetme, arrin në pikat kufitare me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Pas kësaj, firma mund të shesë e vetme të drejtën e shpërndarjes së internetit në vend. Duke qenë se teknologjia e informacionit po bëhet vazhdimisht më e domosdoshme për industrinë në vend, atëherë kjo kontratë merr vlera të mëdha financiare.

Afera, Olldashi: botuesi i gazetës më bën shantazh

Dy ditë pasi gazeta publikoi me dokumente krijimin me firmën e Olldashit të monopolit në tregun e fibrave optike, ka reaguar ministri i Punëve Publike dhe Transporteve.Në një dalje publike, Sokol Olldashi e ka quajtur publikimin e fakteve nga gazeta si një shantazh që i bëhet atij si ministër nga pronari i gazetë “Panorama”, për shkak të zbulimit të një ndërtimi jashtë kushteve ligjore. Por, administruesit e ndërtimit në fjalë tregojnë me dokumente të gjitha lejet e ndërtimit që duhen për të ngritur objektin. Nga ana tjetër, gazeta ka zbuluar dokumentin që tregon qartë se sulmi ka filluar më datë 6 shtator, pas botimit të skandalit.
Olldashi
Olldashi ka treguar para gazetarëve se Inspektorati Kombëtar Urbanistik, gjatë një kontrolli rutinë në komunën e Dajtit, ka konstatuar disa ndërtime që “ishin jashtë kushteve ligjore”. “Një ndër këto ndërtesa është një pallat i saponisur në kushte tërësisht të paligjshme, në një territor që nuk figuron as në vijën e verdhë të bashkisë Tiranë, as në vijën e verdhë të komunës Dajt, por që gjendet në tokë bujqësore, pa një plan rregullues e pa një studim pjesor”. Sipas ministrit, ndërtimi po bëhet nga grupi “Egnatia”, që ka si pronar të vetëm zotin Irfan Hysenbelliu, pronar i gazetës “Panorama” dhe i grupit mediatik ‘Fokus”, ku bën pjesë “Gazeta Shqiptare” dhe televizioni “News 24”. Ministri i akuzuar për aferën e internetit ka bërë lidhje direkte mes fakteve të botuara nga gazeta dhe kontrollit në godinën që po ndërtohet pranë komunës Dajt. Sipas tij, gazeta ka nisur të botojë shkrimet një ditë pas kontrollit të kryer nga Inspektorati. “E ritheksoj, kontrolli rutinë u bë më datë 5 shtator. Menjëherë të nesërmen dhe në vijim, nga gazeta në posedim të z.Hysenbelliu ka nisur një fushatë denigrimi, shpifjesh të pavërtetash kundër ministrit të Punëve Publike, personalisht kundër Sokol Olldashit. Fushata e shpifjeve, që nisi menjëherë në organet le të themi të këtij ndërtuesi, e cila më shumë i ngjan një shantazhi, do doja ta thosha para jush që nuk ka asnjë shans të funksionojë. Nuk ka asnjë shans që me fushata të tilla, që i ngjajnë shantazhit me shpifje të tilla, të mund të kërcënohet një institucion: qoftë Inspektorati, qoftë institucioni i ministrit të Punëve Publike”, ka nënvizuar Olldashi.
Mashtrimi
Por dokumentet tregojnë se ministri Olldashi sërish nuk është i saktë në deklarimet e tij. Ai theksoi para gazetarëve se kontrolli është bërë më datë 5 shtator, por e vërteta është se kontrolli është bërë më datë 6 shtator, pas publikimit të skandalit nga gazeta. Urdhri i kryeinspektorit Gëzim Dauti  specifikon qartë se kontrolli në komunën Dajt do të bëhet nga data 6 shtator deri më datë 15 shtator. Pas këtij fakti, që tregohet qartë në dokument, nuk dihet se kush po bën shantazh, ministri me instrumentet e tij, apo gazeta me publikimin e aferave të dokumentuara.
Firma “Egnatia”
Por akuzave të Olldashit u është përgjigjur menjëherë Flavjan Shullani, administrator i Egnatia Group. “Ne kemi një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të komunës Dajt, të datës 25.1.2011 dhe një vendim në bazë të dokumentacionit të dorëzuar nga Egnatia Group, për pajisjen me leje ndërtimi në objektin e banimit dhe shërbimeve në Shkozë. Është pajisur me lejen e ndërtimit konform të gjitha rregullave dhe anës ligjore për sa i përket anës së dokumentacioneve. Shoqëria në momentin e kontaktimit me personat që janë pronarë të truallit, që nuk është tokë bujqësore por truall i lirë, ka marrë përsipër plotësimin me dokumentacionin konform rregullave në fuqi dhe, me marrjen e lejeve të ndërtimit, ka nisur punimet që kanë arritur në këtë fazë”.

© Panorama.al

Te lidhura