Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e ka cilësuar si “jashtëzakonisht të pafat” skandalin e korrupsionit që ka shpërthyer në sektorin e energjisë në Ukrainë, duke theksuar se autoritetet në Kiev duhet ta trajtojnë me seriozitet maksimal.
Deklarata e saj erdhi pas vendimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili kërkoi shkarkimin e dy ministrave të kabinetit mes hetimeve për një skandal të dyshuar korrupsioni me vlerë rreth 100 milionë dollarë. Skandali ka shkaktuar valë të re zemërimi publik ndaj qeverisë ukrainase.
“Ata po reagojnë me vendosmëri. Nuk ka hapësirë për korrupsion, sidomos tani. Bëhet fjalë për paratë e popullit, të cilat duhet të shkojnë në front”, – tha Kallas në një deklaratë nga takimi i ministrave të Jashtëm të G7-s në Kanada.
Ajo shtoi se është thelbësore që Kievi të veprojë shpejt dhe me seriozitet për të ruajtur besimin e publikut dhe mbështetjen ndërkombëtare.
© Panorama.al












