Dominik Shtraus Kan, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i arrestuar të shtunën në Nju Jork nën akuzat e përdhunimit të një shërbëtoreje në hotelin me 5 yje ku qëndronte, rrezikon vetëvrasjen.Ai është nën mbikëqyrje të rreptë nga mjekët e burgut “Rikers Island” në SHBA. Një nga mjekët e burgut vlerësoi se gjendja psikike e Shtraus Kan nuk është e mirë.
Kush është viktima
Shërbyesja në hotelin me pesë yje, “Sofitel”, është frankofone nga Guinea, e gjatë 1.80 m. Ajo është transferuar në Nju Jork dimrin e kaluar, ka marrë një leje të përhershme qëndrimi në SHBA shtatë vjet më parë dhe jeton në një apartament në Bronks. Sipas tabloidit “New York Post”, apartamenti bën pjesë në një kompleks me shtëpi të dhëna me qira për personat me HIV. Agjencia “Europe 1” raporton se personi i parë që ka kontaktuar ajo, ishte i vëllai. Ai është shprehur se nuk e kishte dëgjuar kurrë të fliste në atë gjendje dhe se e motra është një myslimane e mirë e, pasi ndodhi ngjarja, është transferuar në një vend “sekret” në Nju Jork. 32-vjeçarja është e ve, nëna e një vajzë 15-vjeçare, quhet Nafisatu Dialo, por thirrej Ofeli sipas “Le Figaro”. Avokati i saj është shprehur se gruaja nuk do ta rrezikonte kurrë vendin e punës, prandaj ka qenë në mëdyshje të mëdha për raportimin e krimit.
Prova
Prokurorët thanë se ata kanë prova fizike, përfshirë ekzaminimin e një mjeku të viktimës 32-vjeçare, të marrë menjëherë pas incidentit, i cili tregon tentativë përdhunimi. Skandali e ka çorientuar skenën politike franceze, pasi Shtraus Kan ishte një kandidat shumë i fortë për të mundur presidentin francez, Nikolas Sarkozi, në zgjedhjet e ardhshme, në 2012-n. Ngjarja po ndodh në një periudhë kritike për FMN-në, që është përfshirë në negociata delikate për të ndihmuar kapërcimin e krizës së euros në eurozonë.
Avokati kundër
Dje, në seancën e Gjykatës Penale në Manhatan, Nju Jork, një prej avokatëve të Shtraus Kan, i famshmi Benjamin Brafman që liroi nga akuzat për pedofili Majkëll Xheksonin, tha se provat e gjykatës nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar një raport seksual të dhunshëm. Avokati insiston se ai nuk u përpoq të largohej nga vendi pas pretendimit për sulm.
Lufta mediatike
“New York Times”, “Time” dhe shumë emra të mëdhenj të mediat amerikane kanë bërë komente mjaft kritike pas reagimit të indinjuar të medias dhe intelektualëve francezë, kundër trajtimit mediatik dhe gjyqësor për figurën e fortë të socialistëve francezë. Media franceze ka qenë e unifikuar në kritikat kundër fotove të Dominik Shtraus Kan, të prangosur, të cilat në Francë konsiderohen se ndikojnë në procesin gjyqësor. Por, në SHBA janë dënuar ashpër veset e “të fuqishmëve” dhe rasteve të vështira për të hetuar, sidomos kur është në lojë dëshmia e një emigranteje me ngjyrë, kundër një prej tre njerëzve më të fuqishëm të botës. “Ajo që francezët nuk dinë ende mbi seksin” apo “Veset e pleqve pisanjosë”, ishin disa nga tituj e gazetave më të mëdha. Mediat në Francë kanë mbajtur heshtje për rastin e Shtraus Kan, duke raportuar në mënyrë të rezervuar për të. Në “Daily Beast”, në mbrojtje të viktimës është pozicionuar edhe akademikja Laila Lalami, e cila kritikoi sistemin gjyqësor në Francë dhe kujtoi se Franca është vendi që la të lirë me garanci Hanibal Gedafin, pasi ai kishte rrahur për vdekje gruan e tij shtatzënë në një hotel në Paris.
Viktima, dëshmitare në gjyq
Shërbyesja, e cila akuzon për sulm seksual kreun e FMN-së, Dominik Shtraus Kan, do të dëshmojë kundër tij, duke refuzuar çdo opsion që akti seksual mes tyre të ketë qenë konsensual. Avokati i saj, Xhef Shapiro, u shpreh se “nuk ka asgjë konsensuale mbi atë që ka ndodhur në atë dhomë hoteli”. “Unë besoj se kur juria ta dëgjojë dëshminë e saj dhe ta shikojë atë personalisht, them se do të binden që deklaratat e mbrojtjes për seks konsensual nuk janë të vërteta”. 32-vjeçarja, nënë beqare për të cilën Shapiro tha se po jeton në një “traumë” të jashtëzakonshme”, pretendon se Shtraus Kan e ka mbyllur atë në suitën e tij në hotel dhe e ka detyruar me forcë të kryenin seks oral. Shtraus Kan, një nga njerëzit më të fuqishëm të botës, i ka mohuar shtatë akuzat që përfshijnë sulm seksual dhe tentativë përdhunimi.
Qëndrimi i SHBA-së
Kreu 62-vjeçar i FMN-së është nën presion dorëheqjeje. Ai është fotografuar me pranga duke u larguar nga stacioni i policisë, i barabartë me të gjithë kriminelët e tjerë. Procedurat për të vendosur nëse provat do të mjaftojnë për ta mbajtur atë brenda, janë sekrete. “Qartësisht ai nuk është më në gjendje të drejtojë FMN-në”, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Geithner, në komentin e parë publik.
Varianti i komplotit
Në Francë, Shtraus Kan vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë. Shumica beson se gjithçka e ngritur kundër tij ishte një komplot dhe ai mbetet një viktimë. Këtë, sipas një sondazhi, e beson 57 për qind e francezëve. Studiuesi politik, Stefane Rozes, tha për AFP-në se francezët besojnë ose në një komplot, ose se ish-ministri i tyre i Financave nuk është mirë mendërisht. Shtraus Kan ishte kandidati më i fortë kundër presidentit Nikolas Sarkozi për zgjedhjet e ardhshme.
© Panorama.al











