Skandali i arbitrave në Inter-Juventus

Sep 27, 2011 | 12:20

Dalin në dritë fakte të reja sa i përket procesit “Calciopoli” në Itali. Avokatët mbrojtës të ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luçiano Moxhi, kanë publikuar një regjistrim që përfshin disenjatorin e arbitrave të Serisë A, Paolo Bergamo, si dhe gjyqtarin që arbitroi takimin Inter-Juventus, më 28 nëntor të vitit 2004. Në bazë të provave kuptohet se zyrtari i Federatës Italiane të Futbollit ka ndikuar tek arbitri i ndeshjes që ky të favorizojë zikaltrit në përballjen me bardhezinjtë. Këto prova do të shqyrtohen nga Gjykata e Napolit në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme. “Zonja e Vjetër” pretendon që t’i rikthehen dy titujt e hequr nga Federata, për shkak të këtij skandali. “Nëse ke një dyshim, mendo më shumë për atë ekip që është pas në renditje, sesa për atë që qëndron përpara. Ka një diferencë prej 15 pikësh mes dy ekipeve”. Ky është një nga regjistrimet që Luçiano Moxhi publikoi në ditët e kaluara. Në telefon, më 28 nëntor të vitit 2004, tri orë nga nisja e ndeshjes Inter-Juve, është disenjatori i arbitrave, Paolo Bergamo, ai që i drejtohet arbitrit Paskuale Rodomonti. Bergamo është regjistruar teksa i jep edhe një “këshillë miqësore” gjyqtarit, që të bëjë zgjedhjen që i kërkohet, përndryshe do të humbë. “Bëj ndeshjen tënde dhe, nëse të them mendimin tim, në këtë moment, nëse ke një dyshim, mendo më tepër për ekipin që ndodhet pas, sesa për atë që është para. Më dëgjo për këtë. Është diçka që ngelet mes meje dhe teje. Tregohu i zgjuar”.

© Panorama.al

Te lidhura