Skandali, FIFA kërkon prova

May 12, 2011 | 9:35

Pas akuzave të Anglisë lidhur me akuzat ndaj zyrtarëve të FIFA-s për “përfshirje në afera korruptive” në dëm të kandidaturës “Angli 2018”, organizmi i qeverisë botërore të futbollit ka kërkuar prova të menjëhershme. Ish-presidenti i Federatës angleze dhe i kandidaturës angleze për organizimin e Botërorit 2018, Lord Trisman, akuzoi përpara Ministrisë së Sportit dy ditë më parë se zv/presidenti i FIFA-s, Xhek Uorner dhe, 3 anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni i kishin kërkuar ryshfet në këmbim të votës për “Angli 2018”. Ndërkohë, dy anëtarë të tjerë akuzohen se kanë paguar për të votuar ofertën e “Katar 2022”. Jo më larg se dje, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, ka kontaktuar me Federatën angleze për t’u kërkuar prova për akuzat e ish-funksionarit më të lartë të saj. Po dje, ka reaguar dhe ministri britanik i Sporteve, Hjug Robertson, i cili tha për BBC-në se një skandal i tillë mund të minojë përfundimisht marrëdhëniet e Anglisë me FIFA-n. “Ka një dëshirë nga ana jonë për të punuar në ndryshimet e brendshme të FIFA-s. Në rast se ata nuk dëshmojnë vullnet për ta bërë këtë, atëherë unë do të thosha se të gjitha opsionet janë mbi tavolinë”. Me këto fjalë ministri lë të hapur mundësinë e mospjesëmarrjes së Anglisë në kompeticionet ndërkombëtare futbollistike.

Ndryshimet

Task Forca e FIFA-s, e mbledhur një ditë më parë në Zyrih, ka vendosur që për Botërorin e ardhshëm të bëjë ndryshime rrënjësore në rregulloren e futbollit. Mes rekonamdimeve bërë nga anëtarët e strukturës më të re të FIFA-s, ky mekanizëm vendosi heqjen e kohës shtesë (ekzekutimin e penalltive pas 90 minutave) në turnetë ndërkombëtarë të moshave. Por Task Forca rekomandoi gjithashtu heqjen e “ndëshkimit të trefishtë” (penallti, karton i kuq, dhe pezullim) në rast faulli brenda zonës. U rekomandua dhe lejimi i një zëvendësimi të 4-t pas 90 minutave në ndeshjet e Botërorit. Këto ndryshime pritet të vendosen së shpejti.

Polonia

Kryeministri polak, Don-ald Tusk, ka pranuar se vendi i tij mund të mos jetë gati të presë Europianin e vitit të ardhshëm, për sa kohë autoritetet dhe klubet e futbollit nuk ofrojnë sigurinë e nevojshme për tifozët nëpër stadiume. Tusk u takua dje me autoritetet e futbollit dhe pronarë të klubeve polake, që t’u bëjë presion në marrjen e masave të forta për përjashtimin e huliganëve nga stadiumet. Kryeministri tha se siguria në stadiume mbetet një prioritet pas ngjarjeve të dhunës që pamë në ndeshjen e kupës javën e shkuar. Policia arrestoi 26 huliganë, pas trazirave në takimin mes Legias së Varshavës dhe Leh Poznanit.

Çelsi

Mançesteri mund të jetë me të vërtetë një pikë larg titullit të 19-të kampion dhe Champions-it, por asnjë prej futbollistëve të “djajve” nuk është në 10 lojtarët më të paguar në planet. Klubi anglez, që pritet të hyjë në histori si më me shumë tituj në këtë vend, renditet i 16-ti për sa i përket nivelit të pagave në rang klubesh. Shifrat e revistës “ESPN” tregojnë se skuadra e Fergusonit renditet në vendin e 3-të, për sa u përket shpenzimeve për rrogat në Angli, me një mesatare javore prej 70 mijë eurosh në javë. Kjo listë kryesohet nga Çelsi, që paguan 81 mijë euro në javë dhe, Mançester Siti në vendin e 2-të, me 80 mijë euro.

© Panorama.al

Te lidhura