
Në të gjithë vendin janë mbi 10 mijë persona që përfitojnë në mënyrë abuzive me statusin e invalidit apo të të verbërve. Ndër të tjera, kryesor është rimbursimi i energjisë elektrike në masën 80% nga qeveria. Vetëm në Tiranë numri i tyre është katër mijë veta. Pas denoncimeve të shpeshta publike, Shoqata e të Verbërve dhe ajo e Para dhe Tetraplegjikëve i janë drejtuar Prokurorisë. Ata kanë ngritur padi për abuzimet në listat e personave që kompensohen nga qeveria përsa i përket energjisë elektrike, por edhe karburanteve. Sipas presidentit të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj, përveç futjes në skemë të personave që nuk duhet të jenë pjesë e saj, problem mbetet edhe rinovimi i librezave të energjisë elektrike, ku figurojnë si përfitues njerëz që nuk janë më në jetë. “Çdo vit kemi rreth 6-8% vdekje në grupin e personave me aftësi të kufizuara. Nga kompania ‘CEZ’, vitet e fundit librezat nuk janë rinovuar dhe përfitojnë familjarët. Kjo është e padrejtë në raport me të tjerët”, sqaroi për gazetën Sinan Tafaj. Sipas tij, u takon organeve të Drejtësisë tashmë të bëjnë pjesën e tyre dhe të verifikojnë këto lista në mënyrë që edhe buxhetit të shtetit t’i kursehen para që nuk shkojnë në destinacionin e duhur. “Buxheti i shtetit është stërfryrë dhe ne dyshojmë se nga këto lloj abuzimesh qeveria nuk do të mundë të orientohet për të gjetur dhe goditur korrupsionin dhe abuzivizmin, por do të marrë masa shkurtimi. Aty ka edhe firma, edhe biznese, edhe personalitete, të cilat duhen verifikuar”, tha Tafaj. Ai theksoi se listat duhen kontrolluar me imtësi dhe verifikuar për të evituar abuzimet. Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe Shërbimi Social Shtetëror, ku personat me aftësi të kufizuara pajisen me librezën përkatëse. Sipas drejtuesve të tij, skema po verifikohet duke bërë ballafaqim me listat e CEZ-it. Shërbimi social shtetëror nuk e përjashton mundësinë e falsifikimeve, pasi çdo vit zbulohen qindra raste të abuzimeve. Listat e personave me aftësi të kufizuara vijnë nga njësitë vendore. “Dosjet vijnë nga njësitë e pushtetit vendor dhe më pas kalojnë në komision. Është një ekip ekspertësh si për verbërinë, ashtu edhe për para dhe tetraplegjinë, të cilët vlerësojnë shkallën e sëmundshmërisë së personit, i cili paraqitet për t’u komisionar”, thonë krerët e këtij inspektorati. Nga të dhënat zyrtare, persona të verbër, vetëm për 9 muajt e këtij viti, janë 11 560 persona, të cilët kanë përfituar nga ky status. Para dhe tetraplegjikë janë 5545 persona. Përfaqësues të shoqatave të aftësive të kufizuara në Shqipëri numërohen rreth 15 mijë persona me aftësi të kufizuara, ndërkohe që nga kompensimi i energjisë elektrike përfitojnë 25 mijë persona. Abuzime të tilla janë konstatuar edhe në përfitimet e karburantit.
15 mije
persona me aftësi të kufizuara rezultojnë të regjistruar sipas rregullave, ndërkohë që nga kompensimi i energjisë elektrike përfitojnë 25 mijë persona.
4 mije persona përfitojnë vetëm në Tiranë në mënyrë abuzive karburant dhe energji. Shoqatat disponojnë listat e përfituesve, të cilat nuk përkojnë me ato reale. Për këtë arsye, përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara kanë vendosur t’i drejtohen Prokurorisë.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











