Skandalet e Ballukut për abuzimet me tenderat, Jorida Tabaku: Zv.kryeministrja duhet të japë dorëheqjen! Përgjegjësia është e qeverise

Nov 22, 2025 | 18:21

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, foli sot në emisionin “Kjo Javë” në News24, lidhur me rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për abuzime me tendera.
Tabaku tha se Balluku duhet të japë dorëheqjen. Ajo tha se dorëheqjen duhet ta japë edhe kryeministri Rama, pasi sipas saj Balluku nuk ka vepruar e vetme.

Tabaku tha se nuk e sheh çështjen Balluku si përgjegjësi te disa punonjës që ndajnë tenderat.

“Në këtë rast përgjegjësia është politike, morale, është e qeverisë, por është edhe ligjore”, tha demokratja.

Jorida Tabaku: Unë mendoj se në planin personal është në momentin më të vështirë. Në profilin si politikan duhet të kishte vendosur një standard si dorëheqja që në këtë qeveri nuk ekziston, e një zvkryeministre që i hap rrugë drejtësisë, të vendoste standardin e transparencës. Ndodhemi në një moment që sinjali që duhet të jepet është që duhet të kemi frikë nga ligji, por ato që lexova nga dosja, duket se nuk ka patur fare frikë nga ligji.

Balluku menaxhonte gjysmën e buxhetit të shtetit, kontrata qindra milionëshe, të cilat i kemi denoncuar dhe jemi sulmuar  në Kuvend, pse i denoncojmë. Morali politik do ta kërkonte që të jepte dorëheqjen, në të kundërt ajo erdhi dhe sulmoi opozitën.

Kjo për mua është e pakonceptueshme. Një gjë që që kam mësuar këtë vit është kompromisi i fjalës dhe unë nuk bëj kompromis me fjalën. Kam bërë reagimet e mia, kam kërkuar dorëheqjen, Balluku ka qenë te komisioni hetimor për inceneratorët….Fundin e kësaj historie e shoh me dorëheqjen e zotit Rama, sikurse me inceneratorët. Përgjegjësia është politike, morale, e qeverisë por dhe ligjore.

Kujtojmë se GJKKO konfirmoi sot pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastruktures.

Gjithashtu, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është lënë në fuqi masa “arrest shtëpie”.

E para që u largua nga ambientet e GJKKO-së ishte Belinda Balluku, e cila vendosi të kyç gojën para mediave.

Menjëherë pas saj është larguar edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, që gjithashtu nuk foli për gazetarët.

“Belinda Balluku patjetër do të ankimojë masën sepse nuk mund të paraqitet në zyrë. A do të japë dorëheqjen dhe nëse jo, a do e shkarkojë Kryeministri? Dhe pyetja tjetër është se çfarë do të vendosë Kushtetuesja”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.

SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orës pas gati 40 minutash. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.

Ajo u largua rreth orës 14:40, ku gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë.

Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.

Vendimi i GJKKO:

  1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
  • Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
  • Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
    Tiranë, më datë 22.11.2025
    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

© Panorama.al

Te lidhura