Shtatë vjet pas atentatit të bujshëm te “Xhamlliku” në Tiranë, ku u ekzekutua ish-polici Santiago Malko, hetimet dhe procesi ndaj personave të përfshirë si grup krimina po vijon.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar sot masën e sigurisë për të pandehurin Ilir Selmani, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së Malkos, e ndodhur në muajin gusht të vitit 2019.
Apeli i GJKKO-së njofton se ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Trupa gjykuese ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Selmanit nga ambientet e paraburgimit dhe shoqërimin e tij drejt banesës private në Tiranë, ku do të vuajë masën e re të sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pandërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë”, thuhet në disponimin e Gjykatës së Apelit.
Për atentatin u akuzua “Klani Duka” dhe motiv u dyshua hakmarrja për një dhunim që ish-polici i kishte bërë babait të dy vëllezërve Duka.
SPAK pati të pandehur dhe të hetuar të paktën 13 persona të përfshirë në organizimin dhe finalizimin e vrasjes, një pjesë e madhe e të cilëve tashmë të dënuar.
© Panorama.al













