
Agjencia franceze që kontrollon bastet në internet (ARJEL), të enjten ka nisur hetimet për ndeshjen Dinamo Zagreb-Lion, mirëpo disa orë më vonë tha se nuk gjeti ndonjë “anomali” në bastet e vëna për këtë ndeshje, e cila u mbyll 7-1 për Lionin. Uebfaqja holandeze “Elfvoetbal” ka njoftuar se Lioni i ka paguar Dinamos 2.1 milionë funte (2.5 milionë euro) për të lëshuar ndeshjen. “Dyshohet se Lioni i ka paguar 2.1 milionë euro Dinamos për të shënuar fitore të thellë. Po ashtu, ka fjalë se edhe drejtori i klubit, Zoran Mamiç, është i përfshirë në gjithë këtë”, shkruan “Elfvoetbal” të enjten. Dinamo e humbi këtë ndeshje me rezultatin 7-1, me çka i mundësoi Lionit të kualifikohet në 1/8-at e finales së Champions-it. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi 1-1, ndërsa gjashtë gola u shënuan në 30 minutat e fundit. Arsye tjetër për dyshim ishte edhe fakti se pas shënimit të golit të pestë, mbrojtësi i Dinamos, Domagoj Vida, ia kishte bërë me sy sulmuesit francez të Lionit, Bafetimbi Gomis. Para ndeshjes së fundit të fazës grupore, Ajaksi ishte në pozitën e dytë me 8 pikë dhe golavarazh 6-3, ndërsa Lioni ishte i treti me pesë pikë dhe golavarazh 2-6. Lionit i duhej që të përfundonte me golavarazh më të mirë dhe me pikë të barabarta. Kjo ndodhi. Ajaksi e humbi ndeshjen në shtëpi nga fituesi i grupit Real Madrid me rezultatin 3-0 ndaj Realit, ndërsa Lioni fitoi me rezultatin 7-1. Në të vërtetë Ajaksit iu anuluan dy gola në ndeshje me Realin, derisa te sfida Dinamo-Lion ishte skuadra kroate që kaloi e para në epërsi me anë të Mateo Kovaçiçit. Topi Kovaçiçit i erdhi pas dy tentativave radhazi të sulmuesit kosovar Fatos Beqiraj. Skuadra kroate nga minuta e 28-të mbeti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Jerko Lekos. Skuadra holandeze Ajaks ka dërguar një ankesë në UEFA, ku në mesin e tyre ka përmendur edhe gjestin e Vidas pas shënimit të golit të pestë nga ana e Lionit. Dy gola i janë anuluar Ajaksit pa kurrfarë arsyeje. Po ashtu, është parë se futbollistët e Dinamos kanë pushuar dhe nuk kanë luajtur fare. Është befasi se si francezët nuk kanë festuar pas golit të gjashtë dhe të shtatë të tyre. Sikur të dinin se do të shënonin. Po ashtu, edhe gjesti i Vidas në drejtim të Gomisit pas rezultatit 5-1 është për t’u marrë si provë”, thuhet në arsyetimin e Ajaksit. Dyshime për këtë ndeshje ka edhe trajneri i Ajaksit, Frenk de Bur. “Ndihmësi im më tha se golat e Lionit në pjesën e dytë në Zagreb janë shënuar shumë lehtë. Është e pazakontë të shënohen gjashtë gola për gjysmë ore, veçanërisht në një garë të nivelit, siç është Liga e Kampionëve. Nëse në Maksimir ka ndodhur diçka e dyshimtë, atëherë UEFA duhet të hetojë”, ka thënë trajneri i Ajaksit, Frank de Bur.
Lioni/ Ola akuzon median spanjolle
Media spanjolle ka qenë ajo që ka bërë zbulimet e para me anë të studimit të videove mbi syrin e shkelur të mbrojtësit të Dinamos së Zagrebit, Vida, kundrejt sulmuesit të Lionit, Gomis. Mbi këtë argument, presidenti i klubit francez, Zhan-Mishel Ola, ka akuzuar ashpër spanjollët. “Media iberikase po na sulmon, duke u hakmarrë mbase për deklaratën e para disa javëve të lëshuar nga Janik Noah (ish-tenist francez, që akuzoi se spanjollët janë përdorues të rregullt të dopingut). Unë personalisht nuk arrij ta kuptoj gjithë këtë skenar që spanjollët kanë ngritur kundër nesh, sepse personalisht nuk kam parë asgjë të parregullt në fitoren tonë”.
Injorimi
Në Francë ekziston prej disa vitesh një organizëm i anti-trukimeve, i quajtur “ARJEL”, i cili menjëherë pas dyshimeve të ngritura nga media ka nisur punën për të tentuar zbardhjen e një rezultati të paracaktuar në sfidën Dinamo Zagreb-Lion 1-7. Edhe pse ekzekutivi i futbollit europian, UEFA, ka injoruar hetimin e ndeshjes, “ARJEL” ka hapur një dosje në lidhje me këtë takim, duke kërkuar edhe ndihmën e Policisë Kriminale franceze, por njëkohësisht, edhe atë të Interpolit. Në këtë mënyrë, do kërkohet t’i jepet një përgjigje akuzave që klubi holandez i Ajaksit ka ngritur. Ky organizëm francez është i specializuar për kontrollin e basteve që luhen online.
Përgjigja e UEFA-s: Nuk do ta hetojmë ndeshjen
Edhe pse mund të duket e çuditshme, organi më i lartë i futbollit europian, UEFA, nuk do të hapë asnjë hetim lidhur me rezultatin 1-7 që Lioni arriti të regjistrojë në transfertën kroate kundër Dinamos së Zagrebit. Edhe pse shumë hije dyshime rëndojnë mbi këtë takim, mbase disa gjeste duken edhe si fakte konkrete, komiteti i djeshëm ekzekutiv i UEFA-s ka specifikuar se nuk do të ngrejë asnjë grup hetimi. Madje këtë takim nuk do ta regjistrojë as si të dyshuar, sepse nuk ka asnjë fakt që e konfirmon këtë gjë. Pavarësisht pamjeve dhe akuzave të ngritura brenda 24 orëve të fundit, krerët e këtij organi kanë kërkuar dhe kanë gjetur informacione nga kompanitë e basteve më të mëdha në botë, lidhur me lëvizjet financiare të mundshme të këtij takimi. Shifrat kanë qenë më se normale, madje edhe nën të, duke u nisur nga fakti që një takim i tillë vlente kualifikimin për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Dhe mbi bazën e tabulateve financiare të marra në dorëzim, këshilli ekzekutiv i drejtuar nga presidenti Mishel Platini ka vendosur se mbi takimin Dinamo Zagreb-Lion 1-7 (nuk ka asnjë hije dyshimi për të hapur një hetim, pavarësisht golave të shumtë dhe ndonjë thashethemi të ngritur”. Mesa duket, UEFA-s nuk i ka interesuar as syri i shkelur i mbrojtësit të Dinamos, Domagoj Vida, kundrejt sulmuesit të Lionit, Bafetimbi Gomis, pas golit të pestë të shënuar nga Lisandro Lopez.











