Derbi, dhe i ke thënë të gjitha: gola, lojë sportive, grintë, por edhe dhunë e pashembullt në fund të ndeshjes. Në sfidën e djeshme Laçi-Kastrioti, ky term ka përligjur plotësisht vërtetësinë e saj, pasi përgjatë gjithë minutave të lojës në këtë ballafaqim ka pasur ritëm, raste, por edhe sportdashës të shumtë në shkallët e stadiumit. Duhet thënë se ndeshja kishte ditë që ishte përgatitur me kujdes. Në Laç njerëz të ndryshëm, por edhe nga stafi, vlerësonin kundërshtarin, cilësitë e futbollistëve miq, por në union shtonin se laçianët ishin skuadër që mund të merrte rezultat. Në fakt, deri në minutën e 90-të bardhezinjtë e Nevil Dedes ia kanë dalë të kryesonin, por pikërisht kur tabela elektronike tregonte se duhej të luheshin edhe 3 minuta shtesë, sulmuesi Inkango, ndër më të mirët në fushë, ka kërcyer fort me kokë në zonë duke barazuar shifrat. E pas kësaj minute nis “kasaphana”. Një furi personash invadojnë fushën dhe ushtrojnë dhunë të pashembullt ndaj arbitrave të ndeshjes.
Ngjarja Gjithçka ka precipituar në mënyrë të shëmtuar, pak para se të vinte vërshëllima e fundit e takimit. Në cep të fushës u pa presidenti i Laçit, Pashk Laska, i cili gati po u jepte urdhër mediave që të mbyllnin kamerat dhe të mos transmetonim. Shkaku i kësaj kërkese kishte të bënte me gjithçka që ndodhi pas vërshëllimës së tretë radhazi të Jeminit. Ndaj këtij të fundit u ushtrua dhunë e pashembullt, ku referuar pamjeve filmike, protagonisti kryesor dukej qartë që ishte presidenti i Laçit, Pashk Laska. Ky i fundit gjuan me grushte arbitrin, pas tij edhe pjesëtarë të tjerë të klubit laçian bëjnë të njëjtën gjë, aq sa viktima të rastit u bënë edhe lojtarët e Kastriotit, si dhe policët. Fusha e stadiumit të Kurbinit, për të paktën dhjetë minuta, u kthye në një arenë ringu, ku secili mundohej të mos binte pre e “furisë” së laçianëve. Policët ndërkaq ndërhyjnë menjëherë duke u munduar të mbrojnë “xhaketat e zeza”, duke i shoqëruar në dhomat e zhveshjes dhe më pas edhe jashtë qytetit.
Ndeshja
Laci-Kastrioti 1-1
GOLAT Buljan 45′/ Inkango 90′
LAÇI: Vashaku, Doku, Xhafa, Buljan, Milenkoviç, Sefgjini, Vucaj (Shazivari 46′), Kastrati, Zefi (Lloga 59′), Selimi, Emurllai Trajner: Nevil Dede
KASTRIOTI: Halilaj, Caca, Grami (Xhihani 71′), Malakarne, E.Xhafa, Muçollari, J.Sefa, Alikaj (Dragoi 68′), Inkango, Turdiu, Plaku. Trajner: Ramazan Ndreu
KARTONË TË VERDHË: Doku 50′, Rexha 82′/Caca 69′, E.Xhafa 25′, Plaku 33′
GJYQTARET: L.Jemini, R.Avdo, E,Barushi
Takimi nisi i bukur dhe me raste nga të dyja skuadrat. Emurllai për vendësit dhe Inkango për miqtë janë dy lojtarët më të lëvizshëm në fushë dhe ata që u krijojnë më tepër probleme mbrojtjeve kundërshtare. Madje, në të minutën e 27- të Emurllai shënon, por menjëherë anësori anulon golin për pozicion jashtë loje. Kulmi do të vijë në të 40-ën, kur Selimi godet një top për në këndin e largët të portës krutane. Këtë herë është trau që nuk lejon të festohet. Për të ardhur në minutën e parë shtesë, nga dy të tilla që kryesori Jemini ka akorduar për këtë pjesë loje. Goditje dënimi, në afërsi të këndit të majtë të sulmit kurbinas, topi goditet nga Emurllai dhe në zonë Buljan gjuan duke shënuar. Fraksioni i dytë do të nisë me miqtë që vihen në kërkim të golit, dhe në minutën e 65-të Plaku depërton brenda zonës, ndërsa i vetëm përballë Vashakut ka humbur rastin ideal për të barazuar. Miqtë lënë pas skemat dhe hidhen tërësisht në kërkim të golit të barazimit. Në një aksion të mirorganizuar nga Muçollari, topi kalon në të djathtë të sulmit mik për të përfunduar në formë krosi në qendër, aty ku pret sulmuesi Inkango, i cili ka kërcyer me kokë duke shënuar në portën e Vashakut.
Dhuna
Jemini me sy të nxirrë, shoqërohet me policë
Arbitri ndërkombëtar, Lorenc Jemini ka dlë i gjakosur nga stadiumi i Laçit. Sipas informacioneve, ai ka një sy të nxirë nga grushtet dhe dhuna e ushtruar ndaj tij. Arbitri nuk ka pranuar të lërë asnjë deklaratë lidhur me atë që ka ndodhur në fushë, ndërkohë, që duhet thënë se “xhaketat e zeza” janë shoqëruar nga momenti u dhunës ndaj tyre e deri në dalje të qytetit të Laçit nga forca të shumta policie. Frika e dhunës së mëtejshme ka bërë që drejtoria policisë së këtij qyteti, të marrë në mbrojtje jo vetëm arbitrat por edhe zyrtarët e tjerë të ndeshjes si dhe lojtarët dhe zyrtarët e skuadrës së Kastriotit.
Precedentët
Rastet më flagrante të dhunës në kampionat
24.09.2006/ Vlorë – Drejtuesit e klubit Flamurtari uzurpojnë fushën e tyre pas dhënies së një penalltie për bregdetarët në ndeshjen Flamurtari-Teuta. KF Flamurtari dënohet me 3 ndeshje pezullim të fushës dhe 100 mijë lekë të rinj gjobë. 04.10.2006/ Peqin – Tifozët vendës sulmojnë presidentin e Partizanit, Albert Xhani, pas ndeshjes Shkumbini-Partizani. Goditen me shkelma e grushte edhe arbitrat Indrit Shima dhe Sokol Avdo. Fusha e Peqinit pezullohet për 6 ndeshje. 17.10.2006/ Devoll – Futbollistët e ekipit Gramozi, Ergi Xaka, Adriatik Kodra, Armand Caka, Ervis Ismolli, Hyserion Shupe dhe Evis Peçi ushtrojnë dhunë fizike ndaj arbitrave të ndeshjes Gramozi-Bylisi. Futbollistët pezullohen për 3 vjet, klubi përjashtohet nga kampionati dhe zbret një kategori më poshtë.
10.11.2006/ Burrel – Drejtuesit e klubit të Burrelit ushtrojnë dhunë mbi shefin e arbitrave të FSHF-së, Sulejman Mema, arbitrin e ndeshjes Burreli-Erzeni, Mentor Sopjani, si dhe trajnerin e Erzenit, Hysen Dedja. Klubi përjashtohet nga kampionati.
11.11.2006/ Poliçan – Në takimin Poliçani-Bylisi futbollistët dhe stafi i skuadrës ballshiote u goditën me mjete të forta dhe qyta pistolete nga drejtuesit dhe tifozë vendës. Dy futbollistë dhe zëvendëstrajneri ballshiot përfunduan në spitalin e Fierit. 09.02.2008/ Tepelenë – Dhunohen gjyqtarët e takimit Tepelena-Pogradeci. Kryesori Shkëlqim Balliu merr plagë në kokë pas hedhjes në fushë të sendeve të forta. Për shpërndarjen e tifozëve policia u detyrua të qëllonte me armë në ajër
01.03.2009/ Pukë – Luhet Tërbuni-Gramozi. Pas një goli të anuluar për vendësit, gjyqtari kryesor Mentor Sopjani është gjendur i rrethuar nga tifozët vendës, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij dhe ndihmësit. Nga kjo dhunë, të dy arbitrat kanë qenë në gjendje kritike për jetën. Klubi përjashtohet për 2 vjet nga të gjitha kompeticionet.
01.03.2008/ Sarandë – Në Butrinti-Memaliaj, lojtarët e Memaliajt janë dhunuar nga tifozët, aq sa portieri Ervin Merdani përfundoi në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Klubi përjashtohet për 2 vjet nga të gjitha kompeticionet.
19/11/2010/ Memaliaj – Në ndeshjen Memaliaj-Butrinti mbeti i plagosur futbollisti sarandjot Lulëzim Meta, pasi u godit nga tifozët të cilët invaduan fushën e lojës. Dhunë pati edhe ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Kështu, Memaliaj u përjashtua për dy vjet nga kampionati, ndërsa disa futbollistë u përjashtuan për 5 vjet nga të gjitha aktivitetet.
Laçi rrezikon përjashtimin nga kampionati
Çfarë thotë Kodi i Drejtësisë Sportive
Klubi i Laçit rrezikon që t’i thotë “lamtumirë” kampionatit të sivjetshëm të futbollit. Referuar rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit dhe më së shumti Kodit të Drejtësisë Sportive, me atë çka u pa qartazi në fushën e Laçit mendohet se Komisioni i Disiplinës, pasi të ketë shqyrtuar relacionin e arbitrave, do vendosë për dënimin ndaj klubit kurbinas. Për hir të së vërtetës duhet thënë se në ndryshime nga kodet e publikuara më parë nga FSHF, KDS-ja e 2010- 2011 lë shumë nene evazive dhe në dorë të Komisionit të Disiplinës. Kështu, në thuajse asnjë nen nuk përmendet shprehimisht fjala “dhunë” apo “invadim i fushës”, gjithsesi në nenin 66 qartëson disi rastet e dhunës sikundër dje në Laç. Sipas këtij neni “…personat juridikë, shoqatat dhe klubet që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive dënohen me gjobë. Në rastin e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren sanksione si zhvillim të ndeshjeve pa spektatorë, zhvillim të ndeshjeve në fushë asnjanëse, anulim të rezultatit të ndeshjes dhe përjashtim nga gara/kampionati. Në rastin e hyrjes në fushë të ndonjë personi, duke shkaktuar edhe dëme ose akte të dhunës, ndaj lojtarëve ose zyrtarëve të ndeshjes, klubi dënohet edhe me gjobë me vlerë 2.000.000 lekë (të rinj) dhe humbet ndeshjen 3-0 në tavolinë”. Sakaq, anëtarët e Komisionit të Disiplinës me gjasa do t’i referohen edhe nenit 49, që bën fjalë për sjelljen e keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes. “Kur personi që ushtron sjellje te keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes është trajner ose zyrtar i personit juridik, shoqatës ose klubit ku bën pjesë ekipi përkatës, atëherë trajneri ose zyrtari do të dënohen me: a) Të paktën 8 ndeshje pezullim për sjellje për të tilla raste josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. b) Të paktën 18 muaj për sulm ose dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes. c) Të paktën 36 muaj pezullim për pështyrje ndaj zyrtarëve të ndeshjes”. Në këto kushte pritet që ndaj KF Laçi të merret një dënim shembullor, i cili do jepet nga Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e ditës së mërkurë.
Ç’thotë rregullorja
Neni 66 – Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive
1. Personat juridikë, shoqatat dhe klubet që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive do të dënohen me gjobë.
2. Në rastin e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren sanksione të tjera si zhvillim të ndeshjeve pa spektatorë, zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjanëse, ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin përkatës, anulimin e rezultatit të ndeshjes, përjashtimin nga gara/ kampionati ose humbje e ndeshjes së tavolinë.
3. Organi gjykues ka të drejtë që të vendosë dënime edhe nëse nuk është verifikuar ndonjë shkelje e përcaktimeve këtu në kod.
Policia: FSHF nuk bëri denoncim
Zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe arbitri i ndeshjes, Lorenc Jemini, nuk pranuan të bënin denoncim në policinë e qytetit të Laçit, edhe pse u dhunuan barbarisht nga zyrtarët e klubit kurbinas. Lajmi konfirmohet nga drejtori i policisë së këtij qyteti, Muharrem Furriku. Sipas këtij të fundit, federata dhe arbitrat evituan denoncimet, edhe pse ai vetë (drejtori) u pat kërkuar disa herë që të bënin denoncim. “Ishim gati të bënim punë tonë, sipas ligjit, nëse në ato momente do bëhej një denoncim i thjeshtë”, – ka thënë Furriku.
Deklarata Pas dhunës, në fushën e lojës ndërhyri menjëherë policia e shtetit, e cila në bazë të kontratës që ka me klubet e kampionatit shqiptar duhet të mbajë rregullin dhe sigurinë në stadiume. Por, edhe pse gjithçka ndodhi në sy të të gjithëve, përsëri asnjë nga zyrtarët e KF Laçit nuk përfundoi në polici. “E kishim shumë kollaj të bënim punën tonë, por as zyrtarët e federatës dhe as arbitri Jemini nuk pranuan që ta denonconin dhunën në fushë. Unë personalisht u thashë të paktën tri-katër herë që të bënin denoncimin para policisë dhe policia do ekzekutonte menjëherë urdhrat sipas ligjit dhe do ndalonte dhunuesit në rastin konkret. Më erdhi keq për atë çka ndodhi, pasi në harkun e 90 minutave në fushë u bë një ndeshje e pëlqyeshme dhe nuk kishte asnjë arsye për ato akte të shëmtuara pas përfundimit të takimit. Ne si polici bëmë punën tonë, duke mbrojtur zyrtarët e ndeshjes dhe duke i shoqëruar ata edhe në daljen nga qyteti. Kjo është puna jonë”, ka theksuar drejtori i policisë së Laçit.
Flagranca Sakaq duhet thënë edhe një fakt, që dhuna e djeshme në Laç mund të konsiderohej edhe si një ngjarje në kushtet e flagrancës. Duke qenë se dhuna e ushtruar nga zyrtarët e klubit kurbinas u pa nga të gjithë sportdashësit, por edhe nga policia (madje disa policë ishin edhe viktima të dhunës), mjaftonte ajo gjë që policia e shtetit të shoqëronte për në komisariat personat që shkaktuan dhunën. Në harkun e më pak se dy orëve ngjarja u transmetua në shumë media vizive, mirëpo edhe pas kësaj nuk u shoqërua asnjë nga zyrtarët e klubit të Laçit.
Federata e futbollit, “no comment” për dhunën
E çuditshme, por edhe pse në Laç u dhunua një nga arbitrat më të mirë të kampionatit shqiptar (edhe sikur të ishte një arbitër tjetër, po e turpshme do ishte), nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pasur asnjë reagim për dhunën. “Panorama Sport” është mundur të kontaktojë me shefin e arbitrave, Tahir Kastrati, me delegatin dhe vëzhguesin e ndeshjes në Laç, me sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Eduart Prodani, si dhe me zëdhënësin për shtyp, Lirim Zalla, por pa marrë asnjë koment (në pjesën më të madhe telefonat e mbyllur). Sakaq, edhe uebsajti i FSHF-së nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, madje as edhe një lajm për faktin që minimalisht dje në Shqipëri është luajtur nga Kategoria Superiore e deri te skuadrat e të rinjve dhe amatorët. Kjo është FSHF-ja, na pëlqen apo jo…











