Skandal, kore raciste në miqësoren Shqipëri-Maqedoni

Nov 16, 2011 | 9:01
Nga miqesorja Maqedoni-Shqiperi 0-0

Takimi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, përveç rezultatit, është karakterizuar nga një frymë e lartë radikale dhe raciste ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Nga minuta e parë dhe deri në fund të ndeshjes, tifozët maqedonas në shkallët e stadiumit kanë brohoritur në kore raciste ndaj popullit shqiptar. Grupi i tifozëve maqedonas “Majmuni” gati gjatë gjithë ndeshjes ka brohoritur duke sharë shqiptarët: “Shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Lufta për çlirim” e shumë fjali të tjera, të cilat fyejnë rëndë shqiptarët në të gjitha trevat. Këto brohoritje kanë shqetësuar edhe futbollistët tanë, të cilët pas ndeshjes janë shprehur të habitur me pritjen që u rezervoi publiku maqedonas. Sakaq, në mbështetje të Kombëtares kanë qenë dje në stadium edhe një numër i vogël i tifozëve shqiptarë të Maqedonisë. Rreth 200 tifozë nga grupimi “Ballistët” kanë qenë në stadium, por u lanë të futen disi më vonë, për të mos pasur përplasje me tifozët maqedonas.

Ndeshja
Maqedoni-Shqipëri 0-0
Kartonë të verdhë: Shikov, Mojsov, Demiri/ Lila, Dalku, Cana
Gjyqtar: Slavko Vinçiç (Slloveni)
Stadiumi: “Goce Delçev”, Prilep
Shikues: 3500
Maqedonia: Pacovski (Nuredinovski 46′), Todorovski (Georgievski 46′), Shikov, Mojsov, Dimitrievski (Lazevski 78′), Demiri, Shumilikoski, Gjurovski (Ibraimi 46′), Hasani (Gligorov 68′), Naumoski (Fetai 62′), Ivanoski.
Trajner: Xhon Toshak
Shqipëria: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Cana, Bakaj (Januzi 36′, G.Lika 84′), Hyka (Lilaj 84′), Roshi (Muzaka 46′), Vila (Veliu 90′), Salihi (Kapllani 56′).
Trajner: Xhemal Mustedanagiç

Nëntëdhjetëminutëshi i djeshëm mund të konsiderohet një kopje e asaj ndeshjeje të luajtur një vit më parë, më 17 nëntor 2010 në Korçë. Ndeshje pa shumë nerv, raste të pakta dhe diferenca e vetme ishte terreni i fushës ku u zhvillua takimi. Nëse në Korçë skuadrat luajtën jo vetëm në një fushë shumë të mirë, por edhe të mbështetura nga goxha publik. Tjetër gjë dje në Prilep, ku më së shumti u panë tifozët fanatikë të Maqedonisë, por shumë pak, për të mos thënë aspak, tifozë shqiptarë. Trajneri i emergjencës, Xhemal Mustedanagiç, e nisi ndeshjen me një ndryshim në formacion, në krahasim me miqësoren paraardhëse me Azerbajxhanin: duke qenë se Erjon Bogdani nuk udhëtoi fare me Kombëtaren, tekniku hodhi në fushë nga minuta e parë Emiliano Vilën. Kësisoj, në fillim të kësaj miqësoreje, reparti ofensiv i skuadrës sonë iu besua vetëm Hamdi Salihit. Një zgjidhje kjo për të përforcuar mesfushën dhe për të mos pësuar gol, e cila rezultoi për hir të së vërtetës, e suksesshme, pasi bardhësia e shifrave të fillimit të lojës ka mbetur e pandryshuar. Në pjesën e parë vlen të theksohet dëmtimi i Elis Bakajt në minutën e 35-të, i cili u zëvendësua nga kosovari i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi. I pashpjegueshëm zëvendësimi sërish i këtij lojtari nga Mustedanagiç, në dhjetë-minutëshin e fundit të nde-shjes. Ishte për t’u vërejtur një gol i anuluar në minutën e 37-të maqedonasve me të drejtë për pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë ka qenë nën komandën e kuqezinjve, të cilët spostuan lojën më së shumti në gjysmëfushën e vendësve. Sakaq, trajnerët nisën edhe zëvendësimet, ku te skuadra jonë Muzaka i zuri vendin Roshit, për të vijuar më tej me rokadën e Salihit me Kapllanin, të Januzit me G.Likën, të Hykës me Sabien Lilajn dhe në ekstremin e miqësores, sa për të vonuar lojën, të Vilës me Veliun. Për t’u nënvizuar këtu minuta e 70-të, kur Lorik Cana ekzekutoi një goditje dënimi, e cila e vuri në vështirësi portierin maqedonas, por rreziku u largua me ndihmën e mbrojtësve vendës. Ndryshe nga miqësorja me Azerbajxhanin para katër ditësh, Kombëtarja jonë është shfaqur më e plotë, ka pasur me tepër lëvizshmëri dhe grintë, më shumë siguri në mbrojtje, ndërsa të ashtuquajturit kandidatë për fanellën kuqezi kanë pasur “një marsh” më tepër, si për të thënë se nga ndeshja në ndeshje ata do të kompensojnë të larguarit, veteranët kuqezinj.

Trajnerët
Mustedanagiç: Trajneri i Shqipërisë, Xhemal Mustedanagiç, vlerësoi maksimalisht lojën e skuadrës sonë, duke vënë theksin te lojtarët e rinj që u aktivizuan jo vetëm në ndeshjen e djeshme në Prilep, por edhe në takimin e 11 nëntorit në Tiranë, ndaj Azerbajxhanit. “Ishte një ndeshje e mirë, nga e cila jam ndarë i kënaqur. Mund edhe të kishim fituar, sepse patëm më shumë raste të mira, por fati s’ishte me ne. Nga dy ndeshjet e fundit miqësore që drejtova, mund të them se Shqipëria ka një potencial të mirë lojtarësh dhe tekniku që do vijë, do ketë në dispozicion futbollistë me perspektivë”, pohoi Mustedanagiç.

Toshak: Trajneri i Maqedonisë kritikoi terrenin dhe lojën e ekipit të tij. “Nuk jam i kënaqur nga ajo që pashë në këtë takim. Fusha ishte e dobët, prandaj edhe nuk mundëm të shfaqim ndonjë lojë të mirë. Edhe pse rezultati është real, shqiptarët duhet pranuar se ishin më të përgatitur, sidomos në pjesën e dytë. Neve na është anuluar një gol, por edhe Majsov duhej të merrte karton të kuq. Një gjë është e qartë, që Maqedonia është ndryshe pa Pandevin, Trickovskin, Popovin e Novevskin. Ata janë futbollistë me përvojë që luajnë në liga europiane dhe me siguri që me ta në përbërje kualiteti do ishte ndryshe”, tha Xhon Toshak.

© Panorama.al

Te lidhura