
TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi nga qelitë e paraburgimit shtetasin kosovar të dyshuar si autorin e vrasjes së një argjendari në Tiranë mbrëmjen e 21 tetorit të këtij viti. Një vendim gjyqësor ndryshoi dje masën e sigurisë ndaj të dyshuarit Nexhat Mulaj nga “arrest me burg” me afat 30 ditor në “detyrim për paraqitje”. Lajmi u konfirmua nga burime pranë Gjykatës, sipas të cilave ndryshimi i masës së sigurisë u bë për shkak të mungesës së provave, që të vërtetonin dyshimet se Mulaj ishte autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj. Kosovari Mulaj u arrestua një javë pas ngjarjes. Ai asnjëherë nuk pranoi të kishte lidhje me vrasjen e Sinanjt. Pas arrestimit, kosovari Mulaj deklaroi se ditën e ngjarjes kishte qenë në Lushnjë, ku shtronte disa kabllo interneti për llogari të një firme ku ishte i punësuar. Ndaj Mulajt Gjykata e Tiranës caktoi dy masa të njëpasnjëshme sigurie me afat. Kështu, pas arrestimit të tij pak ditë pas ngjarjes, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, me afat 30 ditë. Gjatë kësaj kohe, prokuroria duhet të përmbushte disa detyra të caktuara nga gjykata, përmes së cilave do të verifikoheshin dyshimet se ai ishte autor i ngjarjes. Referuar vendimit, prova e vetme që la në qeli të dyshuarin ishte deklarimi i një kalimtari. Para organeve të hetimit, kalimtari I.B. kishte pretenduar se kishte parë Mulajn të dilte nga argjendaria ku ndodhi vrasja. Në përfundim të afatit të parë me 30 ditë, gjykata e shtyu edhe me 30 ditë të tjera qëndrimin e Mulajt në paraburgim. Në këtë vendim të dytë, Gjykata pohonte se sipas të dhënave nga sistemi TIMS rezultonte se kosovari Mulaj ishte larguar nga Shqipëria ditën e ngjarjes rreth 3 orës pasi ndodhi vrasja e argjendarit. Afati u shty sërish, në pritje të disa provave të reja, që kishin të bënin me pamjet filmike të hyrje-daljeve të Mulajt në pikëkalimin kufitar të Morinit, si edhe analizimin e fluksit të sms-ve dhe thirrjeve hyrëse-dalëse në telefonin e tij celular gjatë ditë së ngjarjes. a.b











