
Mustedanagiç: Asnjë kontakt me Kuzhen, s’kam pse t’i marr mendim
Sonte, ora 18:00
Shqipëri-Azerbajxhan
Skema 4-4-2:
Formacioni i kuqezinjve:
Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Roshi, Cana, Bakaj, Hyka, Bogdani, Salihi. Trajner: Xhemal Mustedanagiç.
Mustedanagiç do të drejtojë për herë të dytë Shqipërinë si trajner i parë, edhe pse ashtu si vitin e kaluar, do të jetë kalimtar në krye të stolit kuqezi. Boshnjaku 56-vjeçar ka menduar një skemë sulmuese dhe e thotë me tone të larta se në këto dy ndeshje miqësore Shqipëria nuk ka pse të druhet, përkundrazi, do të luajë në sulm. “Nuk janë ndeshje kualifikuese, ndaj kundër Azerbajxhanit nesër (sot) do të luajmë në sulm. Duam të luajmë mirë, ky është qëllimi im”, thotë trajneri provizor i Kombëtares A, i cili si detyrë primare ka skuadrën përfaqësuese të 17-vjeçarëve. “Duam të luajmë mirë, duam të luajmë sa më mirë. Dua që skuadra të luajë në sulm. Përgjithësisht është në stilin e shqiptarëve që të pretendojnë më shumë një lojë sulmuese, sesa defensive. Jam i bindur se kemi potencialin për të luajtur mirë dhe për t’u kënaqur. Megjithatë, do të provojmë edhe disa futbollistë të rinj. Ky është qëllimi im. Përveç largimeve të Lalës, Skelës, Beqajt dhe Duros, kemi edhe tre mungesa të rëndësishme për shkak të dëmtimeve, si Curri, Ujkani dhe Bulku. Për këtë arsye kam vendosur që Cana të spostohet në mesfushë. Por gjithsesi, avantazhi është se këto nuk janë ndeshje për të marrë pikë. Ne thjesht do testojmë veten tonë dhe shpresojmë të argëtojmë publikun”, tha Mustedanagiç, i cili duhet thënë se aprovoi edhe bojkotin e tifozëve. “Mbase me të drejtë. Ne kemi lënë disa pikë që mund t’i kishim fituar, por ama kemi marrë edhe pikë atje ku ndoshta nuk e meritonim. Gjithsesi, dua t’u them tifozëve ta përkrahin sa më shumë të munden skuadrën e tyre”, tha ai.
Cana: Trajner duhet një si…Hasi
Lorik Cana e shikon si problematike situatën aktuale në Kombëtaren shqiptare, ku nga njëra anë është problemi i zgjedhjes së trajnerit dhe nga ana tjetër, bojkoti i tifozëve kuqezinj. “Dua të shpreh qartë se unë asnjëherë nuk kam qenë kundër trajnerëve shqiptarë. Kam qenë gjithnjë pro dhe vazhdoj të mendoj kështu. Nëse vjen dikush me njohuritë e duhura dhe me eksperiencën e duhur, atëherë mirë se të vijë. I mirëkuptoj edhe tifozët, kur ndihen të mërzitur, për shkak të rezultateve jo edhe aq të mira, apo për objektivat e papërmbushura. Duhet të luftojmë që gjatë ndeshjeve të ardhshme të përmirësojmë disa gjëra”, tha Cana.
Duka pret përgjigjjen e Kumanit
Ervin Kuman duket se është kandidati më potencial për të marrë drejtimin e kuqezinjve. Burime kofidenciale pranë presidentit të FSHF-së bënë të ditur për “Panorama Sport” se Duka ka folur së fundmi me agjentin e trajnerit holandez. “Kushtet tona dihen tashmë. Nuk japim më shumë se 200 mijë euro në vit”, mësohet t’i ketë thënë prerë Duka agjentit të Kumanit. Tashmë, kreu i FSHF-së pret përgjigjen e holandezit. Ish-trajneri i Hungarisë mësohet se është i gatshëm për të marrë drejtimin e kuqezinjve, por fillimisht ai ka hezituar për shkak të problemeve me klubin e Utrehtit. Tashmë Kuman ka prishur kontratën dhe gjasat më të mëdha janë që të pranojë ofertën e FSHF-së.











