Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi ka qenë një arsye e fortë që ekipet e ndryshme evropiane të dërgonin të besuarit e tyre, që së bashku me shumë agjentë lojtarësh të FIFA-s, ta ndiqnin me shumë vëmendje. Në tribunën VIP, agjentë të Sivasporit mësohet se janë interesuar për Emiljano Vilën, Kristi Vangjelin dhe Andi Lilën. Ndërkaq, ky i fundit është ndjekur edhe nga të dërguarit e Dinamos së Bukureshtit, që dihet se janë të interesuar prej kohësh për të. Madje flitet që mes lojtarit dhe klubit rumun ekzistonte dhe një para-kontratë, por që nuk është konfirmuar nga asnjë prej palëve. Nuk kanë munguar edhe agjentë të ekipit kryesues në Francë, Lilë, ku dhe ka luajtur ish-ylli i Kombëtares, Edvin Murati, por që nuk kanë bërë të ditur emra lojtarësh që mund të kenë pëlqyer. “Qershia mbi tortë” vjen për Vangjelin, për të cilin ka pasur edhe disa të interesuar nga Bundesliga gjermane, por emrat e ekipeve nuk bëhen të ditura. Është për t’u vlerësuar fakti se ndonëse jo me shumicë, por interesimi i klubeve të huaja vazhdon të ketë në konsideratë lojtarët shqiptarë.











