TIRANE- Ministria e Jashtme shqiptare shprehu sot mbështetjen për qeverinë e Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin ne veri të vendit, ndërsa shprehu shqetësim të veçantë lidhur me situatën e ditëve të fundit atje.
Në një deklaratë për shtyp të zyrës së shtypit të MPJ-së, thuhet se “po ndjek me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në veri të Kosovës, dhe së fundmi, kundër trupave të KFOR-it në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës.”
MPJ ka shprehur mbështetjen e saj edhe për marrëveshjet e 5 gushtit dhe 2 shtatorit, për largimin e barrikadave, që cënojnë dhe pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.
Ajo vlerëson gjithashtu se dhuna kundër trupave të KFOR-it, plagosja e tre shqiptarëve në Mitrovicë, deklaratat destruktive, si dhe bllokimi i bisedimeve teknike Kosovë-Serbi në Bruksel nuk janë rruga e duhur për të ecur drejt stabilitetit dhe integrimit europian.
Sipas MPJ-së zbërthimi i strukturave paralele e bandave kriminale, prodhues të destabilitetit dhe pasigurinë në këtë pjesë të Ballkanit, për Serbinë është tashmë një detyrë dhe përgjegjësi e qartë në rrugën e saj drejt BE-së.
© Panorama.al











