Rasmusen: KFOR të reagojë nëse cenohet paqja

Sep 15, 2011 | 14:57

PRISHTINE- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka deklaruar të enjten në Prishtinë se forca paqeruajtëse do të reagojë nëse rrezikohet siguria dhe paqja në veri të Kosovës.

Këto komente, Rasmusen i ka bërë gjatë një konference për media pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi.

Në interesimin e gazetarëve se si do të sillet forca e KFOR-it nëse strukturat paralele në veri do të përpiqen që me forcë të mos lejojnë zbatimin e planit për ri-hapjen e doganave në veri dhe dërgimin e doganierëve e policëve kufitar të Kosovës atje, Rasmusen tha se detyra dhe mandati i KFOR-it në Kosovë është i qartë.

“Është mandat i KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe paqësor”, tha Rasmusen, duke shtuar se “KFOR-i do të ndërmarrë veprime nëse kjo siguri dhe paqe do të vihet në rrezik”.

Ai nuk ka dhënë detaje të operacionit që pritet të zhvillohet për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në Kosovë.

“Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurtë”, theksoi Rasmusen.

Gjatë kësaj konference, Rasmusen rikujtoi se për 12 vjet NATO ka arritur që në Kosovë të garantoj paqe e siguri për të gjithë dhe i paralajmëroi të gjithë se se nuk do të tolerohet kthimi prapa në dhunë dhe tensione të reja.

Në anën tjetër, kryemi nistri Hashim Thaçi ka ripërsëritur se nga 16 shtatori zbatohet marrëveshja për doganat dhe se pjesë e planit do të jenë edhe EULEX-i dhe KFOR-i.

© Panorama.al

Te lidhura