Sistemi zgjedhor, PS: Gati ta ndryshojmë

Dec 19, 2011 | 15:54
Gumi, Gjiknuri, Topalli e Rusmali në Komisionin e Venecias

Pas presioneve të partive të vogla, Partia Socialiste tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore tha dje në një prononcim për “Top Channel” se kjo forcë politike është e hapur të marrë parasysh edhe mendimin e partive të vogla. Kjo deklaratë e tij lë të kuptohet se megjithëse në Komisionin Parlamentar është miratuar plani i punës për periudhën katërmujore, mund të ketë një ndryshim të drejtimit, që mund të çojë edhe në një sistem proporcional të korrektuar. “Qëndrimi i PS-së ka qenë i qartë, është bërë publike që ne jemi për gjetjen e një konsensusi se si mund ta rishikojmë sistemin zgjedhor. Partia Demokratike, qoftë edhe nga deklarimet e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, megjithëse qe ai i pari që e nxiti idenë e rishikimit të sistemit zgjedhor, ka një ndryshim qëndrimi. Ne jemi të hapur që të dëgjojmë edhe partitë e tjera që së bashku të gjejmë një formulë që adreson edhe stabilitetin në qeverisje, por edhe përfaqësimin më të mirë në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Gjiknuri. Një tjetër kërkesë e partive të vogla është edhe ajo e listave, që sipas sistemit proporcional rajonal është me lista të mbyllura. Të ‘vegjlit’ kërkojnë një garë mes kandidatëve e për rrjedhojë dhe ndryshimin e renditjes së fituesve pas zgjedhjeve. Por që të bëhen këto ndryshime, siç kërkojnë partitë e vogla, duhet të preket patjetër Kushtetuta. Nga ana e tyre, demokratët janë shprehur kundër këtij varianti, duke e mbështetur fort idenë se ligji themeltar i shtetit nuk mund të ndryshojë, tre vjet pasi disa mendime u votuan në Kuvend. Sistemi zgjedhor proporcional rajonal në bazë të qarqeve, është i përcaktuar në nenin 64, pika 2 e Kushtetutës, ku thuhet se “zona zgjedhore shum-emërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial”. Ndërsa për listat e zgjedhësve, në Kushtetutë thuhet se ato nuk ndryshojnë, pasi dorëzohet në komisionet zgjedhore. “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”, thuhet në Kushtetutë.

Nenet e Kushtetutës
Neni 68, pika 1
Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Neni 64, pika 2
Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

Gjinushi: Duhet korrektim kombëtar
Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, u shpreh dje se proporcionali rajonal duhet të ndryshohet me korrektim kombëtar. “Opozita nuk është për t’i shërbyer si bisht i maxhorancës, aq më tepër kur bëhet fjalë për themelin e reformës zgjedhore. Opozita ka një platformë të vetën, tepër të legjitimuar e të argumentuar, ku ka dhe një qëndrim të sajin se çfarë sistemi i duhet Shqipërisë, një sistem demokratik që nuk deformon votën, pra korrektimin kombëtar”, tha kreu i socialdemokratëve.

Topalli: Nuk gabuam me votat e Tiranës
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha gjatë seancës së Komisionit të Venecias, se në zgjedhjet e 8 majit u veprua drejt kur u përfshinë në rezultatin përfundimtar votat e hedhura gabim. Duke iu referuar rekomandimeve të Venecias, të cilat japin edhe një shembull sesi duhen numëruar në fund të procesit në një zonë zgjedhore votat e hedhura gabim, Topalli tha se “konkluzioni i Komisionit të Venecias se e drejta e votës, si e drejtë e njeriut, mbizotëron dhe se legjislacioni duhet të përmbajë procedura për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave. Institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat, dhe rasti  i Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”.

© Panorama.al

Te lidhura