Sistemi Zgjedhor, PD: PS po luan blofin

Dec 25, 2011 | 12:43

Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri

Propozimet e të vegjëlve, në duart e ekspertë të partive të mëdha.

Propozimet e partive të vogla dhe të organizatave joqeveritare do të kalojnë fillimisht në sitën e ekspertëve të dy partive të mëdha përpara se të vijnë në formë amendamentesh në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ndërsa partitë që kanë përfaqësuesit e tyre në këtë komision do të kenë mundësi që t’i parashtrojnë ato në mbledhjet e muajit janar. Anëtarja socialiste e këtij komisioni, Vasilika Hysi, tha në një prononcim për gazetën “Panorama” se duke filluar nga 10 janari do të zhvillohen seancat dëgjimore për parashtrimin e këtyre propozimeve. “Ne deri tani në komision kemi bërë dy mbledhje, dhe në këto mbledhje kemi shqyrtuar rregullat, procedurat dhe kemi ftuar të gjithë aktorët e shoqërisë civile për të sjellë opinionet e tyre deri më 20 dhjetor, kurse koalicionet që merren me barazinë gjinore do t’i sjellin deri më 10 janar, kur do të zhvillohen edhe seancat dëgjimore”, tha Hysi. Partia Socialiste është shprehur e gatshme për ta negociuar idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Këtë e tha pak ditë më parë bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri. “Qëndrimi i PS-së ka qenë i qartë, është bërë publike që ne jemi për gjetjen e një konsensusi se si mund ta rishikojmë sistemin zgjedhor. Partia Demokratike, qoftë edhe nga deklarimet e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, megjithëse qe ai i pari që e nxiti idenë e rishikimit të sistemit zgjedhor, ka një ndryshim qëndrimi”, tha Gjiknuri. Por, ky qëndrim i opozitës shikohet nga maxhoranca si një blof ndaj partive të vogla. Bashkëkryetari demokrat i këtij komisioni, Ilir Rusmali, tha në një prononcim për “ABC News” se “deklaratat politike Partia Demokratike i ka bërë gjithmonë të sinqerta. Nuk është në natyrën e lidershipit politik të luajë me blofin. Kolegët e mi, sidomos ekspertët në radhët e partive të vogla, sa herë që diskutohet çështja e sistemit, i mëshojnë komponentit demokratik të tij. Po komponenti qeverisës? Kush duhet të kujdeset për të?”. Lidhur me ndryshimin e KQZ-së, ai tha se përbërja e këtij institucioni do të varet nga mënyra se si do të ndërtohen komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. “Nëse KQZ do të jetë nesër politik, do të varet nga forma si do të jetë administrata zgjedhore nesër. Nëse KQZ nesër do të jetë apolitik, do të varet nga fakti se partitë do të zgjedhin një administratë zgjedhore apolitike. Por nuk mund të ndodhë kurrë që nivelet e dyta dhe të treta të komisioneve të jenë me militantë politikë dhe niveli i tretë, që në fakt nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë mbi procesin, të jetë i ndryshëm nga nivelet e para”, u shpreh Rusmali.

2 mbledhje
Nga ngritja e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore më 17 nëntor 2011 e deri tani janë zhvilluar gjithsej dy mbledhje, ku në të parën është bërë konstituimi dhe në të dytën u miratua plani i punës

4 muaj
Sipas vendimit të Parlamentit, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të ketë një mandat katërmujor. Është parashikuar që gjatë kësaj periudhe të ndryshohen dhjetë kapituj të Kodit Zgjedhor. Mandati i Komisionit mbaron në mars

Kapitujt e Kodit që do të ndryshohen
– Regjistrimi i subjekteve
dhe kandidatëve             (dhjetor 2011)
– Fushata zgjedhore         (dhjetor 2011)
– Media në fushatën zgjedhore    (dhjetor 2011)
– Financimi i zgjedhjeve         (dhjetor 2011)
– Regjistrimi i zgjedhësve         (janar – mars 2012)
– Procedurat e votimit        (janar – mars 2012)
– Numërimi i votave         (janar – mars 2012)
– Nxjerrja dhe shpallja e rezultatit     (janar – mars 2012)
– Administrata Zgjedhore         (janar – mars 2012)
– Procesi i Ankimit            (janar – mars 2012)

Mbledhjet
Komisioni rrëzoi dy kërkesa të LSI dhe PR

Mbledhjet e para të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndonëse kanë qenë të karakterit teknik, nuk kanë kaluar pa debate. Kështu që në mbledhjen e parë dy partitë e mëdha rrëzuan propozimet e Partisë Republikane dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që këto parti të kenë ekspertët e tyre në grupin e punës që do të përgatisë amendamentet për Komisionin. Dy forcat kryesore politike vlerësuan se grupi i punës duhet të përbëhet nga një ekspert i PD-së, Oerd Bylykbashi dhe një i PS-së, Bledar Çuçi. Gjithashtu, forcat e mëdha rrëzuan një tjetër propozim të të vegjëlve, që mbledhjet e Komisionit të bëhen me dyer të hapura. Argumenti i deputetëve të PD dhe PS ishte se anëtarët e tjerë të Komisionit mund të komunikojnë me mediat sa herë e shikojnë të arsyeshme nëpërmjet konferencave për shtyp.

PDS, PSD e PSV 91 me propozime të përbashkëta
Tri partitë e majta, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale dhe PSV 91 e Petro Koçit i kanë dërguar dje Komisionit të Reformës Zgjedhore propozimet e tyre të përbashkëta për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe të Kodit Elektoral. “Në shkresën përkatëse këto tri parti propozojnë korrigjim kombëtar të proporcionalit rajonal nëpërmjet formulës 100 plus 40, si një formulë që risjell frymën pluraliste në përfaqësimin parlamentar, limiton monopolet politike, sjell në parametra objektivë përfaqësimin e votës popullore në mandate parlamentare dhe garanton moderacion antikrizë në funksionimin e Parlamentit”, thuhet në një njoftim të dërguar në adresat e mediave nga kreu i PSV 91’, Petro Koçi. Gjithashtu, këto forca politike kanë bërë propozimet e tyre edhe sa u përket kapitujve të tjerë të Kodit Zgjedhor. “Krahas propozimeve për sistemin, tri partitë kanë kërkuar edhe reforma në procesin e identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet teknologjisë biometrike, në numërimin e votave nëpërmjet skanimit elektronik, në përbërjen e administratës zgjedhore, si edhe në çështje të tjera si financimi i subjekteve elektorale e pasqyrimi mediatik i fushatës zgjedhore të këtyre subjekteve. Dokumenti i përbashkët ishte produkt i takimeve të shpeshta mes kryetarëve Gjinushi, Milo e Koçi në ditët e fundit”, thuhet në njoftim.

© Panorama.al

Te lidhura