Sindikatat: KESH-i rriti 8 herë çmimin për KURUM

Jan 25, 2012 | 12:30

Nga protesta e punëtorëve të “Kurum”-it në Elbasan

Nga mungesa e prodhimit po preket e gjithë industria, Porti dhe Hekurudha

Shqipëria nga eksportues po kthehet në importues çeliku

Prej 1 muaji 700 punëtorë të kompanisë KURUM në Elbasan janë pa punë për shkak se mungon energjia për të funksionuar proceset në uzinat e tij. Familje të tëra po presin me ankth, pasi rrezikohet që investitorët, në pamundësi për të siguruar energjinë nga tregu i brendshëm, të largohen nga vendi. Si pasojë e ligjit për sigurimin e energjisë nga bizneset e mëdha, siç është kompania turke KURUM dhe statusit të ri, “Konsumator i Privilegjuar”, kjo kompani detyrohet që ta importojë energjinë nga jashtë. Deri në fund të vitit të kaluar, proceset në këtë kompani përballoheshin me energji të siguruar nga burimet vendase. Por, prej 4 janarit punëtorë kanë lënë detyrat e tyre, duke u paguar për një periudhë të përkohshme me 60% të pagës. Ata janë ngritur në protesta masive, duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për të rinisur punën me kushtet e mëparshme. Në mbështetje të metalurgëve të KURUM-it në Elbasan kanë shkuar dhe drejtues të sindikatës, që shprehin shqetësimin për këtë situatë dhe mosarritjen e një rezultati në takimet e kryera me qeverinë, KESH-in dhe ERE-n, në lidhje me importimin e energjisë për fabrikat. Taf Koleci, kreu i Sindikatës së Industrisë, përmend një fakt sipas tij abuzues përsa i përket qëndrimit të KESH-it në këtë çështje. “KESH i ka propozuar kompanisë ta furnizojë për disa ditë me energji elektrike me çmim 21 lek/këh. Nga ana tjetër, po ky KESH ia shet kompanisë shpërndarëse CEZ me 2.8 lek/këh. Iku monopoli i shtetit e erdhi monopoli privat i paprekshëm. Ndërsa industria më e madhe konsumatore e energjisë kërkon ta blejë këtë energji nga KESH me 3-fishin e çmimit që kjo e fundit ia shet CEZ-it dhe nuk mundet dot. Ky është liberalizimi i tregut?”, shprehet Koleci. Kreu i sindikatës që po mbështet protestën e 700 metalurgëve të KURUM, thotë se aktualisht kjo kompani, njëkohësisht prodhuesi më i madh industrialist në vend, furnizohet me gjenerator për të ruajtur objektet e veta, ndërkohë që me mijëra familje e institucione të tjera shtetërore e ekonomike si, Hekurudha e Porti, po ndikohen negativisht nga kjo situatë e krijuar. “Shteti nuk duhet të qëndrojë indiferent përpara një fakti të tillë. Me këtë që po ndodh, tani e tutje Shqipëria do të kthehet nga një eksportues i produkteve të çelikut, në një vend importues të tyre. Zvarritja e industrisë drejt një situate të tillë, do të jetë humbje për Shqipërinë. Në këtë periudhë krize, investitorët kërkojnë që kapitalin e tyre ta investojnë atje ku kane mundësi për të punuar”, theksoi Koleci.

© Panorama.al

Te lidhura