Silvana Skënderi çon muzikën e Tonin Harapit në Cetinë

Dec 1, 2011 | 10:35

Me ftesë të Fakultetit të Muzikës në Cetinë, ish-kryeqyteti mbretëror i Malit të Zi, pianistja dhe pedagogia e Universitetit të Arteve, Silvana Skënderi, dha një koncert recital, i cili u ndoq me kërshëri nga publiku vendës. Cetina, një qytet i pastër dhe karakteristik për stilin e ndërtesave të ulëta dhe të bukura, e priti pianisten tonë në sallën e Teatrit mbretëror me emrin “Zetski Dom”. Salla e koncertit, e cila përbën një nga 5 institucionet e rëndësishme të këtij qyteti të vogël, por me një kulturë të spikatur (së bashku me Pallatin Presidencial, Ministrinë e Kulturës, Muzeun nacional, Manastirin e Cetinës etj.) ishte një teatër i stilit klasik me rreth 200 vende, por që të binin në sy lozhat e dekoruara me shije. Koncerti filloi me tingujt e menduar dhe plot linja të harmonizuara në një polifoni të mrekullueshme të Partiturës Nr 1 të kompozitorit Gjerman Johan Sebastian Bah, të cilat u ndoqën me vëmendje për kontrastin e vendosjes së numrave, për karakterin dhe pastërtinë e lojës së pianistes sonë. Në këtë vepër pianistja Silvana Skënderi shpalosi artin e saj në ndarjen e nënvizimin e linjave polifonike dhe respektimin e hierarkisë së tyre brenda stofit polifonik të veprës. Sonata e J. Haydn-it ishte vepra e dytë e madhe e pianistes sonë, e cila ravijëzoi në të teknikën dhe shkathtësinë e artikulimit të temave, bukurinë e ornamenteve delikate dhe karakteristike të veprës, sidomos në kohën e dytë të saj dhe së fundi karakterin e përgjithshëm të këtij kompozitori, të quajtur babai i simfonisë dhe i sonatës klasike. Deri në këto momente, çdo tingull ishte i harmonizuar më së miri me linjat e asaj salle të vogël, por të mrekullueshme mbretërore. Më tej, në program u shfaqën 5 miniatura të kompozitorit shqiptar Tonin Harapi, të cilat tërhoqën edhe më spektatorët. Meloditë e ngrohta, harmonia karakteristike dhe forca e tyre komunikuese shpërndau në sallë një ndjesi dashurie dhe çiltërsie, e cila u vlerësua dhe u duartrokit nga publiku. Këta tinguj u krijuan nga kompozitori ynë që, megjithëse lindi shumë afër Malit të Zi, nuk arriti ta vizitonte asnjëherë dhe ndoshta ishte hera e parë që publiku malazez kishte rastin t’i shijonte. Valsi për piano dhe veçanërisht Ramanca e Harapit që u ekzekutuan më pas, shfaqën zhdërvjelltësinë dhe sensibilitetin e pianistes shqiptare, e cila përcolli gjithashtu temperamentin dhe kantilenën e kompozimeve tona të Harapit. Në fund, programi u mbyll me arabeskën e kompozitorit francez, Klod Debysi, vepër e shkruar në fund të shek. XIX, e cila paraqet një stil të zhvilluar muzikor, që i përket muzikës impresioniste franceze dhe që mbeti stil përfaqësues i këtij autori. Mendimi i muzikantëve prezentë në sallë për lojën e Silvana Skënderit ishte vlerësues: një qëndisje dantelle- u shprehën disa; ndjeshmëri e lartë dhe forcë komunikimi – dikush tjetër. Pas koncertit mësuam se në këtë sallë kishin luajtur instrumentistë të shquar nga gjithë bota muzikore, si p.sh. violinisti Nigel Kennedy, violinisti Mikhail Bereznitskij, pianistët Aleksej Molèanov, Polina Osetinskaja etj. Në Cetinë zhvillohet gjithashtu edhe një festival veror, në të cilin ftohen mjaft instrumentistë me emër dhe formacione të ndryshme nga e gjithë bota. Ky koncert i pianistes Silvana Skënderi shpresojmë të hapë edhe më tej rrugën e kontakteve artistike me Malin e Zi si njohje dhe qarkullim i vlerave të vendeve tona kufitare.

NESTOR KRAJA

© Panorama.al

Te lidhura