
Projekti i sigurisë së digave që po zbatohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, mund të gjejë edhe përkrahjen financiare të Kinës.Ka qenë interesi i shfaqur nga kjo e fundit për këtë projekt dhe i diskutuar gjatë një takimi të ditëve të fundit mes 13 përfaqësuesve të qeverisë kineze (të provincës Guinzhou) dhe drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të instituteve të ndryshme, si ato për matjet në veprat hidrike, instituteve të investimeve dhe projektimeve, të cilët kanë dashur të njihen më shumë mbi investimet që janë bërë në sektorin energjetik dhe, sidomos, lidhur me projektet që KESH është duke zbatuar. Ekspertët dhe drejtuesit e KESH-it gjatë takimit njohën përfaqësuesit e qeverisë kineze me ecurinë e deritanishme të sektorit energjetik vendës, që përfaqëson edhe një ndër degët më atraktive për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në prodhimin e energjisë elektrike, burimet hidrike, investimet, projektet e ndryshme, si dhe performancën e korporatës. Mes të tjerash, pjesë e diskutimeve është bërë edhe projekti i sigurisë së digave, i cili ka gjetur edhe përkrahjen e donatorëve si Banka Botërore dhe jo vetëm. Lidhur me këtë projekt, përfaqësuesit e delegacionit kinez shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Ndërkaq, pjesë e interesit kanë qenë edhe projekte të ndryshme të reja, të cilat lidhen kryesisht me gjenerimin apo prodhimin e energjisë. Takimi me përfaqësuesit e qeverisë së Kinës është mbyllur, duke lënë të hapur rrugën për bashkëpunim në të ardhmen, duke pasur parasysh rëndësinë që i ka dhënë Shqipëria investimeve në sektorin energjetik, por edhe prioritetin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Projekti i Skavicës
Një tjetër projekt ku Kina shfaqi interesin e saj për të bashkëpunuar ishte ai i ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka marrë përsipër që të zhvillojë këtë projekt, i cili daton që në vitet ’80, por që projekti aktual ka ndryshuar dhe është përmirësuar. Aktualisht, projektit po i bëhet vlerësimi teknik apo oponenca teknike nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe, me të përfunduar procesi i vlerësimit, do të vijohet me procedurat e radhës.











