21 janari, gjenerali Ndrea Prendi në arrest shtëpie për vrasjen e Faik Myrtajt
Dy grupe efektivësh në oborr e brenda pallatit të Prendit
Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, i vendosur në arrest shtëpie me urdhër të Gjykatës së Tiranës, ruhet me policë prej 48 orësh. Dy grupe me efektivë të Komisariatit të Policisë Nr. 2 janë vendosur pranë pallatit ku banon Prendi, në Njësinë Bashkiake Nr. 5, rruga “Lidhja e Prizrenit”, pallati nr. 4. Njëra prej patrullave kryen shërbimin e rojës në oborr pranë hyrjes së pallatit dhe patrulla tjetër është e vendosur në katin e dytë të pallatit, ku banon ish-komandanti i Gardës së Republikës, i pezulluar nga detyra prej dy ditësh me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha. Shoqërimi me policë i gjeneralit filloi që prej mëngjesit të ditës së hënë, më 23 janar 2012, kur bazuar në një urdhër të Gjykatës së Tiranës, policia dërgoi patrullat e saj për ta shoqëruar kreun e Gardës për në Prokurorinë e Tiranës. I shoqëruar nga patrullat e policisë, Prendi u paraqit në Prokurori, ku pasi u njoh me akuzat e ngritura, dha deklarimet e veta shkurtimisht dhe në orën 16:30 doli sërish i shoqëruar me efektivë të policisë. Prej atij momenti mësohet se forcat e rendit e kanë shoqëruar në banesë komandantin e Gardës, i cili ka zbatuar vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ndaj tij “arrest me burg”. Me këtë masë, ish-zyrtari komandues i Gardës së Republikës duhet të qëndrojë në dispozicion të hetimit pasi akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. “Ruajtja e z. Prendi ka qenë normale. Gjatë shërbimit, efektivët e policisë nuk kanë pasur asnjë problem dhe po ashtu, gjatë paraqitjes në Prokurori dhe më pas, z. Prendi ka bashkëpunuar me shërbimet e policisë për t’u vënë në dispozicion të hetimit”, thanë dje burimet nga Policia e Tiranës. Sipas burimeve në fjalë, katër efektiva policie janë urdhëruar të kryejnë shërbim me kohë të plotë pranë banesës së ish-komandantit të Gardës, ndërkohë që gjatë lëvizjes së tij për në Prokurori dhe Gjykatë, numri i policëve shoqërues shtohet.
Akuza për gjeneralin
Prokuroria e ka akuzuar ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. Sipas akuzës, në trupin e viktimës Faik Myrtaj u gjet një predhë arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt, me formë cilindrike, me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës. Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr.7, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm. Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra nr.12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm. Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra 12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm. Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta. Prokuroria thekson se në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Sipas Prokurorisë, predha e gjetur në trupin e Myrtajt përputhet me armën që ka pasur Prendi, ndërkohë që ai ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë me armën “Beretta” me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, që i përket armatimit të tij personal. Këtë armë, pas datës 21 janar ai e ka dëmtuar duke i ndryshuar tytën, të cilën ia ka vendosur pistoletës së shoferit të tij me qëllim që të pengonte zbulimin e ngjarjes.
Pistoleta
Prokuroria e akuzon Ndrea Prendin se pas datës 21 janar i ka ndryshuar tytën (pjesa me vjaska që lë shenja në predhë) armës së tij, duke e vënë atë në pistoletën e shoferit të vet, shtetasit Margarit Kume. Sipas akuzës, Prendi ka dëmtuar edhe gjilpërën goditëse të armës, ndërkohë që në vendngjarje janë gjetur gëzhojat që përputheshin me armën e tij, dhe jo me të Margarit Kumes.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











