Ndoshta mund të ngjajë me një déjà vu, ndoshta mund të duket e përsëritur, e papërshtatshme për kohën dhe prioritetet që kemi për objektiv, por problemi i vëmendjes që shteti dhe qeveria duhet t’i kushtojë librit, është njëra nga ato çështje që mbeten gjithmonë të “blerta” për nga aktualiteti. Ajo është kambana e brendshme që buçet në ndërgjegjen njerëzore dhe që nevojitet të dëgjohet akoma dhe më shumë nga qeveria në një kohë të tillë kur vlerat që ngulit libri dhe kultura duhet të edukojnë çdo hap, çdo lëvizje politike dhe integruese drejt Europës.
Mjaft ide e propozime janë bërë, mjaft tema dhe vështirësi janë shpjeguar, por ngaqë libri është aq i urtë dhe i mençur apo ngaqë ai nuk e çjerr kurrë zërin, ndoshta mendohet si i menaxhueshëm me lehtësi dhe shkujdesje. Kur e vërteta është krejt tjetër, pasi hallet dhe problemet e tij të mëdha, ngaqë janë të përditshme dhe shpeshherë objektive për një vend dhe një gjuhë të vogël dhe të kufizuar në përdorim si kjo shqipja jonë, ato duhet të nxirren çdo herë në dukje si kujtesë për ndihmë ose stabilizim të tregut të tij nëpërmjet instrumenteve të duhura.
Nuk mund të themi se një vëmendje e veçantë për librin ka munguar nga ana e qeverisë dhe e Kryeministrit Sali Berisha. Janë riaktivizuar mjaft projekte në ndihmë të shkollave dhe biblioteka shkollore, të cilat nuk ekzistonin më parë. Janë ruajtur fondet përgjatë gjithë këtyre viteve, të kanosura nga rialokimi dhe shkurtimi, megjithatë, duhet kuptuar seriozisht për një zgjidhje të përcaktuar të problemit të librit, aq më shumë që këto projekte këtë vit pothuaj kanë shterur fare. Shqipëria është një vend me kulturë dinamike, me një dinamikë të vrullshme, me një masë të madhe të rinjsh që vërshojnë në tregun e punës. Të gjithë këta cilësorë kërkojnë elemente të rëja që duhen përcaktuar për të përmbushur edukimin e tyre të duhur kulturor, kombëtar dhe profesional. Më vete, libri shqip, për nga përmasat e tregut dhe ngadalësia e qarkullimit të tyre në këtë treg, nuk ia ka dalë dhe nuk do t’ia dalë dot kurrë të jetë në të njëjtën gjatësi vale me afrimin e librave më të rinj, ose atij “bagazhi” të domosdoshëm librash të këtyre dekadave të fundit, sidomos për fushat teknike-profesionale dhe ato të shkencave humane (filozofi, psikologji, sociologji etj.), që u përkasin fashave të kufizuara të publikut dhe nuk e tërheqin investimin nga ana financiare. Po njëlloj, madje këtu rrezikshmëria e mosafrimit ndaj publikut të veprave më përfaqësuese të albanologjisë e historisë shqiptare, mund të sjellë hapjen e hendeqeve të pamasa, e madje të parikuperueshme në formimin e brezit të ri, me këto dije bazë të çdo shkolle, sistemi apo shteti që kujdeset për të ardhmen e tij.
Duhet të kuptojmë seriozisht se boshllëku ynë i madh në raftet e bibliotekave tona shtëpiake dhe shkollore me libra të tillë, i kalon përmasat e një nevoje të paplotësuar. Idealizmi dhe përqendrimi i mjaft botuesve shqiptarë në botimin e librave të tillë specifikë, por themelorë për nga dijet dhe vlerat që përçojnë, edhe pse i përqendruar dhe serioz, nuk ka arritur dot financiarisht të prodhojë gjatë gjithë këtyre 20 viteve, p.sh. atë kolanë klasike, apo le ta quajmë atë “kategori të pashmangshme referimi” librash të shkencave humane që duhet ta ketë çdo njeri në shtëpi dhe në shkollë. Po njësoj një kategori e tillë pikash referimi mungon edhe për historinë dhe albanologjinë. E mungesa të tilla nuk duhet të kërkohen në mospasjen e kapaciteteve shkencore, botuese apo në vullnetin e hekurt për ta kryer një gjë të tillë.
Përkundrazi, ka mjaft shembuj që vijojnë në vite, ku botime të tilla kryhen vetëm falë idealizmit dhe kuptimit të nevojës që ka procesi i edukimit të shpirtit dhe mendjes shqiptare me produkte të tilla. Mirëpo, vështirësitë objektive të këtyre lloj librave dhe tërë librit shqip e kanë bërë urgjente dhe të domosdoshme një dorë të qëndrueshme dhe të stabilizuar ndihme nga ana e shtetit shqiptar. Marrim pjesë shpesh nëpër panaire librash dhe shohim që edhe vende të tilla fqinje si Maqedonia, Kroacia, Serbia, Bullgaria e me radhë, kanë një numër të madh librash të financuar në mënyrë të vazhdueshme nga buxheti i shtetit, të cilat janë të strukturuara në kolana ose sete të bukura tematike, madje për shembull Maqedonia e ka deri gati një milion euro shumën e caktuar për librin në Ministrinë e saj të Kulturës, në një kohë që kjo shumë për kulturën e librit shqip ka vite të tëra, madje gjatë gjithë këtij 20-vjeçari, luhatet po aty te 180-200 mijë euro. Një buxhet i tillë do të kujtonte më tepër atë të një fondacioni apo instituti, dhe jo atë të një shteti, sidomos të një shteti me gati 4 milionë banorë, i cili pritet të festojë qindvjetorin e vet. E them me siguri se është në minimumin e limitit të një buxheti për një projekt të vetëm të një vendi të Bashkimit Europian. Duke ndjekur informacionin e përvitshëm për shifrat e buxhetit gjithmonë në rritje, unë gjithmonë kam qenë i bindur dhe jam shprehur për këtë, se ky problemi nuk është kaq shumë financiar dhe nuk çalon aq shumë për mundësi dhënieje fondesh, por për mungesë vëmendjeje, ndjeshmërie, argumentimi, prioriteti, përqendrimi racional dhe sidomos etikë përgjegjshmërie që nuk e ka pasur klasa politike në përgjithësi, dhe sidomos disa ministra dhe zyrtarë të lartë të sektorit përkatës. Pa iniciativë krijuese, fare rutinor dhe të papërkushtuar në rritjen e arsyeshme të financimit për librin, që në planin e buxhetit të zinte në mënyrë strukturore e të përcaktuar një zë të veçantë, më të rritur se më parë dhe të qëndrueshëm në raport me rritjen e buxhetit nga viti në vit, ata nuk i kanë mbrojtur si duhet kërkesat nevojtare të librit për financim te ministri i Financave apo te vetë Kryeministri i vendit, si një dashamirës i njohur i librit, duke u mjaftuar ndoshta me një shkresë zyrtare, me një fjalë goje apo hiç fare me asgjë.
Një tjetër instrument që gjatë gjithë këtyre 20 viteve nuk ka funksionuar kurrë, por që në botë përbën ndoshta burimin më të madh të investimeve mbi librin dhe kulturën, është edhe ligji i subvencionit të kulturës, ku përfshihet edhe libri, një ligj ky i vdekur, plotësisht i varrosur nëpër sirtarë tavolinash të burokratëve, që për nga përmbajtja dhe mekanizmat nuk krijon asgjë dhe që, për pasojë, ka atrofizuar dhe kryer në zero çdo investim të sektorit privat apo këtij biznesi për librat dhe kulturën. Kjo është e vërtetë dhe është shumë tragjike. Nëse do të riaktivizohej ky ligj duke kërkuar dhe gjetur pika të përshtatshme praktike për kushtet tona social-ekonomike dhe historike, që t’i shkojë përshtat qëllimit të tij dhe përvojës mbarë-europiane, me mekanizma stimulues dhe lehtësues për financim ndaj një brezi specifik të kulturës, të pamundur për të mbajtur financiarisht rolin dhe pozicionin që i takon në gjithë hapësirën e identitet dhe karakter-formimit, atëherë edhe vetë buxheti i shtetit do të ndihej më i lirë për të menaxhuar më mirë investimet për kulturën. Sinergjia kulturë-biznes mund t’i japë oksigjenin e munguar tregut të librit shqip, ndaj nevojitet vetëm një vëmendje e përqendruar dhe e kujdesshme nga ana e qeverisë që të mundësohen të gjitha ato ligje dhe ndryshime strukturore që e bëjnë të qëndrueshëm dhe efektiv këtë treg.
Ndoshta ngaqë është i qetë, i pazhurmshëm, libri nuk duhet të harrohet apo anashkalohet, pasi çarjet e mëdha që hap në ndërgjegje, po kaq të padukshme dhe pa zhurmë mund të shkatërrojnë produktin edhe të shumë investimeve të mëdha mbi arsimin, edukimin dhe kulturën në përgjithësi, që nuk i kanë munguar kësaj qeverie. Nëse shikohet nga kjo barasvlefshmëri vlerash edhe për investime të tjera më të fuqishme financiare, atëherë edhe libri e kultura do të merrnin vendin që meritojnë në gjithë planin e investimeve, duke mos mbetur prapa edhe në këtë drejtim me perspektivën integruese europiane të cilën po priremi të formojmë. Mendoj se një seminar i karakterit ballafaques, në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe komunitetin e botuesve, do të ishte i nevojshëm, sepse jo vetëm që do të vinte në provë përligjjen e këtyre pretendimeve, por do të krijonte mundësi reale për shoshitjen e mendimeve, për të krijuar nëpërmjet njohjes së problematikës bazën e atij prioriteti të qartë që kërkon kultura e librit sot, sidomos në kushtet e krizës ekonomike aktuale.
© Panorama.al












