Si e vranë misionarin e pajtimit të çamëve

Dec 6, 2011 | 11:44

Historia shqiptare është e deformuar jo vetëm nga vetë shqiptarët e letrave të dikurshme, siç po shkruhet e debatohet shumë këto ditë, por edhe, sidomos nga të huajt, veçanërisht nga qarqe politike e nacionaliste antishqiptare. Ndërkohë, po kthehet në modë vlerësimi i figurave shqiptare kryesisht përmes citimit, vlerësimit dhe karakterizimit të të huajve, autorë, zyra apo institucione që kanë krijuar dokumente apo fonde për shqiptarët, ndërkohë që nënvlerësohen apo mënjanohen burimet shqiptare të informacionit dhe referencës. Pak a shumë ky ishte konkluzioni i bisedës që pata këto ditë me Hajredin Isufin, një nga historianët më të përkushtuar dhe më të palodhur të vendit tonë, posaçërisht i përkushtuar ndaj historisë dhe të ashtuquajturës “Çështje çame”. Profesor Hajredini, siç e thërrasin me respekt, mund të konsiderohet “enciklopedi” e gjallë mbi Çamërinë. Ndonëse në pension e në moshë të thyer, Hajredin Isufi më thotë se “po i jep dorën e fundit një monografie të re kushtuar Jasin Sadikut”. “Po kush është ky Jasin Sadiku?”, nxitohem të pyes unë. Me atë mirësinë dhe fisnikërinë e njeriut të ditur, Hajredini nuk përton të më prezantojë disa fakte për Jasin Sadikun e Çamërisë, këtë figurë aq të njohur për çamët dhe grekët e viteve ’30-’40 të shekullit të kaluar, por edhe ky disi i harruar dhe i mënjanuar nga librat historike dhe kujtesa zyrtare ashtu si Dom Nikollë Kaçorri i Mirditës. Jasin Sadiku është vrarë si sot 69 vjet më parë, saktësisht më 6 dhjetor 1942, në një pritë të organizuar pranë një fshati të krahinës së Marglliçit, pjesë e Çamërisë. Ishte 55 vjeç dhe në kulmin e veprimtarisë atdhetare. Ngjarja bëri bujë dhe pështjelloi keqas shqiptarë e grekë, myslimanë e të krishterë në atë periudhë të trazuar të Luftës së Dytë Botërore. Po të marrësh si burime informacioni vetëm arkivat dhe dëshmitë greke të asaj kohe, kryesisht ato zyrtare, të cilat pastaj niseshin nëpër kancelaritë dhe organizmat ndërkombëtare, si Lidhja e Kombeve, Jasin Sadiku del me ngjyrat më të zeza, deri edhe si “grabitës delesh” i familjeve të krishtera. Po ashtu, për të ushqyer tezat greke mbi bashkëpunimin e çamëve me pushtuesit, Jasin Sadiku rezulton si “bashkëpunëtor i italianëve”. Kulmi i manipulimit shënjohet në të ashtuquajturin “telegram” të parisë çame të Marglliçit, ku gjoja 700 familje myslimane të zonës, “me vullnetin e tyre të lirë”, na paskan shprehur dëshirën për t’u përfshirë në operacionin famëkeq të marrëveshjes greko-turke për shkëmbimin e popullsisë dhe pronave. Këtu “rezulton” firmëtar edhe Jasin Sadiku! E vërteta qëndron krejt ndryshe. Dhe këtë e thotë asokohe Mithat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, në një letër që i drejton ministrit të Jashtëm shqiptar në Tiranë, në datën 21 mars 1925. E vërteta rikonfirmohet nga nënkryetari i Komisionit Mikst të Lidhjes së Kombeve, i cili, në përmbushje të misionit të ngarkuar në Greqi, duke vizituar Çamërinë zbulon se telegrami i famshëm, në fakt, ishte hartuar nga komandanti i ushtrisë greke në Marglliç dhe se nënshkrimet e çamëve qenë të falsifikuara ose të marra nën presion. Në këtë rast Jasin Sadiku e takon vetë të dërguarin e Lidhjes së Kombeve, duke denoncuar manipulimin jo vetëm për firmën e tij, por edhe të krejt bashkëpatriotëve. Më 18 shkurt 1926, Jasin Sadiku i bashkohet nismës së një përfaqësie shqiptare për të hartuar një memorandum denoncues ndaj politikave të spastrimit etnik dhe shpronësimit me forcë që ndiqte shteti grek kundër çamëve. Përveç Jasinit, dokumenti i dërguar kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, nënshkruhej edhe nga Ali Dino, Mazar Dino, Haxhi Sejko, Mehmet Zëri, Ibrahim Bejazi e Adem Idrizi. Paria shqiptare i kërkonte kryeministrit grek që “minoriteti shqiptar në Greqi të ndihej në shtetin grek si shtetasit e tij, si në detyrime, ashtu dhe me të drejta të barabarta me grekët… Nëse nuk do të ndodhte kështu, do të mendojmë se qeveria greke synon asgjësimin ose largimin tonë”. Në një dëshmi të mëvonshme, dhënë nga vrasësi i Jasin Sadikut që u konsiderua hero nga autoritetet greke, shkruhet: “… Ai plumb ka lozur një rol të rëndësishëm për problemin çam. Në qoftë se Jasin Sadiku do të kishte jetuar, ngjarjet në Çamëri do të kishin rrjedhur shumë ndryshe. Jasin Sadiku me zgjuarsinë e tij, mençurinë e tij, diplomacinë e tij, zhdërvjelltësinë e tij, do të kishte shumë pasues. Pas vrasjes së tij, pasuesit nuk vepruan dhe u larguan nga Marglliçi”. Jasin Sadiku u vra pikërisht kur ishte duke kurorëzuar një nga nismat më fisnike, por edhe mjaft delikate për historinë e komunitetit çam në Greqi. Siç dihet, një nga problemet më të mëdha mes shqiptarëve në Greqi kanë qenë raportet mes shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve të krishterë. Në fillim të vitit 1942, në krahinën e Çamërisë u inskenuan disa vrasje mes shqiptarëve me fe të ndryshme- duke nisur me vrasjen e dy figurave çame të besimit mysliman: Tofik Qemalit dhe mjekut popullor Jahja Kasëmi. Vrasësit ishin dy të krishterë në pamje të parë, por në fakt qenë ushtarë të Napolon Zervës, që na qenkëshin prekur pse ishte sharë “flamuri dhe kombi grek”. Kjo do të thoshte fillim i katrahurës dhe hakmarrjes mes dy komuniteteve. Jasini nisi të shkojë fshat më fshat për të ribashkuar shqiptarët, madje, duke arritur një besëlidhje të bekuar nga prifti në fshatin Morfat. Në mision e sipër, duke shkuar në një fshat tjetër, ku e prisnin për besëlidhjen e radhës, Jasin Sadiku u vra me një breshëri plumbash nga antishqiptari i tërbuar Vasil Ballumi. Ndryshe nga ç’pritej pas kësaj vrasjeje të bujshme në Çamëri dhe përkundër gjithë atyre që e paraqisnin në korrespondencat zyrtare Jasin Sadikun si një “kriminel mysliman”, familja e madhe Sadiku dhe kryepleqësia e Marglliçit, kur morën vesh se të krishterët morën malet nga frika e hakmarrjes, dërguan lajm se asgjë e tillë nuk do të ndodhte dhe se nuk mund të hakmerreshin ndaj vëllezërve dhe fqinjëve të krishterë. Pas këtij lajmi, qindra të krishterë të fshatrave përreth, duke mbajtur nëpër duar shkopinj me beze të bardha në majë si shenjë paqeje, mbushën sheshin e Marglliçit, vendlindjes së Jasin Sadikut, duke i dhënë kështu fund hakmarrjes.

© Panorama.al

Te lidhura