“Gjyqësori, ndryshe nga pushtetet e tjera, nuk ka as shpatën dhe as thesarin, por vetëm gjykimin, dhe pikërisht për këtë arsye duhet të mbrohet nga presioni politik”, qartësonte Alexander Hamilton. Thelbi i këtij shkrimi është të mbrojmë demokracinë dhe veten tonë nga rreziku në rritje i autokracive. Mësuesi im i shkollës së mesme Niko Decka, më nguliti një rregull të artë të të mësuarit: “Përkufizimet duhet t’i mësoni përmendësh, pastaj ndërtoni argumentet plotësuese”. Ja si e përkufizon i fjalorit të Oxford-it: “Autokraci është një sistem qeverisjeje i një vendi ku një person ka pushtet të plotë — pa kufizime të forta kushtetuese apo mekanizma kontrolli”. Ndërsa John Stuart Mill do të na paralajmëronte se: “Shumë pak gjëra janë më të rrezikshme se pushteti i pakontrolluar; kur fuqia është e pakufizuar, tirania mund të vërë kapak mbi çdo liri”.
Në një moshë dhe përvojë jetësore që përfshin 32 vite të rritura gjatë komunizmit dhe 33 vite në një demokraci që nga funksionale po rrëshqet drejt autokracisë, ekziston baza e nevojshme për të dalluar qartë kontrollin partiak të shumicës ndaj gjyqësorit, një kontroll që u ngjan shumë kontrolleve punëtore dhe kooperativiste të periudhës komuniste. Ngjashmëria nuk është formale, por thelbësore, sepse qëllimi është i njëjtë: të identifikohen, të tremben dhe të ndëshkohen ata që nuk e ndjekin vijën e partisë, ashtu siç e imponon monarkia kryeministrore. Kur mbikëqyrja parlamentare shndërrohet në presion të drejtpërdrejtë ose indirekt, deri edhe në kërcënim publik nga Kryeministri se “mos na detyroni të gjejmë zgjidhje të tjera kushtetuese”, ky nuk është më debat institucional. Ky është një sinjal alarmi për prishjen e balancave që përbëjnë thelbin e një demokracie funksionale të kushtëzuar nga shteti i së drejtës. Me këtë “shumicë marramendëse” votash mund të ndodhë gjithçka, por ajo përbën një shkelje flagrante, arrogante dhe të rrezikshme të vijës së hollë të pavarësisë së gjyqësorit. Ky nuk është kërcënimi i parë i shumicës parlamentare abuzive ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ndërmori një “gjyq partizan” ndaj kryetarit të KLSH-së, një institucion i pavarur, duke përdorur gjuhë denigruese dhe duke marrë rolin e gjyqësorit për një çështje që lidhej me propozimin e KLSH-së për drejtorin e buxhetit në Ministrinë e Financave. Rruga e vetme ligjore ishte përballja në gjykatën. Po kaq shqetësuese është mungesa e mbështetjes buxhetore për gjendjen shpeshherë tragjike të kushteve të punës në prokurori dhe gjykata. Siguria në gjykata nuk verifikohet nga komisione parlamentare të ashtuquajtura të “qeverisjes qytetare”, por nga ekipe të specializuara me ekspertë të sigurisë kombëtare të ngritura nga Ministria e Drejtësisë. Konkluzionet, rekomandimet dhe kostot raportohen në Komisionin e Ligjeve, ndërsa në fazën e hartimit të buxheteve kërkohet angazhimi real i parlamentit për të garantuar kushtet minimale të funksionimit të sistemit gjyqësor në çdo nivel. Kjo nuk ndodh, sepse problemi nuk është mungesa e informacionit, por mungesa e vullnetit. Avokati i Popullit dhe Kuvendi duhet të shqetësohen seriozisht për rritjen e frikshme të rreth 140 mijë dosjeve, një kosto e rëndë ekonomike dhe demokratike që buron nga dështimi i reformave të shpallura si suksese historike, por që në praktikë kanë synuar kontrollin partiak dhe preferencial të çdo centimetri katror toke në çdo cep të Shqipërisë.
Reformat e dështuara nuk kanë arkitektë, por abuzues. Ato kanë shkelur rëndë të drejtat themelore të shtetit ligjor dhe të mijëra shqiptarëve, të cilëve, përmes paqartësisë pronësore dhe bllokimit të gjykatave, po u rrëmbehen pronat dhe po u jepen investitorëve strategjikë dhe kullave ndërtuese, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Në teorinë dhe praktikën e demokracisë kushtetuese, raporti midis pushtetit legjislativ dhe atij gjyqësor është një nga balancat më delikate të shtetit të së drejtës. Ndryshe nga ekzekutivi, i cili i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë parlamentar, gjyqësori mbrohet nga Kushtetuta përmes pavarësisë funksionale dhe institucionale. Kjo mbrojtje nuk është privilegj i gjyqtarëve, por garanci për qytetarët. Kur kjo garanci dobësohet, drejtësia humbet aftësinë për të vepruar si pushtet neutral dhe arbitrariteti politik gjen terren. Kur kryetari i një komisioni parlamentar kërkon të “inspektojë” një gjykatë konkrete, si Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me justifikimin e rritjes së eficiencës në luftën kundër pastrimit të parave, nuk kemi të bëjmë me një debat teknik, por me një shkelje të hapur të parimit të ndarjes së pushteteve.
Në standardet ndërkombëtare, eficienca në luftën kundër pastrimit të parave nuk matet me presion ndaj gjykatave, por me koherencën e kuadrit ligjor, kapacitetet e hetimit financiar, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përputhshmërinë me standardet e FATF dhe MONEYVAL. Zhvendosja e fokusit nga politikat te një gjykatë konkrete është individualizim i presionit, jo mbikëqyrje sistemike. Komisioni i Venecias ka qenë i qartë: parlamentet nuk duhet të përdorin kompetencat e tyre për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë apo indirekt mbi gjykatat ose gjyqtarët individualë. Edhe GRECO paralajmëron se presioni politik sot manifestohet më shumë në forma indirekte, përmes deklaratave publike dhe procedurave parlamentare që krijojnë efekt frikësues.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se edhe perceptimi i ndikimit politik cenon nenin 6 të Konventës, sepse dëmton besimin e publikut tek paanshmëria e drejtësisë. Në kontrast të plotë me këtë prirje, përvoja amerikane tregon përvojë referuese institucionale. Kongresi nuk inspekton gjykatat, nuk analizon vendimet dhe nuk mat eficiencën përmes performancës gjyqësore. Kontrolli realizohet përmes procesit të emërimit, buxhetit dhe politikave të përgjithshme, jo përmes frikësimit pasues. Ky model mbron pavarësinë reale të gjyqësorit, pavarësisht polarizimeve politike.
Debati në Shqipëri nuk është nëse Parlamenti ka të drejtë të kontrollojë politikat publike. Pyetja është nëse ai ka të drejtë ta zhvendosë këtë kontroll mbi gjykatat. Përgjigjja është qartësisht jo. Montesquieu paralajmëronte se nuk ka liri pa ndarje të pushteteve. James Madison e quante përqendrimin e pushteteve tirani. Këto nuk janë citime për libra, por udhërrëfyes për të shmangur tiranitë moderne, përfshirë ato kryeministrore. Shqiptarët kanë një sfidë të madhe: të dallojnë në kohë çdo formë të tiranisë që kërcënon jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të mbrojnë demokracinë funksionale përballë autokracive kryeministrore.
/ Gazeta Panorama
© Panorama.al












