Shullazi, armë e antiplumb “me leje”

May 17, 2011 | 11:09
Emiliano Shullazi, duke dalë nga Gjykata e Faktit e Tiranës

Emiliano Shullazi kishte shkuar për një darkë në zonën e Farkës pasditen e 8 majit, ditën e zgjedhjeve, dhe nuk kishte me vete armë apo radio.Ai është gjendur rastësisht në automjetin ku policia zbuloi sendet e jashtëligjshme. Ndërsa, jelekun antiplumb ai e mbante për arsye personale. Të paktën kështu është pretenduar nga mbrojtja e të arrestuarit Emiliano Shullazi, në seancën e caktimit të masës së sigurisë në Gjykatë. Gjykata e Tiranës, zbardhi vendimin që caktoi “arrest me burg” ndaj Shullazit. Në vendim jepen hollësi në lidhje me arrestimin e Shullazit, që bëri bujë ditën e zgjedhjeve. Ai dyshohet nga prokuroria për kryerjen e veprave penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “mbajtjes pa të drejtë të uniformës”. Bashkë më të policia ndaloi edhe 11 persona të tjerë. Për tre prej tyre, Arbër Carën, Ilir Shullazin dhe Altin Mashën, Gjykata e Tiranës caktoi masa sigurie shtrënguese.
ARRESTIMI
Sipas vendimit të gjykatës, policia ishte gjendur aty ku ishte Shullazi në orën 18:00 të 8 majit, pasi ishte njoftuar se “në zonën e Farkës, Tiranë, lëviznin disa persona të armatosur me disa automjete”. “Menjëherë pas marrjes se njoftimit, forca të shumta policore kanë shkuar në zonën e Farkës dhe konkretisht në vendin e quajtur Liqeni i Thatë, pranë Liqenit Artificial në Tiranë, ku janë konstatuar 4 automjete dhe 12 persona. Nga kontrolli i ushtruar automjeteve dhe 12 personave kanë rezultuar dhe u kapën brenda automjetit Mercedes Benz Sel, me ngjyrë të zezë, me targë TR 4028 J, shtetasit Altin Masha, Ilir Shullazi dhe Emiljano Shullazi. Nga kontrolli fizik këtyre personave nuk u janë gjetur sende të kundërligjshme, por shtetasi Emilajno Shullazi mbante të veshur një jelek antiplumb”, thuhej në vendim. Po sipas vendimit, në automjetin “Benz” janë gjetur më pas dy armë pistoleta, si dhe tri radio marrëse-dhënëse. Ndërkohë, që në një kontroll fizik në banesën e Shullazit, policia ka sekuestruar si provë materiale një pistoletë trofe.
MBROJTJA
Para gjykatës, mbrojtësi i Emiliano Shullazit ka pretenduar se klientit të tij nuk i ishte mundësuar një avokat teksa ka dhënë shpjegime për prokurorinë. Referuar vendimit të gjykatës, avokati i Shullazit ka pretenduar se “Ai (Shullazi) ditën e ngjarjes ndodhej rastësisht në atë makinë, e cila ishte e shokut të tij, Altin Masha. I arrestuari ishte në Farkë për një darkë dhe nuk ka pasur armë, as radio. Ato që gjendeshin në makinë ishin lodra si dhe ato i ka pasur pronari i makinës. Vepra penale e ‘mbajtjes pa leje e uniformës’ nuk ekziston pasi të arrestuarit nuk i është gjetur veshur ndonjë uniforme punonjësi policie, por një jelek antiplumb që e mbante për arsye personale. Arma që i është gjetur në shtëpi është trofe dhe nuk ka ndonjë vlerë”. Po sipas vendimit, vetë Shullazi ka deklaruar para gjykatës se pistoletën trofe e kishte blerë në Turqi 10 vjet më parë. Sipas tij, shtëpia i ishte kontrolluar disa herë nga policia, por mbajtja e kësaj arme nuk i ishte konsideruar e paligjshme. “Në lidhje me jelekun antiplumb, që iu gjet veshur të arrestuarit, ai sqaroi se këtë jelek e kishte blerë në Amerikë që prej 10 vjetësh dhe ka ardhur me faturë, duke kaluar doganat dhe po të ishte i paligjshëm do të ishte bllokuar. Në jelek nuk ka mbishkrim që të thotë ‘Policia'”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Shullazi pengoi mitingun e PS-së gjatë fushatës

Emiliano Shullazi, u ndalua në mesin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, pasi sipas Policisë së Tiranës pengoi zhvillimin e një tubimi të Partisë Socialiste. Ngjarja ndodhi në Njësinë bashkiake Nr. 7 në Tiranë. Sipas policisë, Shullazi kishte mbërritur në lokalin ku po mbahej takimi i deputetëve të PS-së dhe elektoratit, dhe pasi kishte kërkuar heqjen e pajisjeve të fonisë, i kishte thyer ato e më pas kishte përzënë pjesëmarrësit. Policia e mbajti Shullazin për disa orë të shoqëruar dhe më pas e la të lirë. Gjykata më vonë gjeti shkelje në hetimin e prokurorisë lidhur me këtë ngjarje, për shkak se kallëzimi i marrë nga deputetët e PS-së ishte i pa protokolluar, dhe më tej nuk ishin evidentuar dëmtimet e bazës materiale në ambientin ku po bëhej takimi elektoral, si dhe nuk ishin marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Në lidhje me këtë ngjarje, Shullazi është shprehur në dëshminë e tij se shkak i veprimeve që ka kryer ka qenë fakti se ka pasur një të sëmurë në shtëpi dhe për rrjedhojë kishte shkuar tek lokali ku mbahej takimi elektoral dhe kishte kërkuar uljen e volumit të zërit të pajisjeve të fonisë.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura