
Ndërron jetë në moshën 66-vjeçare kreu i PKSH-së.
Miqtë: Bëri 10 herë kërkesë për të marrë teserën, por nuk ia dhanë asnjëherë.
Shuhet në moshën 66-vjeçare kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi. Ai ishte i shtruar në spitalin e Sanatoriumit, pasi vuante nga sëmundja e mushkërive, fibroza pulmonare, kur ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Duket se sëmundja ka qenë një problem i hershëm i Milloshit, siç edhe tregojnë në familjen e tij, teksa nxjerrin kafet e mortit. Është mesditë dhe në apartamentin e njërit prej tre djemve të tij, Gjergjit, ende nuk kanë ardhur shumë njerëz për ngushëllim. Të parët që vijnë për vizitë, janë disa banorë dhe farefis nga Macukulli i Matit, vendlindja e Hysni Milloshit. Teksa mundohen ta kujtojnë, nisin edhe bisedat e para, ku mund të zbulosh anët e panjohura të të ndjerit – që nga shkollimi, karriera, veprimtaritë artistike, si dhe një histori të bukur dashurie, por po aq edhe të dhimbshme…
Pas shkollës 8-vjeçare në vendlindje, Milloshi studioi në Shkollën e mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shkollën e lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. U diplomua si oficer gjitharmësh. Punoi si sekretar i Komitetit të Rinisë në Korpusin e Shkodrës, ku edhe filloi studimet me korrespondencë në universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, në degën Gjuhë-Letërsi. Më pas, ai u dërgua nga Ministria e Mbrojtjes për studime në Universitetin e Tiranës, ku kreu Fakultetin e Shkencave Juridiko-Politike. Për një kohë të gjatë, Milloshi punoi si gazetar dhe drejtues në organet e shtypit ushtarak, si dhe ishte kryeredaktor gazetën “Studenti”. E gjithë kjo panoramë e shkollimit, si dhe fakti që në dy dekadat e fundit u identifikua në krye të komunistëve shqiptarë, të jep përshtypjen se ai ka kaluar një jetë në mes privilegjesh gjatë sistemit diktatorial. Megjithatë, rrëfimet e miqve të vjetër na dëshmojnë një tjetër realitet. Sipas tyre, Hysni Milloshi, kryetar i Partisë Komuniste që nga viti 1991, nuk është pranuar kurrë më parë në radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë, si dhe është ulur e transferuar në detyrë disa herë. “Nga viti 1968, kur shërbente në repartin e Vaut të Dejës dhe deri në vitin 1989, kur punonte në shtypin ushtarak, Milloshi ka bërë 10 herë kërkesë me shkrim për t’u anëtarësuar në PPSH. Në të gjitha rastet ka marrë përgjigje negative, që më së shumti lidheshin me rrethin biografik të papërshtatshëm dhe me frymën liberale në krijimtari. Për herë të fundit, kërkesa e Milloshit është shqyrtuar në dhjetor të vitit 1990, në organizatën e partisë të shtypit ushtarak. Edhe pse është pranuar nga kjo e fundit, është kundërshtuar nga Komiteti i Partisë i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili refuzoi t’i jepte teserën e anëtarit të Partisë për arsye subjektive. Pra, edhe kur Ramiz Alia apeloi për t’i hapur e zgjeruar organizatat e partisë, Milloshi nuk e pati fatin të zyrtarizohej si anëtar i Partisë”, thotë njëri nga miqtë e tij të vjetër, ndërsa të tjerët tundin kokën në shenjë pohimi. Një tjetër prej shokëve vijon fjalën e tjetrit, duke treguar se “në vitin 1974, menjëherë pas procesit gjyqësor ndaj gjeneralëve puçistë, Hysni Milloshin, atëherë kryeredaktor i botimit ushtarak “10 Korriku”, e transferuan nga Ministria e Mbrojtjes. E çuan në Delvinë, madje në një bateri të skajshme, me detyrën e ulët të komandantit të togës. E gjitha kjo, pse kishte shkruar më parë artikuj pozitivë në shtypin ushtarak rreth gjeneralëve. Në vitin 1977, u ritransferua në një garnizon malor në Berat, ku shërbeu disa vite. Njohja rastësore me Mine Gurin, ish-sekretaren e parë të Partisë së rrethit, gjatë një aktiviteti kulturor ku Milloshi tërhoqi vëmendjen me recitimin e një poeme të tij (Atdheu), u bë shkak për t’i hequr barrierat e karrierës artistike e ushtarake, por edhe për ta rikthyer në shtypin ushtarak, ku qëndroi deri në vitin 1989”. Më pas, pak a shumë dihet jeta e Milloshit në dy dekadat e fundit. U mor gjithë kohës me riorganizimin e Partisë Komuniste, por edhe me krijimtari letrare.
Pas viteve ‘90
Më 10 shkurt 1991, Milloshi krijoi organizatën politike “Enver Hoxha”, që u kthye në lëvizje mbarëpopullore në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Po në këtë vit u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit. Me daljen e PKSH-së jashtë ligjit u arrestua, por u la shumë shpejt i lirë. Në Kongresin e 11-të të PKSH-së, më 4 qershor 1995 dhe në të 12-in, më 7-8 nëntor 1998, u rizgjodh në krye të Partisë, si dhe sekretar i Parë i Komitetit Qendror. Së fundi, në zgjedhjet e 8 majit 2011, Hysni Milloshi kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ku mori 1400 vota.
Dashuria
“Te postblloku pret një vajzë” është një baladë e Milloshit, mbase ndër më të bukurat e tij. Ajo i kushtohet Antonetës, që më pas u bë gruaja e tij. Por para se të martoheshin, ata kanë ndenjur 15 vite në dashuri të fshehtë dhe në largësi. Kurorëzimi nuk pranohej për shkak të biografisë së Milloshit. Pas martese, ata patën 3 djem, por fatkeqësisht Antoneta ndërroi jetë, duke i lënë më të voglin 1 vjeç e gjysmë. Siç rrëfejnë të afërmit në varrim, Milloshi nxori disa letra dhe lexoi qindra vargje për Netën. Iu betua se nuk do të martohej kurrë më dhe se se do të kujdesej vetë për djemtë. Betim, që e mbajti deri në vdekje.
Varrimi
Trupi i të ndjerit Hysni Milloshi do të përcillet sot në mesditë drejt banesës së fundit. Familja dhe anëtarët e Partisë Komuniste Shqitare kanë organizuar një ceremoni 1-orëshe pranë godinës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku do t’i bëhen nderimet nga ora 11:00-12:00. Më pas, kortezhi mortor do të niset për në Varrezat e Tufinës për t’i dhënë lamtumirën. E gjithë ceremonia është private, pra nuk është e organizuar me protokoll shtetëror. Ambientet e SHQUP-it për ceremoninë janë marrë me qira nga familja.
Milloshi si njeri i letrave, çmime dhe medalje
Në moshën 22-vjeçare ai u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka botuar librat: “Dëshira e një skënderbegasi”, “Te postblloku pret një vajzë”, “Vatra e kuqe”, “Pushka dhe poeti”, “Djaloshi nga Dropulli”, “Kasollja e Galigatit”, “Me dëborë mbi supe”, “Atdheu” dhe shumë poema të tjera në organet e shtypit. Poezi të tij, si “Nënë moj do pres gërshetin”, “Kasollja e Galigatit”, “Një djep në barrikadë” etj., janë të njohura si këngë. Dramat e tij, si: “Vajza e komitit”, “Komandanti i Lirisë”, “Komediani në mal” dhe “Familja Bulku”, janë vënë në skenë nga teatrot profesionistë. Ka botuar edhe libra politikë, si: “Shqiptari i madh Enver Hoxha”, “Komisari i Epokës”, si dhe disa broshura në gjuhë të huaja. Ka fituar çmime në konkurse kombëtare për libra poetikë dhe romanin “Skënderbegasit e vitit 1945”. Për disa vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Beratit. Për veprimtari të shquar në fushën e artit e të gazetarisë është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri”, urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Tretë, urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Dytë dhe urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Parë.
AFRIM IMAJ/ ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











