Shuhet Leka Zogu, varrimi me uniformë ushtarake. Detajet e ceremonisë

Dec 1, 2011 | 8:58

Pas më shumë se dy javësh i shtruar në spital, ndërroi jetë dje në moshën 72-vjeçare pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë.

Nga sa pohuan mjekët, ai nuk ka mundur t’i mbijetojë arrestit kardiak (infarkt), i dyti brenda pesë ditësh. “Ka qenë gjatë gjithë kohës i vetëdijshëm deri në momentin kur pësoi fibrilacionin arterial, i cili më pas e çoi në arrest kardiak”, konfirmuan bluzat e bardha. Gati dy orë pas vdekjes, zëdhënësi i familjes mbretërore, me anë të një deklarate për mediat, konfirmoi lajmin. “Sot, në orën 08:45, në klinikën e neurologjisë ka pushuar zemra e naltmadhënisë Leka Zogu I. Naltmadhënia pushoi së marri frymë nga vuajtja e zemrës dhe mushkërive”, tha përfaqësuesi i oborrit mbretëror, Sulejman Gjana. Sipas tij, të premten, më 25 nëntor, Leka Zogu pësoi arrest kardiak dhe funksioni i zemrës ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur në punë organet jetësore. “Prej disa ditësh mbreti jetonte nëpërmjet intubimimit. Falënderojmë mjekët për shërbimin e specializuar. Familja mbretërore ngushëllon popullin shqiptar për humbjen e mbretit legjitim”, tha Gjana. Ndërkaq, burime nga stafi i mjekëve pohuan se ditët e fundit, një pjesë e organeve të Leka Zogut kishin dalë tërësisht jashtë funksionit. “Të paktën pesë ditët e fundit gjendja shëndetësore ka qenë mjaft e rëndë, mund të themi në kufijtë e rrezikut për jetën”, thanë mjekët.
PESËMBËDHJETË DITË NË SPITAL Për më shumë se dy javë pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu I, ka qëndruar i shtruar në reanimacionin e shërbimit të neurokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Ai është sjellë pasditen e datës 15 nëntor me urgjencë pasi shfaqi vështirësi në frymëmarrje. Leka Zogu është mjekuar për vuajtje mitisistemike të organizmit, ku mbizotëronin zemra dhe mushkëritë. Jo pa qëllim u zgjodh reanimacioni i neurokirurgjisë për të trajtuar pretendentin e fronit mbretëror, pasi shefi i këtij shërbimi, Mentor Petrela, mësohet se ka qenë mjeku personal i Leka Zogut për vite me radhë. Tri ditë pas shtrimit, Petrela, gjatë një prononcimi për mediat, sqaroi diagnozën. Sipas Petrelës, ai vuante në mënyrë kronike nga dëmtime të disa organeve, të cilat për shkak të moshës janë përkeqësuar në funksionimin e tyre. “Bëhet fjalë për një sëmundje që quhet multisistemike, që do të thotë se janë disa sisteme, të cilat janë të interesuara (të prekura) dhe që kanë sjellë një vuajtje”, deklaroi dy javë më parë Mentor Petrela. Ai nuk ka qenë i pranishëm në momentin kur Leka zogu ka dhënë shpirt, për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.
PËRMIRËSIMI I PËRKOHSHËM Një javë pas shtrimit mjekët u shprehën optimistë për gjendjen shëndetësore të pretendentit të fronit mbretëror, pasi pati përmirësime. “Është i vetëdijshëm dhe shfaq një stabilizim të gjendjes shëndetësore. Por rreziku për jetën mbetet”, tha Mentor Petrela më 20 nëntor. Shpresat e stafit të mjekëve nisën të zbehen pak ditë më pas, kur pretendenti për fronin mbretëror nisi të përkeqësohej sërish deri kur më 25 nëntor ai kaloi infarktin e parë. “U mbajt disa orë në intubim me oksigjen dhe kujtuam se e humbëm. Por u kthye sërish në jetë. Që prej asaj dite gjendja shëndetësore ka qenë e rëndë, por u përkeqësua më shumë pas ditës së hënë”, pohuan burime nga stafi i mjekëve. Sipas tyre, në të tilla raste përmirësimi i shëndetit ndodh për periudha të shkurtra kohore. “Prandaj nuk mund të flitet me siguri. Edhe vetë pacienti duket sikur po e kalon sëmundjen, por në fakt janë diagnoza që përgjithësisht çojnë në humbje të jetës”, thanë mjekët. Përgjatë gjithë kohës në reanimacion pretendentit për fronin mbretëror i kanë qëndruar pranë familjarët e tij dhe të gjithë dashamirësit e përfaqësuesit e Partisë Lëvizja e Legalitetit. I biri, Princi Leka, së bashku me bashkëshorten, janë lejuar të qëndrojnë brenda ambienteve të reanimacionit. Burime nga spitali pohuan se ata janë parë duke dalë nga spitali të përlotur. “Princi Leka me bashkëshorten ishin të dy të veshur me të zeza dhe shoqëruan trupin gjatë transportit për në morg”, thanë burime nga stafi i mjekëve.

STAFI I MJEKËVE
Një staf i specializuar mjekësh dhe infermierësh i ka ofruar asistencë mjekësore për 15 ditë me radhë pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Nga sa konfirmoi Drejtoria e QSUT-së, në dispozicion të tij kanë qenë 12 infermierë dhe 5 mjekë, të cilët i kanë qëndruar gjatë gjithë kohës te koka. Shefi i shërbimit të neurokirurgjisë, Mentor Petrela, ka ndjekur Leka Zogun prej vitesh. Kjo ishte dhe arsyeja pse ai u shtrua në reanimacionin e neurokirugjisë. Por dy ditët e fundit mësohet se Petrela nuk ka qenë në Shqipëri.

VASILI: ËSHTË NDJEKUR NË MËNYRË INTENSIVE
Familjen mbretërore e ngushëlloi dje edhe ministri Vasili për humbjen e trashëgimtarit të fronit, princ Leka Zogu I. “Ndarja nga jeta e trashëgimtarit të fronit, Leka Zogu I, është një humbje e madhe. Është një moment i dhimbshëm për të gjithë, familjen, popullin dhe ekipin e mjekëve e infermierëve që me shumë përkushtim u kujdesën për shëndetin e trashëgimtarit të fronit”, u shpreh ministri i Shëndetësisë nga ambientet e neurokirurgjisë, në orët e para të mëngjesit.

Familjarët: U përlot e kërkoi një flamur për festën e Pavarësisë
Përlotje dhe një flamur për datën 28 Nëntor. Festa e pavarësisë e gjeti në spital pretendentin për fronin mbretëror. Nga sa na konfirmuan familjarët e tij, që në mëngjes herët, pasi ka pyetur për datën, Leka Zogu është përlotur dhe ka kërkuar t’i sjellin një flamur që ta vendoste pranë dritares së dhomës. “Uroi festën dhe kërkoi t’i sillnin një flamur kuqezi”, thanë familjarët. Kjo ka qenë një nga dëshirat e fundit të pretendentit për fronin mbretëror. Po kështu, nga sa ka pohuar drejtori i QSUT-së, Samir Ivziku, mesditën e datës 29 Nëntor Leka Zogu ishte i vetëdijshëm dhe ka komunikuar me të për gjendjen shëndetësore. “Shkëmbyem disa fjali dhe mbreti, pavarësisht se me frymëmarrje artificiale, arrinte të fliste normalisht”, është shprehur Ivziku. Burime nga stafi i mjekëve pohuan se pretendenti për fronin mbretëror nuk ka rënë për asnjë çast në koma.

Trupi, tri ditë në morg, “tërhiqet” të shtunën
Homazhet zyrtare do t’i bëhen të shtunën në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, por deri atëherë, për tri ditë me radhë, trupi i pretendentit për fronin shqiptar, Leka Zogu I, do të qëndrojë në morgun e Tiranës. Familjarët kanë rënë dakord me këtë fakt për shkak të frikës së dekompozimit të trupit, ndërsa deri nesër në orën 09:00 ende nuk dihet asgjë e saktë për detajet e ceremonisë dhe varrimit. Paraprakisht ka dalë një njoftim për shtyp nga Kryeministria, por nga oborri mbretëror na thonë se “nesër (sot) në orën 09:00 do të ketë një takim në nivel qeveritar, ku ne do të kemi një përfaqësues të familjes mbretërore për të parashtruar kërkesat tona për nderimet e fundit të Naltamadhnisë së tij, Leka Zogu I. Deri atëherë, nuk mund të themi asgjë konkrete”. Sa i përket protokollit mbretëror lidhur me ditët se sa mund të rrijë një monark pa u varrosur, nga rezidenca mbretërore na bëjnë të ditur se “nuk ka një rregull, një përcaktim të saktë mes kohës së vdekjes së një mbreti dhe varrimit të tij. Funerali varet vetëm nga përgatitjet, në mënyrë që ato të jenë të një niveli sa më të lartë”

Pengu i Leka Zogut, kthimi i eshtrave të babait në atdhe
Një fushatë e nisur me utopi që nga komunizmi, e vijuar me shpresa të mëdha në demokraci dhe e premtuar zyrtarisht vetëm së fundi nga Kryeministri Sali Berisha, por që fatkeqësisht Leka Zogu I nuk arriti dot ta realizonte. Tashmë ky është amaneti për birin e vetëm, princin Leka Zogu II, që pas vdekjes së Leka Zogut I dje në mëngjes, është automatikisht pretendenti i ri i fronit mbretëror shqiptar. “Kthimi në atdhe i eshtrave të babait të tij, Ahmet Zogut, ka qenë dëshira e hershme e mbretit Leka Zogu I dhe ndër dekada ka zhvilluar vazhdimisht negociata, pavarësisht se kush ka qeverisur. Kur më në fund ishte në prag të realizimit të ëndrrës, pasi i ishte premtuar kthimi me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ai ndërroi jetë duke i lënë kështu përmbushjen e amanetit djalit Leka Zogu II”, thonë burime nga oborri mbretëror, që në këtë rast “oborri” është godina e ish-Pallatit të Pionierit në Tiranë. Me pamje gri nga jashtë, por plot me ngjyra dhe relikte të çmuara nga brenda, dyert e rezidencës dykatëshe kanë qëndruar dje gjatë gjithë ditës të hapura për vizita. Kështu do të jenë deri të shtunën, pasi siç na informuan zyrtarisht nga Pallati Mbretëror, çdokush që dëshiron mund të ngushëllojë familjen. Ashtu si ne… Sapo hymë, në krah të majtë, ndodheshin anëtarët e familjes mbretërore. Princi Leka II dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia, na falënderuan për prezencën, na falënderuan pas çdo fjale ngushëlluese, por më shumë na falënderuan nëse “i lëmë të qetë për ca ditë, për ndonjë intervistë të mundshme”. “E dini? Kam marrë shumë mesazhe personalitetesh dhe i vlerësoj shumë ato. Por, kam marrë gjithashtu mesazhe nga qytetarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shumë shqiptarë të tjerë nga diaspora. Kjo tregon që im atë nuk ishte vetëm mbret i Shqipërisë, por i të gjithë shqiptarëve”, thotë Leka II gjatë një bisede të shkurtër për “Panorama”, ndërsa shton: “Familja mbretërore ngushëllon popullin shqiptar për humbjen e mbretit legjitim dhe çdokush që dëshiron të bëjë nderimet e fundit, është i mirëpritur në rezidencë”. Me lot prej biri, princi dhe prej trashëgimtari të ardhshëm, Leka Zogut II i reflektohej në fytyrë dhimbja reale për humbjen e njeriut të dashur, që në sytë e publikut ishte mbreti i shqiptarëve. Pranë tij ndodhej edhe Skënder Zogu, i kthyer nga Franca me këtë rast, kushëriri i Leka Zogut I, ndërsa pritej mbërritja e të afërmve të tjerë: Ergun Zogu (nipi i Zija Pashë Zogollit), Sermet Agolli Dushishti (nipi i Mbretit Zog), motra e Geraldinës nga Marseja, me djalin e saj, Reno, i cili është deputet në Francë me partinë e Presidentit Sarkozi etj. Sakaq, në rezidencë shihej qartë prezenca e madhe e legalistëve, duke ia nisur që nga kryetari Ekrem Spahia, që rrinte ngjitur me treshen mbretërore Leka-Elia- Skënder, ndërsa nënkryetari Sulejman Gjana hynte e dilte sipas vizitave dhe kërkesave, për shkak të angazhimit të tij me organizimin dhe pritjet. Si i tillë, ne e pyetëm rreth personaliteteve që kanë shkuar për ngushëllim apo kanë çuar mesazhe dhe ai radhiti një listë të gjatë me emra kombëtarë dhe ndërkombëtarë nga fusha të ndryshme. Sigurisht, me shumë “merak” Gjana përmendi qeveritarët, diplomatët, përfaqësuesit e mbretërive të huaja etj., por shmangu disa herë përgjigjen rreth kuriozitetit tonë për emrat e politikanëve të majtë. Një devijim informacioni me takt nga ai, por një këmbëngulje krejt pa takt nga ne, derisa më në fund morëm përgjigjen: “Jo, asnjë politikan i majtë nuk ka ngushëlluar”. Ndërkaq, i pyetur rreth dëshirës së fundit të të ndjerit, Gjana duket se di më shumë se sa amaneti, edhe pse duke respektuar protokollin dhe hierarkinë, me gjasë tregon shumë pak. Në fakt, pak e saktë: “Viti i ardhshëm, që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duhej të ishte viti i bashkimit të eshtrave të familjes mbretërore. Nëna Geraldinë dhe bashkëshortja Suzanë prehen në Sharrë, i cili është vendvarrimi i përkohshëm për to dhe janë në pritje të rikthimit të eshtrave të Ahmet Zogut. Që të tre, ashtu siç u takon, duhet që të varrosen përfundimisht pranë nënës Sadije, apo siç njihet ndryshe nga të gjithë, te Varri i Nanës Mbretneshë, pranë parkut të Liqenit të Tiranës”. Me aq sa ka dijeni Gjana, Leka Zogu I nuk ka lënë ndonjë testament, ndërsa dikush tjetër pranë Pallatit Mbretëror na informon se ai prej kohësh kishte nisur një autobiografi, por që për shkak të shëndetit të dobët nuk e ka përfunduar dot.

VESI I VJETER
Prej vitesh Leka Zogu I konsumonte mesatarisht dy paketa duhan në ditë. Ai, edhe pas shtrimit në reanimacion është shprehur se e kishte të vështirë të hiqte dorë nga ky ves. “Eh… duhanin, nuk mund ta lë”, është shprehur Leka Zogu dy ditë pas shtrimit në reanimacion. Ndërkaq, në këtë shërbim nuk mund të hynte askush përveç personave që lejoheshin nga familjarët e pretendentit për fronin mbretëror. Jashtë, për 24 orë, truproja e familjes mbretërore 24 orë ka monitoruar çdo lëvizje.

LEKA ZOGU II, MBRET BRENDA 10 DITËVE
Brenda 10 ditësh nga vdekja e babait, Leka Zogu II duhet të organizojë një ceremoni ku ta shpallë veten zyrtarisht “Mbret të Shqiptarëve”. “Për trashëgiminë mbretërore do të zbatojmë Kushtetutën e Monarkisë. Në nenin 51 thuhet se ‘trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit’”, thonë burime nga familja mbretërore, ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh.

BETIMI QË BËHET SIPAS KUSHTETUTËS
Sipas Statutit themeltar të Mbretërisë Shqiptare, Leka Zogu II duhet të bëjë betimin: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.

Leka Zogu do varroset me uniformë ushtarake
kabinetit qeveritar u mbajt një minutë heshtje, si dhe u miratuan dy vendime për organizimin e ceremonisë mortore. Kështu, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje. Në të njëjtën kohë Radio- Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, do të transmetojë muzikë funebre. Në mbledhjen e djeshme u ngrit komisioni shtetëror për kryerjen e ceremonisë funebre. Ky komision do të përbëhet nga zv.kryeministri Edmond Haxhinasto, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, një përfaqësues i Oborrit Mbretëror, një përfaqësues i protokollit të shtetit dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ndalimi i kthimit të atdhe të familjes mbretërore pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte një nga veprimet më arbitrare të Enver Hoxhës. “Mbreti Zog u largua nga Shqipëria, ashtu siç u larguan mbretërit e tjerë, nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazifashiste. Por Mbreti Zog qëndroi në të gjithë kohën, në anën e koalicionit antifashist. Më 7 prill 1939, forcat dhe mbështetësit e tij, të udhëhequra nga Abaz Kupi, luftuan me trimëri në Portin e Durrësit. Natyrisht, Lufta Nacionalçlirimtare mori edhe aspektin e saj vëllavrasës, siç dëshmojnë dokumente të panumërta dhe kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim, të garantonte me çdo kusht Enver Hoxha pushtetin”, u shpreh Kryeministri. Ai u ndal gjithashtu edhe te referendumi i vitit 1997, për të cilin tha se nuk është një çështje e mbyllur. “Në vitin 2003, Parlamenti shqiptar votoi ligjin, ku i njeh atributet familjes mbretërore dhe ky ishte një vendim shumë i drejtë. Dua të theksoj se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se pa diskutim në atë referendum dominoi parimi stalinist: ju votoni, numërimin e votave jua bëj unë. Por ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh, për mbretin e tyre. Referendumi nuk e kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata, të cilët manipuluan dy javë rresht votat e referendumit”, u shpreh më tej Berisha.
CEREMONIA Skënder Zogu, djali i xhaxhait të princit Leka, zbuloi dje në një intervistë në “Top Channel” detaje nga ceremonia mortore, që do të zhvillohet të shtunën. Sipas tij, kjo ceremoni do të zhvillohet në Parlament, sipas vendimit të qeverisë dhe Mbreti do të vihet në arkivol me uniformë ushtarake. “Kanë ardhur me qindra persona në pallat dhe na kanë qëndruar me të vërtetë shumë pranë. Një zonjë mes filmimeve tuaja tha që Mbreti s’ka bërë ndonjë gjë, por ai ka luftuar gjithmonë. Jetën e sakrifikoi në mërgim. Ka pasur gjithmonë si ideal Shqipërinë, lumturinë e popullit, çlirimin nga serbët… Do të jetë një ceremoni e zakonshme, si u bë për nënën Geraldinë dhe Suzanën. Do të vihet në arkivol me uniformë ushtarake. Pas ceremonisë në Parlament do të shkojë në varreza në Sharrë, ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës. Do të mbahen edhe lutje fetare sipas zakoneve tona myslimane”, tha Skënder Zogu. Ai tha se për këtë ceremoni do të vijnë të afërm nga Turqia, Franca, Jordania, Arabia Saudite dhe Spanja. I pyetur se çfarë do të ndodhë më pas, kushëriri i Leka Zogut thotë: “Vazhdon trashëgimia. Ai ka lënë një trashëgimtar, që do të vazhdojë në rrugën e gjyshit dhe babait të tij. Leka II punon në Ministrinë e Brendshme, mban një detyrë zyrtare dhe vazhdon në këtë rrugë, kjo është e ardhmja. A duhet të martohet? Besoj se është i fejuar dhe një ditë do të martohet. Për momentin, nuk jam në gjendje t’ju them ç’do bëhet. Me sa di unë, Mbreti Leka nuk ka lënë testament. Dje erdha dhe kalova natën pranë Mbretit. Me këtë rast, falënderoj mjekët dhe personelin e klinikës, që është përkujdesur në mënyrë të përsosur”.

Protokolli i shtetit
Mesditën e sotme do të zhvillohet mbledhja e parë e komisionit shtetëror, që do të përcaktojë detajet e ceremoninë mortore të Leka Zogut I. Sipas vendimit të qeverisë, kjo ceremoni konsiderohet ‘funebre shtetërore’ dhe për të ka një kapitull të veçantë në ligjin e protokollit të shtetit. Në pikën 10 të protokollit thuhet se arkivoli i vendosur në shtrat topi, i mbuluar me flamur kombëtar, niset nga vendndodhja, i shoqëruar nga gjashtë truproja nderi, tre në çdo anë.

Majko: Mbreti ishte patriot dhe burrë i veçantë, e konsideroja mik
Megjithëse pretendenti i fronit mbretëror, Mbreti Leka I, u nda nga jeta në mëngjesin e ditës së djeshme, Partia Socialiste ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare. Asnjë prej përfaqësuesve të kësaj partie nuk është shprehur në media mbi këtë ngjarje. I vetmi përfaqësues i selisë rozë, që ka ndarë qëndrimin e tij në publik, ka qenë deputeti Pandeli Majko. Ishkryeministri i vendit ka preferuar komunikimin në rrjetin social ‘Facebook’ për të dhënë vlerësimin e tij mbi figurën e pretendentit për fronin mbretëror. “Ndërroi jetë Leka i Parë. Për mua ishte një burrë i veçantë dhe patriot. E konsideroja mik”, shkruan Majko në faqen e tij në internet. Partia Socialiste në të kaluarën ka pasur marrëdhënie jo të mira me familjen mbretërore. Raporti i vështirë mes të majtës dhe Mbretit u evidentua edhe në vitin 1997, kur vendi ishte në krizë politike për shkak të shembjes së piramidave. Në qershor të atij viti u zhvillua referendumi për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe dy alternativat ishin republika dhe mbretëria. Në përfundim të procesit zgjedhor, fitoi varianti i republikës parlamentare. Me ardhjen në pushtet të socialistëve, familja mbretërore iu nënshtrua një procesi të tejzgjatur gjyqësor dhe u akuzua për grusht shteti. Pas një incidenti të ndodhur pak ditë pas zgjedhjeve, pretendenti për fronin mbretëror u largua nga Shqipëria për t’u rikthyer në vend përgjithmonë në qershor të vitit 2002.

Topi: Mbreti, rol aktiv për rrëzimin e komunizmit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të Mbretit Leka Zogu I. Me anë të një mesazhi zyrtar, kreu i shtetit Topi tha se: “Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë”.

LSI: NDARJA NGA JETA E MBRETIT, HUMBJE E MADHE
Ndarja nga jeta e mbretit Leka Zogu I është përcjellë me mesazhe ngushëlluese për familjarët nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ilir Meta, kreu i LSI-së, ka deklaruar se froni mbretëror ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe në historinë kombëtare. Ngushëllimet e Metës u janë drejtuar familjarëve të Mbretit dhe veçanërisht princit Leka Zogu II. “Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për ju, për të afërmit, për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe për bashkatdhetarët.”

PDIU: SIMBOLI I REZISTENCËS ANTIKOMUNISTE
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ngushëlloi dje familjen mbretërore për ndarjen nga jeta e Naltmadhërisë së Tij, Leka Zogu I. “Jeta në mërgim ku është detyruar të jetojë Leka Zogu I, nuk ka mposhtur përpjekjet e tij në të mirë të atdheut. Përmes sakrificave dhe luftës së vazhdueshme, ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figurës së tij një rëndësi historike”. Familja mbretërore sipas PDIU-së duhet të gëzojë një status të veçantë, çka ende është një detyrë për t’u plotësuar nga qeveria shqiptare.

Odiseja: Leka I, mbreti me kurorë dhe pa pushtet
Një “mbret” që pas shumë përpjekjesh u kthye më në fund me kurorë në vendlindje, por pa pushtet. Sipas njoftimit të oborrit mbretëror shqiptar, “në të zbardhur të datës 7 prill, fëmija i vetëm i Mbretit Zog I dhe Mbretëreshës Geraldinë të shqiptarëve, largohet në drejtim të kufirit me shtetin grek. Më pas, në Turqi, Rumani, Poloni, vendet baltike, Suedi, Norvegji, për të mbërritur përfundimisht në Francë, në muajin korrik. Pas fillimit të sulmit gjerman më 10 maj 1940, familja mbretërore shqiptare shpërngulet drejt Perëndimit, ku me anije mbërrijnë në Britaninë e Madhe. Mbreti George IV i Anglisë do t’i ofronte mbrojtje dhe siguri gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore. Me përfundimin e luftës, Familja Mbretërore zhvendoset kësaj radhe në Egjipt, pas ftesës së marrë prej Mbretit Faruk, i cili ishte pasardhës i shqiptarit themelues të dinastisë mbretërore egjiptiane, Mehmet Ali Pasha. Ndryshimet politike në Egjipt sollën si rezultat zhvendosjen e radhës për familjen mbretërore shqiptare, e cila në korrik të vitit 1955 u vendos përfundimisht në Cannes të Francës. Në vitet 1956-1959 do të regjistrohet në akademinë ushtarake të Sandhurst, prej së cilës do të gradohet si toger. Pas kthimit në Francë, ai ndoqi studimet e larta në Drejtësi dhe shkenca ekonomike në Sorbonë, si edhe disa kurse për gjuhët dhe kulturën orientale. Më 5 prill 1957, kur Princi Leka mbush plot 18 vjeç, Mbreti Zog e shpall atë trashëgimtar të kurorës mbretërore. Ndërsa pas vdekjes së Mbretit Zog në spitalin Foch të Parisit më 9 prill 1961, në përputhje me statutin e Mbretërisë shqiptare të vitit 1928, vendin e Mbretit Zog e zuri Mbreti Leka i Parë, i cili bëri edhe betimin para një Asambleje të shqiptarëve në mërgim, të përbërë prej dinjitarësh të lartë të Mbretërisë, ish- deputetë, ministra e ofiqarë të ndryshëm, si dhe delegacione e përfaqësi të shqiptarëve të ardhura nga të katër anët e botës. Kësisoj, ai u bë sipas Kushtetutës së vitit 1928, Mbret i shqiptarëve. Në shtator 1962, ai la Francën për t’u vendosur në Spanjë, ku vendosi kontaktet me Mbretin Juan Carlos të Spanjës dhe Mbretin Simeon II të Bullgarisë. Në vitin 1976, Mbreti Leka themeloi Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, dhe njëherësh zgjidhet edhe Komandant i Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike. Gjatë vitit 1977, ai i intensifikon aksionet dhe demarshet politike kundër regjimit komunist të Tiranës. Por ky aktivitet do të bëhej shkak që Spanja,- një aplikante e zjarrtë për t’u anëtarësuar në Europën e Bashkuar (C.E.E) – të tërhiqej përballë trysnisë së disa vendeve që ankoheshin se rrëzimi i qeverisë komuniste në Shqipëri do të sillte si efekt edhe destabilizimin e Jugosllavisë. Prandaj, qeveria spanjolle kërkoi ndërprerjen e aktivitetit të Mbretit Leka, duke e detyruar këtë të fundit të largohej në janar të vitit 1979 drejt Rhodezisë e më pas në Afrikën e Jugut”. Më pas, oborri mbretëror përshkruan përpjekjet e Mbretit Leka I për ngjarjet e dyfishta të korrikut 1990, si dhe thirrjet e tij për popullin shqiptar që të bojkotonte zgjedhjet e 31 marsit 1991, të cilat parashikonte se do të manipuloheshin nga PPSH-ja, siç edhe rezultoi. Përshkrimi vijon me historinë e kthimit të tij në vitin 1993 me një vizitë të shkurtër, me referendum më 1997-n dhe në qershor të vitit 2002, vit kur ai u vendos përfundimisht në Shqipëri.

Kthimi i fundit
Pas referendumit 1997, mbreti Leka I u largua më 12 korrik 1997, plot 3 muaj pasi kishte vënë këmbën në atdheun e tij, me premtimin se ishte i gatshëm të kthehej në momentin që do ta kërkonte populli shqiptar. Në qershor të vitit 2002, mbreti Leka I, në respektim të një kërkese të bërë prej 76 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, mori vendimin që të kthehet përgjithmonë në atdhe.

Më 8 tetor 1975 Mbreti Leka kreu ceremoninë civile të martesës në Biarritz të Francës me një fisnike të re australiane, Susan Cullen-Vvard, në prani të një numri të madh shqiptarësh. Ndërsa më 10 tetor, në Toledo të Spanjës, përfaqësuesit e klerit mysliman shqiptar, të kishës ortodokse dhe katolike, si dhe një prift anglikan, bekojnë martesën e çiftit mbretëror. Ata jetuan të lumtur deri në vitin 2004, kur bashkëshortja Susan ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë.

26 mars 1982 Në Johanesburg, më 26 mars 1982, vjen në jetë trashëgimtari i kurorës mbretërore, princi Leka II. Kjo ngjarje është shënuar edhe nga një gjest i rëndësishëm, siç është akordimi i ekstraterritorialitetit për familjen mbretërore dhe, për pasojë, vendi ku princi Leka II ka lindur, është konsideruar si tokë shqiptare. Aktualisht ai është i fejuar me Elia Zaharian dhe pas vdekjes së babait, është automatikisht trashëgimtari i fronit mbretëror.

Nëntor 1993 Mbreti Leka zhvilloi një vizitë në Tiranë, që nuk shkoi sipas planit. Pati keqkuptime mes përfaqësuesve të oborrit mbretëror dhe policisë shqiptare, për shkak të dokumenteve të udhëtimit dhe armatimeve personale. Ai u rikthye në atdhe më 12 prill 1997 dhe më 29 qershor 1997 zhvilloi referendumin për kthimin e monarkisë. Rezultati i KQZ dha verdiktin me 34% pro monarkisë, ndërsa mbreti Leka pretendoi për të paktën 54% në rang vendi.
Elisabeta Ilnica
Zirina Llambro

© Panorama.al

Te lidhura