Dhe pak muaj dhe do të mbushte 100 vjeçe. Fotografja e njohur për portretet e saj të jashtëzakonshme dhe reportazhet e guximshme u nda nga jeta në Londër. Eve Arnold do të kujtohet mes të tjerash si fotografja personale e Monroe, së cilës i kushtoi 5 albume fotografike.
Ajo u bë e njohur për portretet e të pasurve e të famshme, por ajo dinte të fotografonte po aq bukur edhe të varfrit e të moshuarit. “Ju nuk e dini se është gjëja më e vështirë në botë të marrësh botën mondane e të tregosh se sa e veçantë është ajo”. Kështu do të thoshte dikur fotografja që përjetësoi portretet e sa e sa politikanëve e divave të Hollywood-it, por mbi të gjitha atë të Marilyn Monroe. Fotografja amerikane, Eve Arnold, e para grua që mundi të bëhej pjesë e agjencisë fotografike “Magnum”, themeluar në vitin 1947 nga mjeshtërit legjendarë të bardhë e zisë Robert Capa e Henri Cartier Bresson, u nda nga jeta në një shtëpi pushimi në Londër, në moshën 99-vjeçare. Njoftimin e vdekjes së saj e dha vetë agjencia fotografike.
Lindi më 21 prill të vitit 1912 në Philadelphia si Eve Cohen nga prindër emigrantë hebrenj rusë. Në vitin 1951 u pranua si fotografe e lirë në agjencinë “Magnum” në New York. Karriera e Eve Arnold ka qenë një rrugëtim i gjatë mes Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, e ndarë mes reportazheve mbi Amerikën e viteve ’50 e atyre në Kinë, Rusi dhe Afrikës së Jugut të fundviteve ’70. Ajo do të ishte ndër të parët fotografë që u autorizua nga Pekini për të hyrë në Kinë. Por përveç fotoreportazheve, Arnold do të mbetet e pavdekshme për portretet e saj. Mes portreteve të politikës amerikane të viteve ’60, Arnold do të fiksonte senatorin Joseph McCarthy, i cili do të shpërthente “gjuetinë e shtrigave” në Hollywood kundër të ashtuquajturave infiltrime komuniste, si dhe liderin Malcom X. Janë të paharrueshme shkrepjet që ajo i ka bërë Mbretëreshës Elisabeta
II, apo Jacqueline Kennedy-t e Margaret Thatcher-it.
Janë të shumta edhe portretet që ajo u ka bërë divave të kinemasë, që nga Paul Neëman tek Joan Crawford, nga Liz Taylor tek Burt Lancaster. Por më të famshme janë pa dyshim fotografitë e Marilyn Monroe, të realizuara prej saj në vitin 1960 në sheshxhirimin e filmit “The Misfits”, që doli në sallat e kinemasë një vit më vonë. Arnold do të fitonte besimin e Monroe, duke u bërë fotografja personale e saj. Falë aftësisë së saj vëzhguese, arriti të bëjë të pavdekshëm portretin melankolik të aktores. Kësaj dive të Hollywood-it, e cila u vetëvra në një moshë fare të re, i kushtoi pesë libra fotografikë, mes të cilëve “Marilyn for Ever” (1987), “Marilyn Monroe: An Appreciation” (1987) e “Marilyn Monroe” (2005). Eve Arnold e nisi karrierën fotografike në vitin 1946 në New York, duke frekuentuar “New School for Social Research” dhe arriti të fitonte punën e saj të parë në 1948 në “Harper’s Bazaar”. Fotografitë e saj të modës ranë menjëherë në sy nga Cartier-Bresson, që në 1951-shin e pritën në agjencinë “Magnum”, në fillim si fotografe e lirë dhe prej 1957-s si pjesë efektive e agjencisë. Fillimisht zgjodhi t’i dedikohej botës së spektaklit për arsye ekonomike e më vonë, por që më vonë do t’i jepte famë e do ta bënte të njohur për publikun
Në vitin 1961, pas ndarjes nga i shoqi Arnold Arnold, së bashku me të birin, Frank, fotografja amerikane u vendos në Londër. Qysh atëherë nisi të xhironte botën si fotografe e “Sunday Times”, duke realizuar reportazhe shumë të rëndësishme, sidomos ato në Afganistan dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në vitin 1980 mori një çmim prestigjioz për karrierën Lifetime Achievement Award nga American Society of Magazine Photographers. Në 1993-shin bëhet Honorary Fellow e Royal Photographic Society në Londër dhe u quajt Master Photographer nga New York’s International Center of Photography.
















