Shtyrja e amnistisë, opozita tek Ekonomia: S’e përkrahim

Jan 18, 2012 | 12:23

Komisioni i Ekonomisë

Zv.ministri Rushaj: E bëmë për qytetarët që po rivlerësojnë shtëpitë

Opozita ka kundërshtuar në deklarata dhe ka abstenuar në votë aktin normativ të qeverisë që propozon shtyrjen e amnistisë fiskale me tre muaj të tjerë, deri në fund të marsit. Deputeti Erjon Braçe e kundërshtoi këtë nismë, duke theksuar se nuk mund të bëhet amnisti në vazhdimësi dhe, nga ana tjetër, nuk ekziston asnjë garanci që një shtyrje tjetër nuk do ta pasojë këtë që po bëhet tani. “Shtyrja në kohë e afateve të këtij procesi është e palogjikshme. Ne nuk mund të kemi amnisti fiskale në vazhdimësi. Nuk ka precedent kurrkund që amnistia të zgjasë me vite. Gjithkush ka dëshirë të rregullojë situatën e paligjshmërisë, por kjo s’mund të vijojë pafundësisht. Unë jam i bindur që në fund të këtyre tre muajve do të dalë dikush që do të lobojë për një shtyrje tjetër dhe do të këtë 3 muaj të tjerë”, tha Braçe.
Rivlerësimi i shtëpive
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, ka argumentuar shtyrjen e amnistisë para komisionit me faktin e rritjes së madhe të interesit të qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme. Por ai nuk përjashtoi që nga amnistia mund të përfitojë në vijim edhe biznesi, pavarësisht interesit jo dhe aq të lartë të treguar më herët. “Në fakt, ne kemi pasur kërkesa dhe nga biznesi që ta shtyjmë me 6 muaj afatin e zbatimit të ligjit, por në vendimin tonë ka ndikuar kush kanë qenë aplikuesit gjatë kohës së zbatimit të këtij ligji për të përfituar nga ato që ligji parashikonte. Motivi kryesor i shtyrjes kanë qenë individët dhe qytetari, pasi konstatojmë që fluksi i bizneseve pranë zyrave të Doganave dhe Tatimeve nuk ka qenë i tillë që të mos të mund të përballohej”, tha Rushaj. Ai theksoi se vetëm në muajin dhjetor janë bërë me mijëra kërkesa për rivlerësim të pasurive të paluajtshme nga ana e individëve, një fluks ky i papërballueshëm. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, shprehu dyshime që kjo situatë do të mund të rregullojë paligjshmërinë e krijuar në sektorin e ndërtimit në 20 vite. “kjo shifër kaq e madhe në vlerë, 110 miliardë lekë, dëshmon pikërisht këtë, që ka pasur një situatë paligjshmërie mes blerësit dhe shitësit biznesmen për të shmangur dy herë Tatimet. Edhe tatimin e transaksionit, edhe tatimfitimin e biznesmenit që e detyroi Ministrinë e Financave të vendoste çmime reference”, u shpreh Braçe. Përkundër kritikave të opozitës lidhur me këtë pjesë, zëvendësministri i Financave sqaroi se janë një seri objektesh të tjera, të cilat përfshihen në amnisti dhe përfitojnë, siç mund të jenë pallatet e vjetra të para ’90-s, vlera e të cilave ka ndryshuar shumë, si dhe objektet e privatizuara.

Debati ne komision
Alfred Rushaj:
Ne kemi pasur kërkesa edhe nga biznesi që ta shtyjmë me 6 muaj afatin e zbatimit të ligjit, por në vendimin tonë ka ndikuar kush kanë qenë aplikuesit gjatë kohës së zbatimit të këtij ligji për të përfituar nga ato që ligji parashikonte. Ne kemi vënë re që ndonëse biznesi ka pasur interes, nuk ka qenë fluksi i tillë që të mund të justifikonte shtyrjen e kërkuar prej tyre. Edhe pse afati është shtyrë, në tërësi u është dhënë mundësi individëve dhe qytetarëve, natyrisht, pa i mohuar të drejtën biznesit. Motivi kryesor i shtyrjes kanë qenë individët dhe qytetari.
Erjon Braçe: Shtyrja në kohë e afateve të këtij procesi është e palogjikshme. Ne nuk mund të kemi amnisti fiskale në vazhdimësi. Nuk ka precedent kurrkund që amnistia të zgjasë me vite. Vijmë te rasti konkret. Çfarë ka ndodhur që tani kalojmë në situatën e rivlerësimit të kapitalit për individët? Një qytetar i nxitur nga disponuesi i apartamentit, flasim për ata që blejnë pallate të reja, që në rastin konkret është një biznesmen që e ka deklaruar vlerën e apartamentit jo 50 mijë euro, jo 60, jo 100, sa e ka blerë, por disa herë më pak, 20-30 mijë. Nuk po i krijoni mundësi qytetarit.
Alfred Rushaj: Ta zëmë që një situatë e tillë që thoni ju paska ekzistuar. Por unë po ju pyes: sa njerëz kanë pasur shtëpi të ndërtuara përpara viteve ’90 dhe që vlerësimi i tyre sot është komplet tjetër nga ajo që e kanë marrë? Sa veta kanë privatizuar shtëpi dhe po ta shesin sot paguajnë tatim? Është jashtëzakonisht shumë i madh, dhe jo i ndershëm për shkak të vlerësimit të tregut. Ne po themi që meqë ka qenë i palogjikë kalimi i çmimeve, hajde të vendosim një logjikë ose ta detyrojmë qytetarin të paguajë diçka.
Sherefedin Shehu: Ka pasur një ngërç në këtë amnisti, dhe ngërçi i parë është mosdhënia e votës nga opozita. E dyta pastaj, mund të kishte disa veprime që ndoshta mund të ishin të dyzuara nga pikëpamja ligjore, por që mund të ndërmerreshin për të krijuar klimë të nevojshme besimi te biznesi.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura