Shtyhet eksperimenti i “21 janarit”

May 16, 2011 | 10:44
Momenti i vrasjes së Ziver Veizit para Kryeministrisë

Prokuroria shtyn “eksperimentin” hetimor të parashikuar për t’u zhvilluar pranë Kryeministrisë në Tiranë, në kuadër të hetimeve të 21 janarit.Shkak është bërë mbërritja nga Turqia e predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, personit të katërt të vrarë gjatë demonstratës së 21 janarit. Në mungesë të mbërritjes së predhës, e cila mbahej e bllokuar nga pala turke, Prokuroria shqiptare kishte planifikuar kryerjen e një eksperimenti në vendin ku u zhvillua protesta. Madje, faza e parë e këtij eksperimenti u realizua pasi në vendin e ngjarjes u thirrën të gjithë gardistët e dyshuar dhe familjarët e viktimave. Prokuroria filloi riprodhimin e skenës së ngjarjes, duke marrë sqarime nga gardistët, por edhe nga të afërmit e viktimave të cilët identifikuan Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Niken në imazhet filmike në vendin e ngjarjes. Eksperimenti në vendin e ngjarjes do të realizohej për të përcaktuar projeksionin e plumbave dhe plagëve të viktimave, për të parë nëse gjatë kësaj procedure mund të realizohej përcaktimi i “grykave të zjarrit” që kanë qëlluar katër viktimat. Përcaktimi i projeksionit të plumbave do të bëhej me anë të vendosjes së pikave të referimit nga vendi ku janë goditur viktimat me anë të spanove ose rrezeve lazer. Pas mbërritjes së predhës së Aleks Nikës nga Turqia, Prokuroria e ka dërguar atë për krahasim me sasinë e pistoletave dhe automatikëve të sekuestruar tek Garda e Republikës, menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit. Aleks Nika, 36 vjeç nga Lezha, gjeti vdekjen në Turqi dy javë pas ngjarjeve të 21 janarit. Aleks Nika u godit me një plumb në kokë gjatë demosntratës, më 21 janar rreth orës 15:00. Ai më pas kaloi në gjendje kome, ku qëndroi për një javë në Spitalin Ushtarak dhe më pas u dërgua për kurim në Turqi. Atje gjeti vdekjen një javë më pas, kur plotësoi dy javë qëndrimi në koma. Policia turke, e njoftuar për vdekjen në spital, bllokoi predhën e gjetur në trupin e tij. Para se të mbërrinte në Tiranë, ajo u mbajt për shkaqe procedurale në Turqi deri pak ditë më parë. Prokuroria e dorëzoi predhën në laboratorin e policisë shkencore, ndërsa ekspertiza pritet të zgjasë 10-14 ditë. Organi i akuzës tha se do të presë këtë përfundim dhe më pas do të vendosë për eksperimentin hetimor në vendin ku ndodhën katër vrasjet. Kjo, me qëllim krahasimin e predhës që vrau Aleks Nikën me armët e Gardës, në mënyrë që më pas eksperimenti të kryhet për efekt zbulimi në lidhje me vrasjet e Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, pasi me ekspertizë predhe është zbardhur deri tani vetëm vrasja e Ziver Veizit.

Prokuroria shtyu afatin e dosjes me 3 muaj

Në mars të këtij viti, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të shtyjë edhe tre muaj të tjerë afatin hetimor të dosjes “21 janari”. Kjo për shkak se deri më tani me prova konkrete është arritur të zbardhet vetëm vrasja e Ziver Veizit. Meqenëse hetimi i çështjes kërkon edhe një sërë veprimesh të tjera, Prokuroria vendosi shtyrjen e afatit hetimor për të qenë në rregull me procedurat.

Armët e Gardës dalin të pastra

Një numër prej më se 72 automatikësh MP-5, si dhe rreth 60 pistoleta janë sekuestruar nga Prokuroria në zyrat e Gardës së Republikës, menjëherë pas 21 janarit. Të gjitha këto armë janë sekuestruar mbi bazën e dokumenteve që tregonin se armët në fjalë janë përdorur nga efektivat e Gardës, që kanë qenë në shërbim më 21 janar. Prokuroria ka kryer analiza krahasuese të predhave e gëzhojave që janë gjetur në vendin e ngjarjes me armët e Gardës, por me përjashtim të automatikut që mbante Agim Llupo, armët e tjera kanë dalë të pastra. Kështu, ekspertiza tregoi pak javë pas ngjarjeve të 21 janarit se majori i Gardës, Agim Llupo, kishte vrarë me armën e tij Ziver Veizin. Sipas ekspertizës, plumbi kishte bërë rikoshetë dhe më pas kishte goditur qytetarin që nuk ishte gjuajtur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Të gjitha armët e tjera që janë krahasuar me predhat e viktimave kanë dalë se nuk përputhen.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura