Shtyhen ndeshjet, arbitrat bojkotojnë kampionatin

Dec 9, 2011 | 14:04

Shoqata e Arbitrave ka vendosur që të bojkotojë të gjitha ndeshjet e kësaj jave në shenjë proteste për dhunën ndaj Lorenc Jeminit në ndeshjen Laçi-Kastrioti 1-1. Në komunikatën e tyre i kërkohej ndërkohë edhe policisë që të jetë më aktive. Shoqata e pavarur e gjyqtarëve, në deklaratën që dërgoi nga zyrat e FSHF-së bënte me dije se: “Kemi vendosur të bojkotojmë të gjitha aktivitetet futbollistike të programuara për këtë fundjavë. Kjo masë e marrë nga shoqata bëhet për të sensibilizuar opinionin publik dhe gjithë aktoret e futbollit shqiptar që ngjarje të tilla të shëmtuara të mos përsëriten më në fushat tona të futbollit. Të ndodhur në një gjendje të rëndë psikologjike, arbitrat në mënyrë unanime votuan pro vendimit të bojkotit, duke theksuar rëndësinë e gjykimit si pjesë e rëndësishme e futbollit tonë. Në këtë moment të vështirë për ne, punën tonë dhe të ardhmen e saj, i kërkojmë mbështetjen të gjitha hallkave që merren me organizimin, mbarëvajtjen dhe ecurinë e futbollit në Shqipëri. Punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të jenë më të orientuar në parandalimin e ngjarjeve të dhunshme. Reagimi i tyre me aktiv dhe më i përgjegjshëm do të japë siguri, mbrojtje për jetën dhe qetësi në stadiume apo terrene sportive. Ne, Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptar, gjejmë rastin të tërheqim vëmendjen e të kërkojmë nga ligjvënësit tanë që për dhunën në ambiente publike aktet ligjore të jenë më të rrepta në masat penalizuese, pasi shembujt e shumtë janë prezentë në të gjitha vendet e zhvilluara e me demokraci të konsoliduar. Kërkesat tona adresohen sot edhe në drejtim të organizatorëve e pjesëmarrësve në veprimtaritë tona futbollistike si Federata Shqiptare e Futbollit, klubet, drejtuesit e tyre, trajnerët dhe futbollistët”.

© Panorama.al

Te lidhura