Shqiptarët e Luginës ftojnë liderët shqiptarë

Jan 8, 2012 | 13:15

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u kanë kërkuar presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i vizitojnë ata, pasi zyrtarët e lartë të shtetit serb po vizitojnë “një grusht bashkëvendësish të tyre” në Kosovë.

Në një deklaratë të intelektualëve të komunave shqiptare thuhet se; “Meqë presidenti Tadiç dhe zyrtarët e tjerë serbë hyjnë e dalin në Kosovë për një grusht bashkëvendësish të tyre, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Sali Berisha apo kryeministri Hashim Thaçi, duhet të marrin përgjegjësinë dhe shembullin duke bërë përpjekje diplomatike që të vijnë një ditë e të vizitojnë tri komunat e anashkaluara shqiptare nën Serbi, të vizitojnë monumentet kulturo-historike shqiptare si Molla e Kuqe, Masurica dhe lokalitetet tjera”.

Intelektualët shqiptarë të Luginës, të kryesuar nga publicisti Refik Hasani, siç transmeton agjencia e lajmeve INA,  kërkojnë këto vizita edhe për arsye të tjera.

Sipas tyre, është simbolika e 1 dhe 2 marsit, që këtë vit shënon 20 vjetorin e Referendumit të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën, dhe 11 vjetorin e Marrëveshjes Paqësore të Konçulit që përfundoi konfliktin e armatosur të UÇPMB-së me forcat shtetërore serbe.

© Panorama.al

Te lidhura