“Shqiptarët duhet të shpëtojnë nga kjo e keqe”- Bozdo: Rama dikur s’e komentonte drejtësinë, kurse tani mbron Ballukun! Kush i paguan paratë e Ekoparkut dhe Portit të Durrësit?

Dec 24, 2025 | 17:31

Dy dosjet e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe e AKSHI-t mjaftojnë që drejtësia të shkojë deri tek kryeministri Edi Rama si përgjegjës në këto çështje për ta hetuar.

eno bozdo news 24

Ky është mendimi i deputetit të Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i cili theksoi në një intervistë të dhënë sot për “News 24” se ka ardhur koha që shqiptarët të shpëtojnë nga kjo qeverisje e keqe një herë e përgjithmonë.

Por ai nënvizoi se nuk janë vetëm këto skandale, pasi dy çështje të tjera të ndjeshme, të denoncuara prej tij dhe PD-së janë Ekoparku dhe Porti i Durrësit, që do i kushtojnë miliarda euro qytetarëve shqiptarë. Bozdo bëri thirrje për hetimin e këtyre çështjeve, teksa shtoi se qëllimi i opozitës është rrëzimi i qeverisë dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Rama ka thënë se nuk e komentoj drejtësinë, kurse për Ballukun e komentoi dhe ndërhyri, duke e mbrojtur. Për herë të parë po shihet fytyra e kësaj mazhorance. Rama dhe qeveria e tij nga dashnorë dhe mbështetës të drejtësisë, janë kthyer kundër saj. Kemi bërë dhjetëra denoncime dhe nuk marrim përgjigje. Prokuroria duhet t’i hetojë ato. Kam denoncuar Ecoparkun, jam një nga denoncuesit, po denoncimi për portin e Durrësit. Sa para do i kushtojë porti i Durrësit shqiptarëve? 2 mld euro. Kush i paguan? Shqiptarët dhe këto para shkojnë te Alabari”, tha ai.

Ligjvënësi opozitar komentoi edhe qëndrimet e selisë blu ndaj drejtësisë pas zhvillimeve të fundit me dy dosjet e bujshme Balluku dhe AKSHI.

Ai tha se ka zhvillime pozitive nga SPAK, megjithatë në të kaluarën janë bërë edhe gabime. Ai nxiti drejtësinë që të shkojë deri tek kreu i qeverisë për hetime.

“Zhvillimet me dy çështjet e fundit të Ballukuut dhe AKSH-it janë pozitive për Drejtësinë dhe nuk e mohoj. Por drejtësia ka pasur edhe probleme të saj, kujtoj këtu arrestimin dhe ndjekjen penale të liderëve të opozitës. A ishte e drejtë mbajtja në arrest shtëpie e zotit Berisha për një vit? Por problemi kryesor në vendin tonë është vetëm Rama. Unë mendoj se kjo shoqëri dhe populli shqiptar e meriton të ndahet nga kjo e keqe përgjithmonë. Unë mendoj se SPAK duhet të shkojë të vendosë para përgjegjësisë edhe Ramën, mjaftojnë këto dy dosjet e fundit si Balluku dhe AKSHI”, vijoi deputeti demokrat.

Duke iu kthyer situatës së rënduar social-ekonomike dhe skandaleve me aferat korruptive të zyrtarëve, Bozdo tha se PD është e hapur për bashkim opozitar, pasi është momenti që shqiptarët të shpëtojnë nga qeverisja e keqe.

Deputeti u shpreh se dera e selisë blu është e hapur edhe për parti që kanë sikur 10 vota e që i shërbejnë kauzës së bashkimit, por nënvizoi se revolta qytetare është e nevojshme për rrëzimi e këtij pushteti.

“Ky është alarm i vërtetë, ku 1/3 e popullsisë është larguar nga vendi, për të mos përmendur bujqësinë dhe fermerët. Por ka ardhur momenti që kjo shoqëri të shpëtojë një herë e mirë nga kjo qeveri dhe e keqe. Fryma opozitare është në funksion të rrëzimit të qeverisë, ne kemi bërë gjithçka, por shumë gjëra janë të panjohura. Ky ka qenë qëllimi dhe funksioni i lëvizjeve të opozitës. Duhet të bashkohet çdo frymë opozitare për rrëzimin e qeverisë. Për mendimin tim duhet bashkim, sepse edhe ai që ka 10 vota është element bashkimi, sepse “nuk kërcehet vetëm tango”. Ne nuk e kontrollojmë dot sjelljen e shoqërisë shqiptare, por ne mund ta nxisim atë. Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, po u bënë zgjedhje të lira, opozita fiton. Por kërkohet revoltë qytetare dhe bashkim për të arritur tek kjo fitore”, përfundoi Bozdo.

© Panorama.al

Te lidhura