Kombëtarja shqiptare zbret nga vendi i 74-t në të 84-tin
Shqipëria merr një goditje (ndonëse vetëm morale) para ndeshjes së nesërme me Qipron. Në renditjen mujore të FIFA-s, kuqezinjtë kanë humbur plot 10 pozicione, duke zbritur nga vendi i 74-t i para një muaji, në të 84-in. Kombëtarja e Xhani de Biazit ka grumbulluar vetëm 410 pikë, në raport me 448 pikët që ajo pati në muajin gusht. Kjo gjë ka sjellë edhe pikiatën më të madhe që nga koha kur në drejtim është italiani. Rënia shpjegohet me faktin se në gusht Shqipëria arriti veçse një barazim me Moldavinë (141-ta aktualisht) në “Qemal Stafa”, teksa shumë skuadra të tjera, si Zvicra e Sllovenia, bënë paraqitje shumë më të mira, duke fituar edhe pozicione në renditje. Nëse vërejmë me kujdes grupin në të cilin bën pjesë Kombëtarja jonë, tri janë skuadrat që kanë njohur ngritje: Zvicra, tri pozicione (nga vendi i 23-të në të 20-tin), Sllovenia (nga vendi i 33-të në të 24-tin) dhe Islanda, e cila ka fituar plot 12 pozicione (nga vendi i 130-të në të 118-tin). Ndërsa janë po tri ekipet që kanë njohur rënie. Kështu, përveç Shqipërisë, zbritje në renditje ka njohur edhe Norvegjia, me nëntë pozicione (nga vendi i 25-të në të 34-tin) dhe Qipro, 12 vende (nga pozicioni i 123-të në të 135-tin). Qipriotët humbën në miqësoren e 15 gushtit me Bullgarinë, ndaj edhe zbritja në renditje ishte e pritshme.
© Panorama.alRenditja/ FIFA
20. Zvicër
24. Slloveni
34. Norvegji
84. Shqipëri
118. Islandë
135. QiproRenditja/ UEFA
14. Zvicër
15. Slloveni
18. Norvegji
35. Shqipëri
44. Islandë
46. Qipro











