
E konfirmon Edvin Murati: Po, u arrit marrëveshja mes dy federatave
Ish-mesfushori: Do të luajmë pas finaleve të Europianit
Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore me Francën, pas finaleve të Europianit 2012. Këtë e ka konfirmuar ish-futbollisti i përfaqësueses, Edvin Murati, i cili ka bërë gjithashtu edhe ndërmjetësin me Federatën franceze. “Po, morëm një përgjigje zyrtare nga Federata franceze dhe do të luajmë një ndeshje kundër tyre pas finaleve të Euro 2012”, deklaroi Murati. Ai ka pohuar se ka bërë ndërmjetësin mes zyrtarëve francezë dhe FSHF-së dhe më në fund është gjendur gjuha e përbashkët. “Përgjigjja ka ardhur zyrtare, por data nuk është përcaktuar ende. Për këto dhe detaje të tjera do të bisedohet sërish gjatë muajve në vazhdim”, ka deklaruar Murati. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit është në negociata edhe me homologët italianë për një ndeshje miqësore me “axurrët”. Shqipëria nuk ka luajtur kurrë me fqinjët përtej detit, por mund të arrihet një marrëveshje gjatë vizitës që presidenti i Federatës italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, pritet të zhvillojë gjatë muajit shkurt në Shqipëri. Sakaq, duhet thënë se futbollistët shqiptarët nuk do të konsiderohen më si ekstrakomunitarë në Francë. Këtë Edvin Murati e pati pohuar rreth dy javë më parë edhe për “Panorama Sport”, ku tregoi se meritë për marrëveshjen kishte kreu i FSHF-së, Duka dhe vëllai i Muratit, Sokoli, i cili ka një raport të mirë me presidentin e Federatës franceze. Ish-mesfushori i Shqipërisë ka treguar edhe disa nga detajet e marrëveshjes, duke thënë se futbollistët shqiptarë që mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje, duhet të kenë qenë të paktën një herë të grumbulluar në seleksionet e ekipeve kombëtare. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Futbollit po përpiqet që të njëjtën marrëveshje të realizojë edhe me palën italiane, por kjo do të jetë e vështirë, pasi në Itali ka shumë futbollistë shqiptarë që luajnë në kategori të ndryshme të futbollit.
© Panorama.alAsnjë reagim pas sinjalit të dytë të UEFA
FSHF hesht për dosjen e dytë të trukimeve
Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pranuar të bëjë asnjë deklaratë në lidhje me dosjen e dytë që ka mbërritur nga UEFA, ku një numër ndeshjesh (rreth 16 të tilla) dyshohen si të trukuara. Zyra për shtyp ka bërë me dije se gjatë ditës së djeshme nuk ishte vendosur ende nëse do të kishte një qëndrim zyrtar apo jo për dosjen e dytë. Nën zë thuhet se ky është një proces rutinë i shtëpisë europiane të futbollit dhe FSHF nuk është e detyruar të mbajë qëndrime për çdo rast, kur vijnë sinjale për ndeshje të dyshimta. UEFA ka dërguar ditët e fundit në Federatën Shqiptare të Futbollit një tjetër dosje me të dhëna të mbledhura nga Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, ku ka dyshime të forta se ndeshje të Kategorisë Superiore të këtij sezoni mund të kenë qenë të manipuluara. Situata realisht është alarmante, pasi sipas raportit konfidencial të UEFA-s që ka mbërritur ditët e fundit në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndër të tjera thuhet se janë të dyshuara të gjitha skuadrat. Derisa të krijohet Komisioni i Etikës, që ndër të tjera do të merret edhe me hetimin e ndeshjeve të trukuara, këto çështje do t’i diskutojë Komisioni i Disiplinës. Mësohet se disa nga dosjet e ndeshjeve të dyshuara, të cilat u raportuan në muajin dhjetor, kanë përfunduar në Prokurori.











