Shqipëria fiton Çanin, por e ndëshkon arbitri

Mar 1, 2012 | 12:40

Kuqezinjtë humbin në Tbilisi, debutim ëndrrash për sulmuesin e Polonia.

Gjyqtari akordon dy penallti inekzistente, i pret Ujkani.

Një gol i shpejtë i Edgar Çanit, një super-Ujkani jo vetëm në pritjet e penalltive, por edhe për mënyrën e dirigjimit të repartit defensiv dhe një arbitër fillestar “i dashuruar” pas penalltive, ishin ato çka pasqyroi Shqipëria në Tbilisi, për herë të parë e targuar “Xhani de Biazi”. Dora e italianit u pa qartë që në start me vendosjen e ekipit në fushë dhe detyrat për gjithsecilin (të gjithë në sulm, të gjithë në mbrojtje), aq sa me pak më tepër siguri në vetvete, e natyrisht pa zemërgjerësinë e gjyqtarit moldav ndaj vendësve, kjo skuadër do kishte marrë rezultat pozitiv ndaj Gjeorgjisë. Gjithsesi, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e lojtarëve e njohin pak ose aspak njëri-tjetrin, si dhe faktin që u stërvitën bashkë në vetëm dy ditë, 90-minutëshi i djeshëm në mos rezultativ, duhet konsideruar si i mjaftueshëm për të besuar se kjo skuadër më së paku ka të ardhme.
Ndryshimet – Tekniku italian i Kombëtares sonë i besoi Muzakës nga minuta e parë, duke lënë Zeqirin në stol dhe duke spostuar Hykën në qendër. Në fakt, kjo ishte ndoshta edhe pika që tekniku duhej ta kishte korrigjuar, duke qenë se gjatë gjithë pjesës së parë lojtari i Skënderbeut e pati mjaft të vështirë të luante në krahun e majtë (luan gjithnjë në të djathtë). Ndërsa pjesa tjetër e formacionit ishte rreshtuar sikundër De Biazi pat deklaruar që disa ditë më parë, me skemën 4-1-4-1, e cila nga njëra anë të jep mundësi të kesh më shumë forca në mbrojtje, por edhe të sulmosh po me shumë lojtarë, duke qenë se në krah luante Roshi e në qendër Hyka, që të dy mjaft të shpejtë. Në kampin tjetër, Ketsbaia hodhi në fushë formacionin e tij më të mirë, pa kursyer edhe Dvalishvilin, sulmues ky që shihet si “Shota Avarladze” i ri i Gjeorgjisë.
Pjesa e parë – Shqipëria e nis në mënyrën më të mirë takimin, duke shënuar që në minutën e 3-të. Kapiteni i vendësve, Kizanishvili, gabon në gjysmëfushën e vet dhe aty është Çani që përfiton, duke u lëshuar drejt portës së gjeorgjianëve. Sllallom i gjigantit 22-vjeçar të Polonia Varshavës, që u konkludua me një gjuajtje tokazi me të majtën, e cila u bë e pakapshme për portierin. Shqipëria në avantazh. Debutim magjik për Çanin. Në minutat në vazhdim, kuqezinjtë luajnë më të qetë dhe hera-herës tentojnë të krijojnë panik te porta e Revishvilit, por pa arritur të konkretizojnë si duhet. Ndërsa vendësit rrezikojnë dy herë me anë të Ananidze dhe Dvalishvilit, para se arbitri Sidenko të akordonte një penallti inekzistente: kros në zonë për Dvalishvilin, i cili ndeshet trup më trup me Veliun dhe kjo përplasje është 11-metërsh për arbitrin. Gjithsesi, në katedër thirret Ujkani, i cili pret dy gjuajtje radhazi, gati të dyja nga 11 metrat, duke ruajtur të pastër portën e tij. Pas pritjes së penalltisë, kuqezinjtë marrin zemër dhe është Roshi që në një nga zbritjet e tij tipike në krahun e djathtë lëshon një kros në zonë për Çanin, por që neutralizohet nga portieri vendës.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë nis shumë keq për tanët, të cilët pësojnë golin e barazimit pas një gafe të Agollit si fillim dhe përgjumjes së Dallkut në momentin e fundit, kur duhej të mbyllte zonën. Goli ndikoi psikologjikisht te lojtarët tanë, të cilët për minuta me radhë nuk arritën më të kalonin gjysmëfushën kundërshtare. Nga ana tjetër, vendësit krijuan volum të madh loje, por nuk arritën që ta mposhtnin Ujkanin. Kur duheshin edhe tri minuta nga fundi i takimit, protagonist bëhet sërish arbitri: kros në zonën tonë, ku Zeqiri ndërhyn për të larguar topin duke u përplasur me një lojtar vendës. Kaq u desh, vetëm kontakti, dhe Sidenko akordon sërish 11-metërsh. Gjuan Gelashvili, por pret sërish Ujkani. Topi kthehet tek i njëjti lojtar, që tenton përsëri, sfera ndalet në traun e portës dhe kthehet sërish në lojë. Gjuan në fund Amisulashvili, duke shënuar golin e dytë. Në minutat e fundit, Shqipëria ka një rast të pastër nga goditja e dënimit, por Bakaj është larg kohëve të tij më të mira. Si konkluzion humbim një miqësore që, për atë çka skuadrat dhanë në fushë, barazimi do kishte qenë rezultati më i drejtë, dhe fituam një gjeneratë të re që të bën të besosh për kualifikimet e Botërorit 2014, të cilat startojnë në shtator të këtij viti.

Gjeorgji-Shqipëri  2-1
Shënues:
Kobakidze 47′, Amisulashvili 88’/ Çani 3?
Kartonë të verdhë: Kangava 90′, Kvirkvelia 90’/ Bulku 53′, Lila 70′, Vila 84′
Gjyqtarë: Genadi Sidenko/ O.Molshanov dhe V.Gorbatov (Moldavi)
Gjeorgjia: Revishvili, Kizanishvili, Amisulashvili, Kashia, Grigalava (Kvirkvelia 46′), Daushvili (Gelashvili 46′), Ananidze (Kenia 75′), Targamadze, Kobakidze, Kankava (Dzaria 90′), Dvalishvili (Martsvaladze 58′). Trajner: T.Ketsbaia
Shqipëria: Ujkani (Shehi 89′), Lila, Dallku, Veliu (Osmani 89′), Agolli, Bulku (Bakaj 75′), Roshi, Vila, Hyka (Zeqiri 55′), Muzaka (G.Lika 89′), Çani (Sadiku 82′). Trajner: Xhani De Biazi

De Biazi: “Humbëm prej arbitrit, por jam i kënaqur”
Xhani de Biazi ka qenë i kënaqur me lojën që shpalosi skuadra që ai hodhi në fushë ndaj gjeorgjianëve. Sipas tij, ekipi duhej të ishte treguar më i kujdesshëm në fraksionin e dytë të lojës. “Nga kjo ndeshje të mbetet shija e keqe e rezultatit, por dua të them se këtu pati ndikimin e tij edhe arbitri, vendimet e të cilit ishin të dyshimta. Madje, edhe falë tij, ne e humbëm këtë ndeshje. Në pjesën e parë, lojtarët i zbatuan me përpikëri detyrat që u kisha ngarkuar, funksionuam mjaft mirë të organizuar si skuadër, ndërsa në të dytën vuajtëm disi, sidomos në 20 minutat e para. Për mua ka pak rëndësi rezultati në këtë ndeshje, por ajo çka dua të evidentoj për mirë, është karakteri që treguam në pjesën e parë, ndërsa si defekt, që duhet rregulluar, menaxhimi i rezultatit, kur jemi në epërsi. Çani bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse në debutim. Edhe debutuesit e tjerë, për aq minuta sa patën në dispozicion, u munduan ta justifikojnë veten”, tha tekniku.

Edgar Çani: I lumtur për golin, por të mësojmë nga gabimet
Nuk kishte se si të mos ishte i lumtur Edgar Çani pas ndeshjes, edhe pse Kombëtarja jonë kuqezi, në radhët e së cilës ai debutoi, humbi miqësoren në Tbilisi. Sulmuesi në fjalë, mes të tjerash, pas ndeshjes deklaroi: “Jam shumë i kënaqur për golin dhe debutimin që bëra me Kombëtaren e Shqipërisë. Veçse, dua të them se luajtëm një ndeshje me dy tablo. Një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm keq, shumë të ndrojtur, ndaj edhe pësuam golin e barazimit shumë shpejt. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi ndeshje pas ndeshjeje. Pata shumë emocione që para se të niste loja, meqenëse kisha debutimin tim me Shqipërinë. Por, fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë, sepse shënova gol që në minutën e tretë. Kjo më ndihmoi ta përballoja presionin e ndeshjes së parë me Kombëtaren. Mund të bënim më shumë dhe më mirë në pjesën e dytë, e përsëris, por duke qenë se ishte një ndeshje miqësore, nuk kemi pse hidhërohemi nga humbja. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të shohim përpara”, përfundoi Çani. Duhet thënë se referuar deklaratave nga stafi i trajnerit, sulmuesi i Polonia Varshavës shihet si “pyka” e sulmit kuqezi edhe për kualifikimet e Botërorit 2014. Në këtë kontekst duket se vendi i Erjon Bogdanit në repartin ofensiv të kuqezinjve nuk është më i sigurt, kjo edhe për formën e shkëlqyer që po kalon momentalisht Çani.

“Goli i parregullt, meritonim barazimin”
Samir Ujkani: S’më tremb Berisha, rritet konkurrenca

Ishte pa dyshim heroi i ndeshjes në Gjeorgji. Priti dy penallti dhe tregoi një formë të shkëlqyer në dirigjimin e mbrojtjes, paçka se pësoi dy gola krejt të pafajshëm. “Goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt, sepse në momentin kur e goditi topin lojtari vendës, e preku fillimisht me dorë. Prandaj protestova edhe tek gjyqtari, por ai vendosi të vazhdonte lojën. Duhet të dimë se luanim në një fushë të vështirë, ndaj paraqitja e Kombëtares në këtë miqësore, në total, duhet konsideruar pozitive. Në të shkuarën kam bërë ndonjë gabim, por më duhet të fitoj edhe pak eksperiencë. Sa i takon ardhjes së një portieri tjetër kosovar në kombëtare, Etrit Berishës, unë nuk e njoh personalisht, por e di se është një portier shumë i mirë. Mendoj se konkurrenca edhe në portë i bën mirë ekipit”, deklaroi Ujkani.

Shqipëria ndaj Spanjës më 30 maj
Shqipëria do të luajë kundër Spanjës më 30 qershor në Zyrih. Lajmin e konfirmuan burime të besueshme pranë presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka arritur një marrëveshje me zyrtarët e federatës spanjolle dhe është caktuar që ndeshja miqësore me kampionët e Botës dhe të Europës të luhet në Zvicër në fund të muajit maj, periudhë që përkon edhe me fazën përgatitore para finaleve të Euro 2012. Duka ka shfrytëzuar miqësinë që ka me homologun e tij, Vilar dhe përgjigjja kishte ardhur pozitive, por pa u caktuar një datë. Gjithçka është vendosur ditët e fundit, ku Spanja, në përpjekje për të siguruar një kundërshtar para Euro 2012, ka pranuar ftesën e Shqipërisë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura