Shqipëria dhe Kosova në gjeopolitikën imperiale ruse

Mar 27, 2026 | 9:00

LISEN BASHKURTIDR. LISEN BASHKURTI

Në librin tim “RUSIA-Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”, të botuar në fillim të vitit 2026, zë një vend të veçantë analiza e mënyrës sesi Shqipëria dhe Kosova u bënë pjesë e gjeopolitikës imperiale ruse.

Shqipëria u bë direkt pjesë e pranisë dhe ndikimit gjeopolitik rus, në mënyrë indirekte, përmes misionit komunist jugosllav nga viti 1941 deri në vitin 1947. Në këtë periudhe, sovjetikët filluan ndikimin gjeopolitik mbi Shqipërinë përmes Partisë Komuniste Jugosllave. Atëherë kur marrëdhëniet midis Titos dhe Stalinit u përkeqësuan deri në ndarjen midis tyre, 1947, Shqipëria e reflektoi këtë kontradiktë sovjeto-jugosllave, duke anuar vendosmërisht nga regjimi i Stalinit.

Nga viti 1948 deri në vitin 1961, Shqipëria nën regjimin e Enver Hoxhës hapi dyer e dritare për praninë dhe ndikimin e thellë të gjeopolitikës sovjetike mbi çdo qelizë të vendit. Mbas vdekjes së Stalinit, 1953, dhe ardhjen në krye të BRSS të Hrushovit, prania dhe ndikimi gjeopolitik sovjetik mbi Shqipërinë gradualisht filluan të ftoheshin. Në themel të kësaj ftohjeje u bë qëndrimi i Hrushovit ndaj Stalinit në Kongresin e 20- të PK të BRSS, ku përmes një raporti sekret kritikohej Stalini dhe regjimi i tij si i ashpër dhe mizor.

Mbas këtij kongresi, Hrushovi nisi fushatën e spastrimeve të liderëve stalinistë në Evropën Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Hrushovi i kërkoi Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë shqiptarë të tërhiqeshin nga pushteti për t’i hapur rrugë një klike pro-hrushoviane. Hoxha dhe pasuesit e tij nuk pranuan kurrsesi, duke filluar nga ky moment ndarjen përfundimtare partiake dhe shtetërore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Nga viti 1961 dhe deri në 1968, vijoi procesi i tensionuar dhe i vështirë i ndarjes gjeopolitike shqiptaro-sovjetike, që filloi me ndërprerjen e çdo marrëdhënieje, përfshirë edhe ato diplomatike Shqipëri-Bashkimi Sovjetik e kulmoi me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, në vitin 1968.

Kosova zë gjithashtu vend të posaçëm dhe shumë me rëndësi në librin tim “RUSIA-Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”. Përsa kohë është krijuar dhe ka ekzistuar Jugosllavia, në format e saj, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, më tej Jugosllavia dhe Federata Jugosllave, Kosova konsiderohej pjesë e Serbisë dhe si e tillë nën ndikimin e gjeopolitikës ruse.

Çështja e Kosovës doli si çështje më vete atëherë kur u shpërbë BRSS dhe Federata Jugosllave. Në këto momente doli në pah doktrina nacionaliste serbe, që u vuri zjarrin Federatës Jugosllave, mohoi të drejtat kushtetuese jugosllave të Krahinës Autonome të Kosovës dhe, mbas Marrëveshjes së Daytonit për B-H, 1995 pushtoi me ushtri dhe polici dhe filloi të ushtronte haptazi dhune, represione, krime, pastrime etnike dhe gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës.

Mbas agresionit nacionalist etnik kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, nacionalizmi serb filloi të diskreditohej ndërkombëtarisht për ekspansionizmin e dhunshëm mbi popujt e tjerë të ishJugosllavisë. Kështu që ndërmarrja e agresionit të fundit Serb mbi Kosovë ndeshi në një reagim të fuqishëm dhe të unifikuar të Aleancës Transatlantike, e cila më 1999 ndërmori sulmin ajror mbi objektivat strategjike serbe në Kosove dhe Serbi. Ky operacion ajror i suksesshëm i hapi rrugë procesit të pavarësimit të Kosovës nga Serbia.

Ndërkohë, për sa kohë Federata ruse drejtohej nga Jelcini, qëndrimi i saj ndaj Kosovës ishte kontrovers, por vetëm në planin retorik dhe jo operacional ushtarakostrategjik. Me ardhjen në Kremlin të Putinit qasja ruse për Kosovën ndryshoi radikalisht. Kosova në politikën dhe gjeopolitikën e Putinit nisi të konsiderohej si pjesë e skemave gjeopolitike dhe gjeostrategjike ruse.

Nga Konferenca e Mynihut e vitit 2007 e më tej akoma më qartë në tre hapat gjeopolitikë rus: sulmi mbi Gjeorgji 2008, aneksimi manipulativ dhe i dhunshëm i Krimesë në 2014 dhe “operacioni special” ushtarak kundër Ukrainës 2022 – Putini e ka bërë gjatë tërë kohës në të gjithë retorikën e tij politike dhe justifikimet ndërkombëtare gjeopolitike, Kosovën si rast për të justifikuar dhe argumentuar hapat e tij gjeopolitikë rreth Federatës ruse. Në këtë lojë diabolike ruse ka hyrë edhe Serbia. Të dyja këto shtete aleate, Rusia dhe Serbia e kanë vënë çështjen e Kosovës midis tyre dhe përpiqen të përfitojnë reciprokisht për interesat e veta gjeopolitike nacionale.

Në librin tim “RUSIA-Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”, trajtohen gjerësisht dhe thellësisht vendi dhe ndikimi gjeopolitik Rus, direkt dhe respektivisht edhe përmes Serbisë në Ballkanin Perëndimore. Politika imperiale ruse tenton vazhdimisht të mbajë një hap prezent në Ballkan, ndërkohë që Serbia vijon të luajë politikën e saj bivektoriale euro-aziatike dhe të Kalit të Trojës në mes të Evropës.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura