“Dorëheqja e Ramës është e panegociueshme!”- Aktivistja lexon kërkesat themelore të protestës: Duam Shqipëri të re! Të ngrihet qeveri teknike

Jun 25, 2026 | 20:08

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur nga protesta e 26-të radhazi kërkesat që, sipas saj, përfaqësojnë qëndrimin e qytetarëve të angazhuar në protestën masive kundër qeverisë dhe kryeministrit.

Duke folur para protestuesve, Vatnikaj deklaroi se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, të cilën e cilësoi si të panegociueshme.

“Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon së pari dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi se qytetarët kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese që do të garantonin, sipas saj, barazinë e të gjithë shtetasve para ligjit.

Vatnikaj renditi mes kërkesave edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

“Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur për ta çuar këtë protestë paqësore deri në realizimin e tyre. Kërkojmë edhe sot një Shqipëri të re”, u shpreh aktivistja.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon së pari dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

Prej më shumë se tre javësh krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

Kërkojmë ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Prej më shumë se tre javësh kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Dhe kërkojmë një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë jopartiakë.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të pa negociueshme. Ne mbetemi të vendosur për ta çuar këtë protestë paqësore, deri në realizmin e tyre. Kërkojmë edhe sot një Shqipëri të re.

© Panorama.al

Te lidhura