Shqipëria 100 vjeç, Berisha: Rishqyrtim historisë

Dec 12, 2011 | 14:45

TIRANË- Shqyrtim serioz e të ndershëm të historisë së 1 shekulli Shqipërie të Pavarur, ridimensionim të figurave të historisë, prodhim objektesh të lidhura me 100 vjetorin, valëvitje të flamurit në cdo ballkon ku ka shqiptar në vend e diasporë dhe gjithçka tjetër për të nderuar 100 vjetorin e Pavarësisë. Kështu ka deklaruar sot kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë.

“Do të bëjmë gjithçka që ky vit të jetë një motiv i madh për një horizont të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kemi shumë nevojë që këtë 100 vjetor ta shndërrojmë në 100 vjetorin e 100 viteve të tjera. Ne vijmë pas një shekulli mundimesh të mëdha, dhimbjesh, sakrificash, por e vërteta është edhe arritjesh ndër më të mëdhatë në historinë shekullore të kombit dhe vijmë si një komb i lirë, shekull që kaloi në mjerim, varfëri, por që u mbyll me vendosjen e një sistemi të ri në vend”- tha ai.

Sipas tij, duhet të bëhen gjithë përpjekjet drejt të vërtetave të pavarësisë sonë, të historisë sonë, “e cila pavarësisht nga dritëhijet është një histori e madhe qendrese, mbijetese, luftrash e përpjekjesh, që u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës”.

“Zotërinj ministra është e rëndësishme që ne të mbështesin fort institucionet tona kërkimore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm serioz të një shekulli Shqipëri e pavarur. Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi, kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të pavarësisë së vendit. Besoj se disa prej tyre Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytet. Pavarësia vërtetë u shpall në Vlorë, por ishte akt madhor dhe këta dhanë kontributin e tyre të pamohueshëm”- theksoi ai.

Ai u ndal gjatë në nderimin që duhet t’i bëhet flamurit, cilësuar si më i bukuri në botë. “Është flamuri më i bukur i botë dhe është interesante se ne dhe ditën e pavarësisë e quajmë të flamurit dhe hymnin e kombit e kemi të flamurit. Duhet të bëjmë gjithçka që ky flamur në 100 vjetorin e pavarësisë të valëvitet në cdo ballkon shqiptarësh në Shqipëri dhe botë”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura