Shqipëri-Leçe, bashkëpunim kundër trafikut

Jan 16, 2012 | 11:55
Kryeprokurorja Ina Rama

TIRANË- Bashkëpunim të rëndësishëm e ka cilësuar Prokurori i Drejtësisë Antimafia i Leces, atë që bëhet me vendin tonë në luftën kundër trafiqeve, kryesisht të narkotikëve. Në një konference të përbahskët për shtyp me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ai ka vlerësuar punën e bërë dhe mbështetjen e dhënë nga Shqipëria në këtë drejtim.

“Kam 40 vjet që e bëj këtë punë dhe nuk kam parë asnjëherë këtë nivel të lartë si e kemi tani me Shqipërinë, merita nuk është e imja por e prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë”- tha Catalto Motta.

Ai ka kujtuar operacionin e një viti më parë, në kuadër të të cilit u ekzekutuan disa urdhër arreste në Itali e Shqipëri.

“Niveli i luftës ndaj trafikut narkotik është shumë i lartë dhe duket edhe në Itali ndihma që na jep Shqipëria. Po punojmë shumë mirë në dy vendet, mbi bazën e informacioneve që marrim nga gjyqësori shqiptar. Nëse nuk do arrinim këtë nivel bashkëpunimi gjërat do kishin shkuar më keq dhe trafikantët do të kishin fituar”- tha ai.

Nga ana e saj kryeprokurorja Ina Rama ka vlerësuar bashkëpunimin dhe kontaktin e vazhdueshëm me prokurorët e Guardia di Fiananzës kundër trafiqeve të lëndëve narkotike.

“Lece dhe Shqipëria janë shumë afër është e lehtë të kalosh kufirin. Janë bërë progrese dhe është kufizuar trafiku, por ai ngelet. Ndaj edhe lufta duhet të zhvillohet mes autoriteteve të ligjit të shumë vendeve”- tha Ina Rama.

© Panorama.al

Te lidhura