Shqipëri-Honduras, bashkë për njohje të reja të Kosovës

Sep 5, 2011 | 10:00
Berisha me presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa

Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, zhvilloi dje në Tiranë një vizitë 8-orëshe ku u takua me krerët e politikës shqiptare, Topi, Berisha, Topalli, Basha dhe Rama. Në qendër të bisedimeve ishin njohjet e reja të Kosovës. “Edhe pse të dyja vendet tona janë larg gjeografikisht, kjo distancë nuk mund të shihet si pengesë për të ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale dhe multilaterale. Raportet diplomatike mes vendeve janë dinamike”, vlerësuan presidentët e dy vendeve, gjatë takimit në Pallatin e Brigadave. Në një konference të përbashkët për shtyp pas takimit me dyer të mbyllura, Presidenti Topi dhe homologu i tij shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunim i cili së shpejti do pasohet me hapjen e konsullatave reciproke në të dy vendet. Në emër të shtetit të Shqipërisë, Topi i shprehu mirënjohjen homologut nga Hondurasi për angazhimin e tij për njohjen e shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, tha se do të angazhohej për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. “Kemi pasur mundësinë të admirojmë dinamikën e shpejtë të zhvillimeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe për këtë ju përgëzojmë”, u shpreh Sosa. Lidhur me çështjen e Kosovës, duke e konsideruar si një të drejtë legjitime, të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në liri, pavarësi dhe sovranitet, Sosa deklaroi se në takimin e ardhshëm të vendeve të Amerikës Qendrore do të kërkohet çështja e njohjes së shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të AM-së. Në takim me Kryeministrin Berisha, kreu i shtetit të Hondurasit u njoh me potencialet që ofron Shqipëria për biznesin e vendit të tij dhe më gjerë. Berisha vlerësoi gjithashtu qëndrimin miqësor të shtetit të Hondurasit ndaj shqiptarëve në përgjithësi, veçanërisht ndaj Kosovës, duke njohur dhe pavarësinë e saj. Presidenti Sosa mbështeti gjithashtu reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër të zhvillimit ekonomik. “Ne vlerësojmë punën e bërë nga qeveria e Shqipërisë për zhvillimin e vendit dhe sektorëve që më parë nuk kanë pasur zhvillimin e duhur, siç mund të jetë sektori energjetik”, deklaroi Sosa. Në takimin me presidentin e Hondurasit, kryeparlamentarja Topalli e falënderoi atë për qëndrimin e tij dhe të vendit të tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Ky qëndrim, theksoi ajo, është një kontribut i madh për paqen dhe stabilitetin”.

© Panorama.al

Te lidhura