Shpëton Gaddafi, NATO vret djalin e tij të vogël

May 1, 2011 | 12:03

LIBI- Djali i vogël i pushtetmbajtësit libian, Muammar Gaddafi është vrarë nga një sulm ajror i NATO-s në Tripoli. Bashkë me Saif al- Arab janë vrarë edhe tre nipër të Gaddafit në sulmin kundër shtëpisë së djalit të Gaddafit, ndërsa vetë Gaddafi dhe gruaja e tij që ndodheshin në të njëjtën shtëpi nuk pësuan asnjë lëndim, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Moussa Ibrahim. “Vetë udhëheqësi është në gjendje të mirë, ai nuk u plagos. Edhe gruaja e tij është në gjendje të mirë. Disa persona të tjerë u plagosën.” Ibrahim tha se sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Gaddafit është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. NATO konfirmoi në Bruksel se aleanca kishte zhvilluar sulme ajrore kundër një ndërtese qeveritare. Komandanti i NATO-s, Charles Bouchard tha se objektivat ushtarakë të aleancës janë të natyrës ushtarake dhe duan të pengojnë sulmet sistematike të regjimit ndaj popullatës. Vdekja e djalit të Gaddafit nuk mund të konfirmohet, u tha në Bruksel. NATO refuzoi një ofertë për armëpushim të Gaddafit të shtunën. Që nga fundi i marsit, NATO zhvillon sulme ajrore në Libi mbi bazën e një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Qëllimi i është zbatimi i zonës së ndalimfluturimit.(DW)

© Panorama.al

Te lidhura